Ministër, fajtor nuk janë qytetarët!

Opinione

Ministër, fajtor nuk janë qytetarët!

Nga: Arianit Zajmi Më: 14 korrik 2020 Në ora: 16:24
Arianit Zajmi

Muaj më parë patëm ditë me zero të infektuar ndërsa sot kemi ditë me 200. Para se ti quajmë qytetarët të “pandërgjegjshëm” ne duhet ti zhveshim modelet kontradiktore e paradoksale në luftimin e pandemisë COVID19 që u servuan nga Ministri Zemaj, modele të cilat kanë sjellë deri te përkeqësimi i situatës epidemiologjike tek ne. Euforia e pushtetit në kombinim me mungesën e kualifikimit adekuat të ministrit, bën që ai t’i anashkalojë aspektet kauzale me rëndësi jetike në planifikimin e masave anti-COVID19:

1. Aspekti publiko-shëndetësor: Edukimi dhe arsimimi shëndetësor është mjaft i ulët krahasuar me vendet e BE-së. Ne si mjek çdo ditë po bëhemi pjesë e debateve me pacientë të shumtë, debate mbi egzistencializmin e virusit – a egziston apo nuk egziston virusi. E kjo është shumë normale në një vend me edukim të tillë shëndetësor ku ende mjeku popullor e “shëron” epilepsinë dhe njerëzit e estradës e shpallin deluzion virusin COVID.

Të flasësh për distancë sociale e përdorim të maskës në shtetet me popullatë të arsimuar si Gjermania apo Norvegjia dallon shumë në raport me vendin tonë, përshkak që në vendet e tilla fjala institucionale dhe mjekut është amin për popullatën. Masat anti-COVID19 në çdo vend të Bashkimi Evropian janë bërë në përputhje me nivelin e arsimimit shëndetësor të popullates. Në vendet ku edukimi është i ulët atëherë lirimi i kufizimit të masave duhet bërë gradualisht e me shumë rezerva veqanërisht në sektorët e bizneset me hapësira të mbyllura që janë gjithmonë kanosje e situatës epidemiologjike. Tek ne kjo është anashkaluar plotësisht nga ministri !!

2. Aspekti klinik-mikrobiologjik: Qendrat tregtare e gastronomia me ahengje e tubime e vendet e tjera të mbyllura ku njerëzit qëndrojnë me orë të tëra mund të jetë potencialisht oaza e infeksionit të epidemive aerogjene (ku bëjnë pjesë gripi, COVID19 etj.). Është kjo njëra nga arsyet se përse epidemitë aerogjene siq është gripi zhvillohen në sezonën e dimrit –njerëzit pra qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Hyrja dhe dalja nga vendet e tilla duhet të bëhet vetëm pas dezinfektimit të duarve dhe prezencës së maskës duke u respektu distanca sociale dhe numri maksimal i klientëve të lejuar. Në fakt shteti duhet t’a ngarkojë me pasoja juridko-penale çdo biznes i cili nuk i plotëson kriteret e mbrotjes nga infeksioni. Ruajtja e këtij rendi nuk është obligim i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik mirpo obligim i organeve tjera shtetërore e ministrisë. Diçka e tillë as nuk ka ndodhur e as nuk është duke ndodh.

3. Aspekti i psikologjik: ardhja e ministrit në detyrë bashkë me qeverinë Hoti nuk ishte aspak e dëshirueshme nga popullata prandaj shpërfillja e rekomandimeve ndërlidhet edhe me frustrimin, regresionin e afektin emotiv të popullatës ndaj vet qeverisë. Kur kësaj ja shton edhe mungesën e kualifikimit adekuat të ministrit dhe përkeqesimim e situatës epidemiologjike në kohën e tij atëherë frustrimi veqse rritet. Ky aspekt duhet të vlerësohet në hollësi nga ekspertët gjatë planifikimit të gjendjes së jashtzakonshme apo masave tjera, në mënyrë që vendi të mos rrezikohet nga protesta potenciale masovike siq ka ndodhë në Serbi.

4. Aspekti social-mjekësor: Nevoja për shoqërim me tjerët është kushtë i pjekurisë e zhvillimit tonë emocional e është elementi bazë i një shëndeti të mirë mendor. Kur kjo nevojë kufizohet për një kohë atëherë edhe lirimi nga ky kufizim duhet të ndodhë gradualisht, në mënyrë që të mos ketë kaos e entropi sociale ashtu siq ndodhi me ardhjen e ministrit Zemaj dhe lirimit të masave.

Ku ishim dje e ku jemi sot? Muaj më parë ishim vendi shembull për tërë botën kur profesorët e Harvardit shkruanin për ne e sot jemi epitomi i keqmenagjimit të pandemisë për çdo vend të botës. E ministri po e gjuan topin herë kah qytetarët të cilët janë viktima të lojërave politike e herë kah IKSHPK të cilët janë heronjët tanë bashkë me të gjithë të angazhuarit tjerë. COVID19 është epidemi e askush nuk i njeh më mirë mekanizmat e bartjes e parandalimit të virusit se profesorët e IKSHPK-së. Prandaj mendoj që domosdoshmëri që ministri të mbetet sa më larg çështjes së menagjimit të pandemisë e kjo përgjegjësi të dorëzohet në duart e profesorëve të IKSHPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat