Naimi, poeti i bekuar me Shqipërinë

Opinione

Naimi, poeti i bekuar me Shqipërinë

Nga: Ndue Dedaj Më: 20 tetor 2020 Në ora: 08:07
Ndue Dedaj

Shqipëria ishte perëndia e poetit tonë të madh, bekimi i tij i pakufishëm. Frashërliu mendjendriur ishte larg atdheut, në mergim, por fushat dhe malet shqiptare i kishte në çdo qelizë. Rronte në Stamboll dhe ëndrrat i shihte në Frashër të Dangëllisë. Askush si ai nuk e përcolli poetikisht frymën shqipëridashëse në epokën e vet dhe përgjatë gjithë shekullit XX. Bash për këtë ai u thirr poet i kombit. Ishte njëlloj shugurimi që vinte prej gjuhës shqipe, që mbrujti veprat e tij dhe prej kumteve kombëtare. Shqipja e kishte kaluar sprovën e saj të shkrimit me autorët e vjetër dhe, prej De Radës e mbrapa, kishte hyrë në fazën e shkrimtarisë moderne, me prurjet e saj më të mira lirike. Naimi ishte në kryekreun e kësaj letërsie të re me përmbajtje atdhetare dhe filozofike. Nga lartësia ku ishte ngjitur, ai kishte fituar tagrin t’iu kërkonte bashkëkombasve të tij, që ta bënin Shqipërinë përmes punës... dhe jo pazareve politike, do të shtonim ne, që do t’i zinin frymën këtij vendi prej atëherë e më sot.

Të gjithë rilindasit kishin kumte madhore për shekullin XX. Me vetëdijen e shkrimtarit dhe “edukatorit kombëtar”, siç e kishin quajtur, Naimi shkroi poemën epiko-lirike “Histori e Skënderbeut”, për t’i rikthyer shqiptarët te lavdia më e madhe historike e tyre. Por nuk ishte vetëm e kaluara që duhej të merrte dritën që ia kishte zbehur mesjeta e pushtimit otoman, ai shihte se ishte bjerrë puna, ndaj thërriste fort si nga një sferë e epërme, porse tokësore: “Punë, punë natë e ditë/ Që të shohim pakëz dritë”. Ne as sot e kësaj dite nuk e kemi dëgjuar poetin e mirësisë njerëzore, që na sajdisi me “Lulet e Verës” dhe na rrëfeu përmes mallit të mërgimit madhështinë e fushave dhe maleve tona, pasi jo vetëm që nuk jemi magjepsur e “dehur” nga bukuria e tyre, por e kemi shëmtuar atë, herë duke iu “qepur kodrave e maleve për t’i bërë dhe ato pjellore si fushat” me anë të kooperativave bujqësore “socialiste”, herë duke i mbytur lumenjtë në betonin e hidrocentralizimit, përfshi dhe Vjosën naimjane. Nuk është për t’u habitur që një kumt për parajsën natyrore shqiptare e kemi dhe më përpara nga një tjetër poet, Pjetër Budi. Një metaforë e Naimit është dhe ajo e dritës, ashtu si te Migjeni me pas, si për të na thënë se drita është një vazhdë e pëndërprerë e poezisë shqipe, pavarësisht konotacionit poetik të njërit apo tjetrit poet. Po nuk është rasti për t’u zgjatur në metaforikën e këtij poeti, në thelbin e lirikës së tij filozofike, çka e kanë bërë më së miri studimet kushtuar veprës së tij, ama një gjë mund të thuhet: edhe pse letërsia është universale, poezia e Naimit dhe e rilindasve të tjerë, për vetë specifikën e ngjizjes së saj, rrezaton kombëtaren dhe si e tillë ajo ka krijuar simbolika që nuk bien as në kohën moderne, pa bërë fjalë për lirikën tij të dashurisë si e gjithkohshme. Rileximi në kohën e sotme i veprës letrare të Naimit zbulon të tjera cilësi artistike të saj dhe jo më “kufizime ideore” si dikur. Mozaiku simbolik i trashëguar prej tij është jo pak i larmishëm, ku mbruhet estetikisht: shqipëridashja, dituria, dëshira e vërtetë e shqiptarëve, puna ditë e natë, dashuria, bukuria, gjuha shqipe, mësimet, historia skënderbegiane, lulet e verës, natyra, besimi, mirësia, urtësia etj. Për Naimin e papërsëritshëm “mendj’ e njeriut arrin gjer në qiej dhe dor’ e tij ësht’ e zonja për çdo punë”.

Naimi, për çudi, është lënë disi në harresë përgjatë shekullit XXI, a thua se koha e tij mbaroi me hyrjen e mijëvjeçarit të tretë. Doemos që duhej të riktheheshin korrifejtë e ndaluar nga regjimi i kaluar njëpartiak, si Fishta, Konica, Koliqi e të tjerë, por kjo nuk do të thoshte të mos vazhdonte të ligjërohej si më parë për Naimin, Çajupin, Asdrenin, si të kishin qenë ata shkaktarë të ndalimit të sivëllezërve të tyre. Shkrimtarët kurrë nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Mjafton të shohësh një fotografi (tashmë emblematike) të bërë në Shkodër nga fundi i viteve ’30, ku kanë dalë Asdreni, Fishta, Koliqi dhe Poradeci. Ata ishin një, paçka se mes tyre hyri ideologjia komuniste dhe i ndau e përndau, dikë duke e quajtur atdhtar e dikë tjetër reaksionar.

Fatmirësisht dhe kur instutucionet zyrtare mund të “harrojnë” ngapak, elita letrare, kulturore dallohet për shqisat e saj që nuk e lënë të ndikohet nga asgjë jashtë letërsisë dhe artit të mirëfilltë. Kësisoj, Naimi ka jehonën e tij krijuese në botën shqiptare. Nëse në Tiranë, fytyrën e poetit e kemi në prerjen e monedhës më të vogël, asaj dyqind-lekëshe, apo në dekoratën me emrin e tij që jepet në të rrallë, në Tetovë prej 24 vitesh, çdo tetor, zhvillohet festivali ndërkombëtar i poezisë “Ditët e Naimit”, i udhëhequr nga shkrimtari Shaip Emërllahu, një veprimtari e mirëpritur që ka krijuar shtratin e vet, me pjesëmarrës poetë shqiptarë dhe nga i gjithë rruzulli. Po ashtu, këto ditë në Prishtinë u botua monografia e studiuesit të njohur të letërsisë Sabri Hamiti me titullin “Naim Frashëri” (që pason monografitë e mëparshme të Shuteriqit dhe Qosjes kushtuar tij), i cili vetëm pak kohë më parë botoi monografinë tjetër “Gjergj Fishta”, si për të vendosur një paralele mes dy poetëve të shquar, të thirrur, secili sosh, “poet kombëtar”, njëri i gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe tjetri i gjysmës së parë të shekullit XX, njëri bektashi e tjetri frat françskan, njëri shkroi në toskërisht e tjetri në gegnisht, por që e pasuruan shqipen si rrallëkush, duke merituar të quhen dhe gjuhëkrijues. Kjo është qasja jonë në formën e opinionit, kurse monografia e profesor Hamitit mbetet për t’u lexuar.

Për poetë si Naimi përvjetorët e lindjes dhe të shuarjes nuk kanë më kuptimin e përkujtimit të zakontë, ku shkruhen artikuj apo mbahen tubime jubilare, por të një ballafaqimi të vetë shoqërisë, gjeneratave me ta. Rexhep Qosja shkruan: “Të gjitha veprat e Naim Frashërit, pavarësisht prej fazës në të cilën janë shkruar dhe pavarësisht prej fushës, gjinisë apo llojit të cilit i takojnë, kanë një qëllim madhor, të cilit i falen: të bëhet Shqipëra dhe të bëhet shqiptari”. Duket se e gjithë retorika politike kushtuar atdheut dhe shqiptarëve, në më shumë se një shekull, nuk ka vokacionin e veprës së këtij poeti që u bekua me Shqipërinë dhe na e la si testament. Prandaj Naimi është sa shkrimtari i traditës sonë letrare, aq dhe një mëtues “bashkëkohor” drejt ëndrrës së pakryer rilindase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat