Zhbërjen e pavarësisë së Kosovës mund ta ndalon vetëm gjenerata e re e patriotëve të shkolluar..!

Opinione

Zhbërjen e pavarësisë së Kosovës mund ta ndalon vetëm gjenerata e re e patriotëve të shkolluar..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 28 shtator 2020 Në ora: 19:12
Rexhep Elezaj

Aq të shumta janë dështimet politike dhe ekonomike përgjatë 20 viteve të shkuara të kastës sunduese, të politikanëve të pa moralshëm, antikombëtarë dhe të korruptuar, saqë numërimi i tyre në një përmbledhje gjithëpërfshirëse do merrte me qindra faqe, duke filluar nga përçarjet ideologjike dhe shtetërore, sidomos ato rreth mobilizimit ushtarak për luftën çlirimtare, e deri tek segmenti i fundit i shtet formimit dhe ndërtimit të Kosovës, gjithnjë krahasuar me popujt dhe vendet fqinje.

Pra, rezulton qartë se shtet ndërtimi i Kosovës është ngritur gati krejtësisht jashtë normave bashkëkohore dhe konvencionale juridike dhe administrative të cilat që nga pas Lufta e Dytë Botërore (1945) zbatohen në të gjitha vendet demokratike të Evropës dhe më gjerë!

Ja disa nga dështimet më kryesore të kastave politike të pas luftës;

A kemi hyrë si popull i organizuar mirë ushtarakisht në luftë kundër okupimit serb të Kosovës, përgjigja e qartë është, Jo, sepse në luftën çlirimtare kemi hyrë të ndarë mbi baza ideologjike, LPK-ja si e majtë ekstreme dhe LDK-ja si e djathtë paqësore, e që në fakt kishin qëndrime diametralisht të kundërta, si dhe kur duhet hyrë në luftë kundër armikut, ndonëse siç dihet grupimi i parë, marksist-enveristët jashtë vendit, kokë me vete pa u konsultuar fare me krerët e LDK-së në vend, do hyjnë në luftë të paorganizuar siç parashihet dhe siç e kërkojnë rregullat ushtarake. Pra, pas mbarimit të luftës u kuptua publikisht, se synim kryesorë i tyre kishte qenë marrja e primatit të organizatorit dhe udhëheqësve të luftës, të cilën mbase do ta fillojnë kah mesi i viteve të 90-ta në formë tipike kaçakçe në grupe të vogla të armatosura, duke e bërë organizimin e saj nëpër fshatra me armatim krejtësisht jo adekuat përballë një ushtrie të rregullt dhe e armatosur deri në dhëmbë siç ishte ajo e Serbisë fashiste!

Ndërsa LDK-ja, duke pasur koncept krejt tjetër politik nga LPK-ja-dega jashtë vendit, se në luftë kundër armikut shekullor nuk mund të hyhet pa u përgatitur mirë ushtarakisht, pranë faktit se për 7 vite ajo arriti sukses në ngritjen e sistemit paralel shtetëror dhe administrativ në tërë Kosovën, duke e pasur edhe qeverinë e saj në exil, etj., lirisht mund të thuhet se në aspektin e organizimit ushtarak ajo kishte dështuar keq. Mbase për shkak të përçarjeve brenda saj, ajo edhe u vonua jashtëzakonisht shumë në formimin e forcave të rregullta ushtarake, pra ushtrisë, duke tentuar të kyçej në luftë me FARK-un e saj, derisa në fushëbetejë shtabet e UÇK-së ishin formuar dhe e kishin ndarë Kosovën në disa zona të luftës, të cilat më nuk mund të pranonin asnjë komandë tjetër ushtarake nga jashtë..!

Në Konferencën e Rambujesë (6 – 23 shkurt 1999), forcat politike dhe ushtarake të Kosovës, po ashtu, shkuan të ndara dhe të përçara mes tyre, dhe për pasojë Kosova do futet nën administrimin e OKB-së (UNMIK) dhe të NATO-s (KFOR) i cili administrim po zgjatë edhe sot, 21 vite pas mbarimit të luftës. E them me bindje të plotë, se po të ishin unik faktorët politik shqiptar në Rambuje, Kosova nuk do futej nën administrimin ndërkombëtar, veçse do e administronte veten për një faze kalimtare deri në pavarësimin e plotë të saj, proces i cili akoma nuk është përmbyllur..!?

A iu falën me pakon e Ahtisarit 2400 hektarë toka të Kosovës shtetit të Maqedonisë me pajtimin e qeverisë “Thaçi- I -”, në vitin 2009, a ndodhi procesi i privatizimit në Kosovë në vitin 2004 – 2008, përmes të cilit 30% e territorit të Kosovës iu dha komunitetit serb, përfshirë eksterritorialitetin e kishave ortodokse serbe, ku popat e kishës ortodokse serbe në Deçan para vetëm dy muajve i kanë ndaluar punimet në rrugën e cila po ndërtohet për Plavë, në pjesën të cilën ata e konsiderojnë “pronë” të kishës..!?

Kush e përkrahu dhe bëri presion mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë formimin e Dhomave Speciale për Kosovën (gusht 2015) për t’i verifikuar “krimet” e mundshme të disa ish komandantëve të UÇK-së gjatë luftës çlirimtare, përveç se Hashim Thaçi dhe partia e tij, PDK-ja, kryetari i të cilës, Kadri Veseli, bashkë me H. Thaçin, ishin të akuzuarit e parë nga po kjo gjykatë të cilën e votuan vetë (shih deklaratën publike të Prokurorit special të datës 24 qershor 2020)..!?   

Kush e nënshkroi marrëveshjen për formimin e “Zajednicës” serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë në vitin 2015 në Bruksel, dihet, ishte Isa Mustafa, kryetari aktual i LDK-së, kur falë vetëm Gjykatës kushtetuese e cila e shpalli atë marrëveshje anti-kushtetuese në 23 nene, përndryshe sot do ta kishim “Republika Srpska” në Kosovë!

Kush e nënshkroi marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi në Vjenë të Austrisë me 26 gusht 2015, përveç se Hashim Thaçi, Skënder Hyseni dhe Isa Mustafa, me të cilën marrëveshje të tradhtisës së madhe kombëtare, Malit të Zi iu falën mbi 8200 hektarë toka të trevës së Rugovës, madje nënshkruesit e saj edhe sot po mburrën dhe zgërdhihen para popullit për këtë mashtrim, në vend se të ishin dënuar për tradhti kombëtare dhe cenim të sovranitetit territorial të Kosovës..!?

Pastaj, kush e bëri regjistrimin dhe pranimin e statusit të veteranëve të luftës numri i të cilëve arriti mbi 60 mijë sish, në vend se paraprakisht të vendoseshin kriteret bazë, se kush mund ta merr statusin e veteranit, e që siç është dëshmuar aty ka pasur korrupsion bizar për ta marrë atë status, kur vetë ish udhëheqësit e UÇK-së kanë deklaruar disa herë se nuk ka pasur më shumë se 20 mijë luftëtarë në frontin e luftës..!?

Kush janë ata politikanë dhe “liderë” të Kosovës të cilët për shkaqe dhe motive personale deshën të bëjnë pazare të ndyra politike me Serbinë duke ia dhënë Veriun e Kosovës, në këmbim të heqjes së aktakuzës ndaj Hashimit pranë Gjykatës speciale në Hagë, etj., kush tjetër përveçse Hashim Thaçi vetë, i cili në zhargonin politik të Kosovës i pari e futi aksiomën; Ndërrim dhe këmbim territoresh”, pra ndryshim të kufijve të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, dhe po mos të ishte znj. Angela Merkel, e cila i tha Jo ndryshimit të kufijve në Ballkan, sot veriu i Kosovës edhe zyrtarisht do ishte pjesë e Serbisë, dhe kështu me radhë deri në rrezikun eklatant të zhbërjes graduale të pavarësisë së Kosovës (shih deklaratën në media të John Bolltonit)..!?

Për fat të keq, dallimet ideologjike, përçarjet politike midis subjekteve partiake, lufta e paskrupullt për pushtet, sidomos pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova (2006) midis LDK-së dhe “krahut të luftës” (LPK-së), ndarja regjionale sipas interesave personale midis “liderëve” (lexo: profiterëve) dhe disa ish komandantëve të luftës, uzurpimi dhe keqpërdorimi i skajshëm i meritave të luftës çlirimtare, propaganda dhe urrejtjet ndaj “pacifistëve” të Ibrahim Rugovës, duke i stigmatizuar si tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë, kapja e çdo poreje të shoqërisë dhe shtetit nga SHIK-u dhe PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi, shantazhet dhe kërcënimet fizike ndaj gjithë atyre të cilët guxojnë ta kritikojnë UÇK-në, kufizimi i fjalës dhe mendimit të lirë në mediat e kapura nga pushteti, uzurpimet dhe hajnitë enorme të pasurive të popullit dhe shtetit deri në ekstrem, gjë të cilën e dëshmojnë qartë pallatet, shtëpitë dhe pronat e palëkundshme të tyre në vlerë prej miliona eurosh, me pronarë kush tjetër veçse udhëheqës politik gjithandej Kosovës, lënia krejtësisht pas dore e zhvillimit të bujqësisë dhe resurseve tjera ekonomike, e që si pasojë do nxis largimin e mijëra të rinjve dhe qytetarëve tanë nga Kosova drejt botës perëndimore për të siguruar një kafshatë bukë për familjet e tyre, me papunësinë dhe varfërinë ekstreme të popullatës, etj., çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit ky “sistem vlerash” e ka gërryer pamëshirshëm nga brenda lirinë dhe pavarësinë e Kosovës..!?

Ndaj, sipas bindjes time të thellë, pas gjitha këtyre gabimeve dhe dështimeve katastrofale të disa ish pushtetarëve si dhe qeveritarëve aktualë të LDK-së, AAK-së, NISMA-s dhe PDK-së, këtë trend kaq negativ të shtet-ndërtimit të Kosovës, mund ta ndalë dhe ndërpres njëherë e mirë vetëm gjenerata e re e patriotëve dhe intelektualëve të arsimuar, përndryshe Kosova do përfundon pashmangshëm në një katrahurë të paparë historike..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat