A ka zgjidhje ekonomike per problemet e ndërlikuara politike?

Opinione

A ka zgjidhje ekonomike per problemet e ndërlikuara politike?

Nga: Rexhep Gashi Më: 8 korrik 2020 Në ora: 19:49
Rexhep Gashi

Krizat ekonomike në historinë jo fort t largët – si p.sh depresioni i madh në shek XX (vitet e 30), zakonisht kanë shkaktuar kriza politike e që jo rrallë kanë eskaluar në zgjidhje të tyre me dhunë - pra luftëra (lufta e II botërore).

Por gjithsesi në fund të fundit nevojitet një marrëveshje politike qoftë edhe kornizë për zgjidhjen e krizave ekonomike qoftë shtetërore, regjionale dhe atyre globale.

Si  do të jetë edhe marrëveshjet ekonomike duhet të mbështesin zgjidhjen përfundimtare politike, po edhe marrëveshjet politike duhet të jenë themel i zgjidhjeve ekonomike – zhvillimit ekonomik.

Pra të dyja këto zgjidhje : politike dhe ekonomike e plotësojnë njëra tjetrën dhe garantojnë  jetëgjatësinë e tyre dhe paqen e përhershme.

Po a e sjell zgjidhja ekonomike domosdo edhe zgjidhjen politike dhe shumë dimensionale të problemeve në mes të dy shteteve të përfshira në konflikt të stërzgjatur Kosov – Serbi dhe vendosjen e stabilitetit edhe në rajonin e shqetësuar të Ballkanit Perëndimorë ?

A mund të na shërbejnë në këtë rast si model zgjidhjet e suksesshme ekonomike që njeh njerëzimi si : Shengen (BE) dhe Shenzhen (Kinë) edhe në zgjidhjen e konfliktit të vjetër shumë dimenzional Kosovë - Serbi.

Vendi ynë Republika e Kosovës (shkurt 2008 – e njohur nga mbi 100 shtete) është e vendosur në qendër të Ballkanit Perëndimorë ku bëjnë pjesë edhe : Shqipëria, Maqedonia e veriut, Mali i zi, Bosnja dhe Sërbia. Kosova është shkëputur nga Serbia me luftë në fund të shekullit të kaluar, me intervenimin e NATO-s të prira nga SHBA dhe lufta e UÇK-së dhe ende është në konsolidim të shtetësisë së saj sidomos në arenën ndërkombëtare.

Ballkani Perëndimorë në përgjithësi dhe Kosova në veqanti është vend i pazhvilluar dhe me shumë probleme për këto arsyje :

  • Sa i përket faktorit vendor – mungesa e një kompromisi në mes forcave politike udhëheqëse ka bërë që të mbahet pezull legjislacioni përkatës dhe si pasojë mos të ketë investime të kapitalit nga jashtë e as mobilizim të kapitalit vendor dhe nga diaspora. Natyrisht në këtë rast vakuumi mbushet nga : korrupsioni, krimi i organizuar dhe dukuritë tjera negative. Nëse kësaj i shtojmë edhe pasojat e pandemisë globale (COVID-19 – që ka paralizu edhe ekonominë globale), gjendja në vendin tonë paraqitet si e pashpresë.
  • Problemi ende i pazgjidhur me Serbinë (nga e cila Kosova u pavarësua me luftë), një problem shumë dimenzional që në një mënyrë apo tjetër po e mban peng konsolidimin e shtetësisë së Kosovës si : rrugëtimin drejt BE-së dhe antarësimin në organizatat ndërkombëtare (OKB, UNESCO, INTERPOL). Këtë po tenton ta bëj me ofenzivë të egër diplomatike kundër shtetësisë së Kosovës sidomos duke shprehur hapur pretendime territoriale dhe në disa raste duke kërcënuar edhe me konflikt të hapur (një luftë e re në Ballkan). Kur dihet mirëfilli se pa një marrëveshje obligative për dy palët sepse pa fqinjësi të mirë nuk ka rrugë drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe as reforma aq të nevojshme për qytetarët e dy vendeve.

Tentimi për një marrëveshje dhe zgjidhjen përfundimtare të konfliktit Kosovë - Serbi ( normalizim i marrëdhënieve) si element bazë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimorë dhe integrimin Euro-Atlantik të tij, ka filluar që disa vite (2013) me lehtësimin nga Bashkimi Evropian (BE).

Pothuajse pas 5 viteve negociata (2018) kur ato u ndërprenë (vendosja e tarifës 100%), rezultatet e këtyre negociatave nuk prodhuan suksesin e shumë pritur apo lënë shumë për të dëshiruar.

Pas një amullie të pashpresë dhe akuzave të ndërsjella për dështim të negociatave, iniciativën e plotë për ndërmjetësim e merr administrata e SHBA-së – aleati kryesorë i Kosovës në të gjitha etapat që nga çlirimi i Kosovës e deri më sot.

Iniciativë kjo e realizuar në praktikë me angazhimin e dy emisarëve special në ndërmjetësim për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë - Serbi, që sipas kësaj iniciative zgjidhja duhej të kërkohej te zhvillimi ekonomik dhe rritja e mirëqenies së qytetarëve.

Pra në rend të parë duhej të zhvillohej ekonomia, shkëmbimi tregëtar, lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave, rritja e mirëqenies së qytetarëve e pastaj të lehtësohet edhe zgjidhja politike – njohja reciproke mes dy shteteve dhe vendosja e paqer afatgjatë në rajon.

Në favor të kësajë me diplomaci energjike emisari i SHBA-së pas një kohe të gjatë i vendosi të dy palët : Kosovare dhe Serbe - në tavolinë dhe nënshkruan dy marrëveshje ekonomike. Marrëveshjet ishin : për vendosjen e linjës ajrore mes dy shteteve dhe vendosjen e lidhjes hekurudhore. Për më tepër u caktua edhe një samit i nivelit më të lartë në mes të krerëve institucional në mes dy shteteve në Uashington (Shtëpia e bardhë). Samit ky që sipas asaj që dihej do të përfundonte me një marrëveshje me bazë ekonomike në mes dy vendeve, që prej disave u quajt edhe historike – zgjidhja ekonomike.

  • Po a e sjell zgjidhja ekonomike domosdo edhe zgjidhjen politike dhe shumë dimensionale të problemeve në mes dy shteteve dhe vendosjen e paqes edhe në rajonin e shqetësuar të Ballkanit Perëndimorë ?

                                              *******************************

Samiti i planifikuar në Uashington (Shtëpija e bardhë) u anulua për shkaqe të tjera për një kohë tjetër, megjithatë nuk është bërë e ditur se çfarë do të ishtë ajo marrëveshjë ekonomike. Apo a ka ndonjë model tjetër të ngjashëm për zgjidhje ekonomike të konflikteve në botë ?

Megjithatë jozyrtarisht janë përfolur dy modele të suksesshme (të zgjidhjes ekonomike për problemet e ngjajshme politike). Ato modele janë : “Shengen (BE) dhe Shenzhen (Kinë)”.

Shqyrtimin e modelit “ Shengen” që paraqet kulminacionin e organizimit kompleks të BE-së (1992), apo “qershia mbi tortë” e organizimit politik e ekonomik të sajë - është më e dobishme ta fillojmë me historikun e largët të themelimit të sajë.

Në gjysmën e dytë të shekullit XX (1950), vetëm 5 vite pas përfundimit të luftës së dyttë botërore e cila ishte më shkatërrimtarja që ka njohur historia e njerëzimit në gjithë botën dhe sidomos për kontinentin e Europës (60 mil. të vdekur). Me qëllim që të mos përsëritej një luftë tjetër në Europë e veçanërisht në mes Francës dhe Gjermanisë që kishin një histori shekullore të armiqësisë, luftërave, urrejtjes ndëretnike, pretendimeve territoriale ( Alzas dhe Lorenë) etj.

Pra për këtë arsyje Robert Schuman ( 1886- 1963) si ministër i jashtëm i Francës në atë kohë prezentoi deklaratën e famshme për formimin e “Komunitetit për thëngjill dhe çelik” në mes të dy vendeve me një “Autoritet të lartë mbikqyrës” - si zgjidhje kreative e në shikim të parë ekonomike, po me qëllim - parandalimin e luftës e urrejtjes shekullore në mes të dy popujve.

Kësaj nisme i bashkangjiten më vonë edhe shtete si : Italia dhe shtetet e Beneluxit.

Përllogaritja e Robert Schumanit dhe përkrahësve të ides së tij doli e saktë, sepse zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve të dy vendeve u rrit aq shumë saqë e zbehu armiqësinë shekullore mes dy vendeve dhe shmangu përfundimisht rrezikun e konfliktit mes tyre duke i dhënë rastin paqes, mirëkuptimit dhe bashkpunimit në mirëbesim.

Këto vlera së bashku katër liritë themelore: liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, ideve dhe kapitalit e avansuan këtë komunitet në arritjen e cakut final – Bashkimi Europian (BE 1992).

Ky njëherit është organizimi më i suksesshëm jo vetëm ekonomikë por edhe politik, kulturor, ushtarak etj, që ka njohur historia e njerëzimit deri më sot – pra organizim paqësorë pa lufte.

E që ky organizim në bosht ka dy shtete tash të shndërruara në shtete mike : Francën dhe Gjermaninë.

Kulminacionin e organizimit funksional BE e arriti me marrëveshjen e “Shengenit (1995)” me heqjen e kufijve mes shteteve antare dhe krijimin e “zonës Shengen”. Kjo i dha mundësi prosperiteti dhe zhvillimi të barabart të gjitha shteteve anëtare dhe mundësi zgjerimi edhe me shtetet tjera. Ky është edhe  prioritet i prioriteteve për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimorë. Po për këtë këto shtete          ( edhe Kosova e Serbia) duhet të kryejnë reformat dhe të ndalin armiqësitë historike, politike, ekonomike, pretendime territoriale etj – pra të kenë fqinjësi të mirë mes tyre.

Në këtë drejtim modeli “Shengen” që prej themelimit të BE-së  e deri tash dhe zgjidhja kreative mes dy shteteve Francës dhe Gjermanisë së atëhershme - mund të shërbej si shembull adekuat.

Modeli tjetër i përfolur “Shenzhen (Kinë 1979)”, është më pask i njohur për ne. Kjo provincë gjendet në jug-perëndim të Kinës në kufi me Hong Kongun e administruar deri vonë nga Britanikët (1997). Nëse kthehemi mbrapa në historinë e largët në shekullin e XIX në “Luftërat e opiumit (1842 dhe 1860)”, me përfundimin e këtyre luftrave u arrit një marrëveshje. Kjo marrëveshje u quajt “marrëveshja speciale për kufijt e Hong Kongut (1898)”, me ç’rast disa territore të kësaj province e quajtur (Xini’an) dhe Hong Kongu për 99 vite kaluan në administrimin Britanezëve - deri në dorëzimin e tyre tek Republika popullore e Kinës 1987 (1 korrik).

Mirëpo fillimi i shekullit XX (1911) e gjeti provincen “Xini’an (Shenzhenin e më vonshem)” jashtë administrimit Britanik dhe me ndërtimin e një linje hekurudhore që e hapi rrugën e tij ndaj botës. Më vonë gjat luftës së - II - botërore ishte okupuar nga Japonezët ndërsa më vonë si pjesë territoriale e Republikës popullore te Kinës (1947). Nga vitet 1950 – 1970, diku 100.000 deri në 560.000 njerëz migruan nga kjo province për në Hong Kong në kërkim të një jete më të mirë dhe më perspektive.

Në vitin 1978 një grup inspektorësh të dërguar nga këshilli shtetëror i Kinës e propozuan krijimin e kësaj province një bazë të eksportit me botën e jashtme për këtë qëllim më 1979 komiteti qendëror i partisë komuniste të Kinës dha planin për krijimin e zonës industriale dhe tregëtisë në Shenzhen duke u bazuar në atë të Hong Kongut. Ky projekt u drejtua nga grupi i tregtarëve të Kinës me vendqëndrim në Hong Kong dhe do të bëhej zona e parë industriale dhe tregëtare e eksportit në Republikën popullore te Kinës.

Përreth 4 dekada Shenzheni njeh një zhvillim të hovshëm dhe mirëqenie që sot nuk dallon nga Hong Kongu fqinj deri von i administruar nga Britania dhe me një status të veçant me perëndimin. Kjo falë e zhvillimit të hovshëm si qendër tregtare, e shkëmbimit valutor dhe investimeve të huaja - kompanive multinacionale. Për më tepër Shenzhen u shpall edhe në top 10 - shen e qyteteve më të vizituara për vitin 2019 në botë.

Këto dy modele më të suksesshme të zgjidhjeve ekonomike të konflikteve në botë: Shengen dhe Shenzhen, pra që për bazë kanë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien mund të jenë si shembull edhe për zgjidhje të ndërlikuara politike, siç është konflikti ende i pazgjidhur Kosovë - Serbi.

 Duke qenë se konflikti Kosove - Serbi është konflikt i ndërlikuar si : historik, ekonomik, territorial, kulturorë, mungesë mirëbesimi reciprok etj, mendoj që për zgjidhjen e tij mund të merret për bazë modeli “Shengen (BE) por pse jo edhe në kombinim me modelin e suksesshem “Shenzhen (Kinë – sidomos në investimet e kapitalit të huaj etj)”.

Çka do të ndodh në realitet në samitet e ardhshme në Uashington apo edhe në Bruksel mbetet të shihet. Por një gjë është e qartë se qytetarët e dy vendeve presin zgjidhje të konfliktit, prosperitet dhe jetë më të mirë për të gjithë.

Kjo barrë iu mbetet liderëve politik dhe institucional të të dyja shteteve sepse asnjë konflikt nuk mund të zgjatet përgjithmonë dhe të mbetet pa zgjidhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat