Qeveria vdekjeprurëse!

Opinione

Qeveria vdekjeprurëse!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 1 gusht 2020 Në ora: 16:29
Avdullah Hoti dhe Armend Zemaj

Vetëm paralajmërime, asgjë tjetër. Nuk po respektohet asgjë, e për këtë nuk janë fajtor vetëm qytetarët. Ndoshta mungesa e legjitimitetit te kjo qeveri, po bën që edhe qytetarët të mos i binden asaj.

Por kjo nuk duhet të jetë ndonjë arsye e mundshme që gjërat të mbesin pezull, e të vazhdojnë rastet rreth 250 ditë, e mbi 10 vdekje në ditë pikërisht nga COVID-19.

Siç duket, kjo qeveri po tenton që numrin e rasteve “200”, të na e bëj si të zakonshme dhe të mos shqetësohemi, pra ta paraqes si diçka normale.

Tentimi i mashtrimit të qytetarëve në këtë mënyrë, është e gabuar dhe vetëm sa sjell vdekje të reja në vend, ku për 72 orë, kemi 41 të vdekur, e mbi 600 të infektuar të tjerë.

Kjo nuk është e gjitha, sepse numri i testimeve brenda ditës po është rreth 450, dhe nga këto statistika, i bie që çdo i dyti në Kosovë është pozitiv me coronavirus.

Madje, Kosova prinë si e para në të gjithë botën si shteti me më së shumti të vdekur nga COVID-19 për 1.000.000 banorë. Statistika këto që e fusin Kosovën në listën e zezë të shteteve më të rrezikuara në botë, e kjo ka pasoja edhe në ekonominë e Kosovës, pasi për shkak të kësaj liste, diaspora nuk mundi të vij këtë vit, e dihet se ajo është një ndër shtyllat më forta të ekonomisë sonë.

Nëse ky trend vazhdon njëjtë, atëherë brenda një muaji do të kemi mbi 350 të vdekur në Kosovë, e me mbi 6500 të infektuar (nëse vazhdohet të bëhet testimi i vetëm rreth 450 qytetarëve në ditë).

Masat e marra nga qeveria nuk janë aspak logjike. Gastronomia lejohet të punojnë deri në ora 22:30, ndërsa pas kësaj ore mund të punojnë vetëm në ambiente të hapura me distancë dy metra të tavolinave. Por gjithashtu orari i lëvizjes në shumë komuna është vetëm deri në ora 22:00. Kjo bie ndesh me vet masat e marra nga kjo qeveri.

Të gjithë e dimë se po frikësohen nga masat e reja sepse të njëjtat do t’i jepnin një goditje të madhe e të radhës ekonomisë, të cilën Kosova nuk do të mund ta përballonte. Por kjo nuk krahasohet me jetët e njerëzve assesi.

Nuk do të mund t’a normalizojmë gjendjen, nëse nuk ka bashkëpunim në mes qytetarëve dhe qeverisë, por kjo e fundit nuk duhet të gënjejë duke e paraqitur situatën kinse nën kontroll.

Në QKUK, kanë mbetur më pak se 100 shtretër të lirë për pacientët me gjendje më të rëndë me COVID-19, dhe nëse vazhdon kjo njëjtë, atëherë sistemi spitalor do të paralizohet dhe do të kolapsojë.

Kjo qeveri së bashku me ministrin e shëndetësisë i cili është jursit me profesion, dhe personat e tjerë ‘kompetentë’, duhet t’a gjejnë një rrugëdalje nga kjo situatë ose të lirojnë rrugë. Askush me dhunë nuk i ka sjellë në atë pozitë, përkundrazi, me vetëveprim dhe zotim maksimal.

Keni kompetenca si asnjëherë më parë, mos u frikësoni të veproni sepse përndryshe do të mbaheni mend vetëm si qeveri vdekjeprurëse e asgjë më shumë. Ose, ndoshta jolegjitimiteti juaj do t’iu bëj të mësoni për të ardhmen.    

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat