Vdekja klinike dhe politike e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit..!?

Opinione

Vdekja klinike dhe politike e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit..!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 26 qershor 2020 Në ora: 13:54
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Nuk ka shqiptar patriot që i gëzohet të keqes së vëllait të vetë, prandaj është e paqëndrueshme dhe antikushtetuese suspendimi i një polici në Kosovë, i cili gjoja qenka gëzuar se ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veslit, Gjykata speciale (në vijim: GJS) paska ngritur aktakuzë me pretendimin se janë përgjegjës për afër 100 vrasje të paligjshme, gjatë dhe pas luftës çlirimtare.

Po ashtu, nuk mund të ishte befasi për opinionin e gjerë lajmi i dhënë në media nga Prokuroria speciale në Hagë, se ndaj H. Thaçit dhe K. Veselit GJS ka ngritur aktakuzë, ngase qëkur është themeluar kjo Gjykatë me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe atë me shumicën e votave të deputetëve shqiptarë, sidomos pas aktakuzës së euro-deputetit zviceran, Dick Martit ndaj H. Thaçit dhe ndaj disa ish komandantëve të UÇK-së me dyshimin se kanë bërë keqpërdorim të ligjeve të luftës, etj., ka qenë diçka e pritur por edhe e qartë, se pas grumbullimit të “dëshmive” kjo Gjykatë do të ngritë aktakuzë ndaj H. Thaçit, sepse në aktakuzën e D. Martit i akuzuari i parë ishte vetë H. Thaçi.

Andaj, gati asnjëherë nuk i kam kuptuar analistët klientelist dhe militant të H. TH. dhe PDK-së, të cilët nuk kanë besuar kurrë se ndaj tij një ditë do ngritët aktakuzë, e që flet qartë për faktin se shumica e politikanëve në Kosovë si dhe pjesë e madhe e opinionit kosovar nuk i njeh sa duhet, ose fare natyrën, logjikën, mentalitetin dhe politikat evropiane, nuk e njeh sa dhe si duhet demokracinë evropiane dhe mekanizmat shtetëror të vendeve anëtare të BE-së, siç nuk i njohin fare as strukturat politike dhe vendimmarrëse në Evropë bashkë me organet e saj siç janë Parlamenti, Këshilli i Evropës dhe institucionet tjera të  specializuara..!

Evropa dhe popujt e saj, sidomos kur janë në pyetje aktet ligjore, normat juridike, kushtetutat, marrëveshjet, vendimet si dhe qëndrimet e tyre ndaj çdo procesi politik, qoftë ekonomik, brenda vet shteteve anëtare si dhe në kuadër të BE-së, ato respektohen dhe zbatohen në mënyrë strikte kudo dhe pa përjashtim në mënyrë shumë rigoroze. Ky përkushtim i tyre nacional dhe tradicional në respektim të plotë të vlerave autoktone evropiane, njerëzore, kushtetuese dhe demokratike, burojnë nga vlerat e tyre nacionale, nga luftërat e shumta, nga kulturat, traditat, serioziteti politik si dhe nga forca morale që kanë si popuj dhe kombe të civilizuara me një histori të gjatë tragjike dhe plotë vuajtje, derisa e ngritën veten e tyre në piedestalin më të lartë të vlerave botërore!

A mund të na e thotë dikush, se në cilën shkallë dhe nivel të këtyre vlerave evropiane arrin të radhitet sot Kosova? E them pa asnjë dyshim, diku në shkallën e dytë, nga dhjetë shkallët ku ata gjenden sot, andaj nga ky këndvështrim duhet shikuar dhe kuptuar faktin, se pse Evropa “plakë” Kosovës nuk ia heq vizat, përndryshe kritikuesit e BE-së, siç ishte H. Thaçi i pa presedan, as që ua kanë haberin këtyre vlerave dhe standardeve që Evropa ia ka vënë Kosovës, bile është vetë Hashimi ai i cili i ka kontribuuar më së shumti mos liberalizimit të vizave për Kosovën!

Mirëpo, ajo që desha ta theksoj në këtë shkrim, është fakti i pamohueshëm, se H. Thaçi, K. Veseli, Xh. Haliti dhe disa të tjerë, kanë qenë objekt kryesor i trajtimit për të keq si njerëz të dyshuar për krime dhe keqpërdorime financiare në Kosovë, gati në të gjitha raportet sekrete të publikuara qysh nga viti 2006 e këndej nga KFOR-i, BND, Pentagoni, etj., si personat më të përfolur në Kosovë që iu kanë “prirë” grupeve kriminale, ose që kanë qëndruar pas tyre, pra që kanë qenë patjetër në dijeni për çdo vepër negative që ka ndodhur në shtetin e Kosovës.

Andaj, qoftë si pjesë apo si mbështetës të këtyre grupeve, ata mbajnë padyshim përgjegjësi morale dhe politike, për më shumë ngase kanë qenë në pozitat më të larta shtetërore të Kosovës..!?

Unë, as që dua të paragjykoj asnjërin nga këta të përmendur në  raportet ndërkombëtare për Kosovën, sepse nuk është detyrë e imja, por askush në Kosovë nuk mund ta mohojë faktin, se H. Thaçi ka qenë njeriu më i përfolur dhe më i dyshimti nga organet dhe shërbimet inteligjente të shteteve evropiane, dhe, duke i ditur të gjitha këto akuza dhe dyshime ndaj vetes së tij, pastaj akuzat dhe kritikat e pafund për sjelljet e tij tolerante ndaj krimit të organizuar politik dhe ekonomik në Kosovë, sidomos “urrejtjet” e shpërfaqura publikisht në media ndaj tij, nga ana e shumicës së popullit në Kosovë, duke mos reflektuar kurrë ndaj këtyre akuzave, etj., duhet thënë troç, se po të kishte pasur vetëm pak moral politik dhe kombëtar, Hashimi do duhej qysh në vitin 2006 të largohet nga politika, e jo ta sforcoj me çdo kusht dhe agresivitet mbetjen e tij në postet më të larta të shtetit të Kosovës, e që tregon qartë se H. Thaçit ambiciet e tij politike ia kishin vrarë arsyen e shëndosh që ta kupton se me tërë qenien e tij ka qenë dhe ka vepruar në vijën e gabuar te të bërit politikë. Po ashtu, dëshmon se ka qenë shumë i papjekur politikisht, një karrierist i paskrupullt, një inatçor kokëfortë, xheloz, agresiv, sidomos hakmarrës primitiv ndaj oponentëve të tij politik, siç e luftonte dikur LDK-në dhe presidentin Ibrahim Rugova dhe siç ishte tash në luftë kundër LVV-je dhe Albin Kurtit..!?

Po ua rikujtojmë edhe njëherë Hashimit, Kadriut, etj., a nuk erdhi në Prishtinë në vitin 2014 James Rubin, miku i madh i shqiptarëve i cili iu tha troç; “Ju krahu i luftës është më mirë që ta lëshoni pushtetin ngadalë dhe të shkoni në shtëpi, nëse dëshironi të merrni më vete pak nderë që iu ka mbetur akoma..”!?

Rrëfimi tragjikomik për H. Thaçin nuk përfundon këtu, ai do shpaloset në ditët, muajt, vitet dhe dekadat e ardhshme, por një gjë tanimë është e sigurt, se Hashim Thaçi pas shpalljes së aktakuzës para dy ditëve nga Prokuroria speciale e Hagës, bashkë me Kadri Veselin (rrëfimi për Kadriun ndryshon nga ai i H. Th.), që të dytë politikisht kanë vdekur në mënyrë klinike dhe se karriera e tyre politike ka përfunduar pardje në mënyrën më të keqe të mundshme, mbase që të dytë këta së bashku janë aktorët kryesorë të vetëvrasjes së vetë politike dhe kombëtare, pra të cilët me dorën e vet miratuan formimin e Gjykatës speciale, e cila tash përfundimisht i dërgoi në skëterrën politike të pafund, pa marrë parasysh epilogun përfundimtar nga ana e Gjykatës speciale ndaj tyre..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat