Në Shqipëri pushteti ndërrohet kur duan ndërkombëtarët

Opinione

Në Shqipëri pushteti ndërrohet kur duan ndërkombëtarët

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 16 korrik 2020 Në ora: 14:56
Skënder Sadri Kapiti

Historiku i tranzicionit në Shqipëri ka qenë një histori demokracie formale, në dukje me shumë parti, me fushata elektorale dhe me mbajtje zgjedhjesh. Demokrtaci me akuza e kundër akuza për vjedhje votash, për manipulime të rezultateve të saj, pra një demokraci elektorale pa standarde, me konflikte, rrëmuja dhe tollovi demokratike që shpesh e kanë çuar Shqipërinë në anarki e buzë greminës. Ndërhyrjet e faktorit ndërkombëtarë kanë qenë vendimtare për te mos lejuar precipitimin e vëndit në rrëmujë e në kaos shoqëror sa herë që janë bërë zgjedhje në Shqipëri.

Por, ndërkombëtarëve në Shqipëri asnjëherë nuk u ka interesuar standardi dhe as demokracia e vërtetë në Shqipëri pasi  janë mjaftuar thjesht me këshilla formale. Atyre u ka intersuar  vetëm  “stabilokracia” politike në Shqipëri, pavarësisht krimit të korrupsionit dhe të atij elektoral që kanë  dominuar e sunduar Shqipërinë në këto 30 vite tranzicion.

Hipokrizia e tyre konsiston në atë se : duke qenë Shqipëria në një situatë të tillë paqëndrueshmërie të përhershme dhe me probleme me demokracinë, korrupsionin, vjedhjen dhe me ligjin atëhere, BE justifikohet me mospranimin nga ana e saj të Shqipërsë në BE për mos plotësim kushtesh e standardesh.

Nga ana tjetër mos integrimi i Shqipërisë në BE i shkon për shtati politikës dhe elitës politike shqiptare për ta mbajtur peng integrimin dhe për të lëvruar e përfituar prej  krimit ekonomik, politik,  me vjedhjet, me abuzimet  dhe me korrupsionin e lartë shtetëror.

Ndërkombëtarët gjithmonë i kanë “certifikuar” zgjedhjet dhe votimet në Shqipëri  sipas kutit matës dhe vlerësimit të tyre  sipas logjikës : “ishin zgjedhje që nuk plotësuan standardet por janë të pranueshme”. Ndërkombëtarët kanë bërë shurdhin dhe memecin edhe pse hapur regjimet politike në Shqipëri vidhnin ,trafikonin e manipulonin rezultatet e zgjedhjeve, dhe nuk ka qenë vështirë për të dalluar mbështetjet dhe preferencat e ndërkombëtarëve  për pushtetin dhe për opozitën.

Nëse qeveria e pushteti u pëlqente inreresave të ndërkombëtarëve qeveria  kishte OK-in dhe dakordësinë prej tyre për të manipuluar zgjedhjet dhe për të qëndruar në pushtet edhe për të dytën  herë. Kështu vepruan ndërkombëtarët me pushtetin e Berishës në vitin 2013, kur korrupsioni dhe keqqeverisja ishin në kulmin e tyre, dhe e mbajtën për së dyti herë Berishën Kryeministër pavarësisht dokumentimit të vjedhjes së votave në kutitë e votimit.

Dhe po kështu ndërkombëtarët vepruan po në të njëjtën mënyrë edhe me Edi Ramën në zgjedhjet e vitit 2017 si dhe në zgjedhjet e manipuluara dhe të votave të blera vendore antidemokratike e njëpartiake të mëpastajme. Ndryshimin e pushteteve në Shqipëri nderkombetarët e bëjnë vetëm kur “piqen kushtet”, që do të thotë atëhere kur degradon rëndë pushteti e keqqeverisja nga autoritarizmi, krimi, hajnija e papërgjegjshmëria e pushtetit  dhe kur dëshirojnë ndërkombëtarët për ta bërë ndryshimin dhe rotacionin politik në Shqipëri, kur japin ata  sinjalin dhe urdhërin ndodh edhe ndryshimi i qeverisjes.

Duke qenë realiteti ky, atëhere edhe politika shqiptare si pushteti ashtu edhe opozita garojnë ndërmjet tyre me politikë servile ndaj ndërkombëtarëve pasi e dinë se mbeshtetja prej ndërkombetarëve është  faktori vendimtar se kush qeveris në Shqipëri, pasi shqiptarët nuk janë në gjëndje për ta bërë e ndërtuar shtetin ligjor e demokratik, demokracinë dhe ligjin me standarde modernë  dhe as funksionalë, pasi elita politike shqiptare në këto drejtime ka 30 vite që ka dështuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat