Shtylla kryesore e padëmtuar e bashkimit kombëtar është dhe mbetet harmonia fetare

Opinione

Shtylla kryesore e padëmtuar e bashkimit kombëtar është dhe mbetet harmonia fetare

Nga: Enver Bytyçi Më: 21 tetor 2020 Në ora: 00:13
Enver Bytyçi

Ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi, paska publikuar karikaturat e Muhamedit në llogarinë e tij elektronike. Dhe me këtë akt ai ka shkaktuar reagimin e BIK, e cila i ka kërkuar ministrisë së Punëve të Jashtme të mbajë qëndrim ndaj Qëndrimit. Në këtë debat ka prej atyre që nuk e akceptojnë sjelljen e ambasadorit Gashi dhe ka prej atyre që i japin atij mbështetje të pakushtëzuar dhe joreflektuese. Secili ka të drejtën e vet për t'u pozicionuar pro ose kundër një akti, një fenomeni, një veprimi a një deklarate.

Por me këtë rast më duhet të kujtoj se shtylla kryesore e padëmtuar e bashkimit kombëtar është dhe mbetet harmonia fetare. E vetmja prej asgjëje që ne shqiptarët kemi. Gjithçka tjetër e kemi shkërmoqur. Luftë politike, përçarje krahinore, inate personale pa mbarim. Prapambetje ekonomike, vështirësi financiare, ikje nga vendi yt, mohim i identitetit tënd e kësi me radhë. Luftojnë politikanët kundër njëri-tjetrit dhe gjysma e tyre kundër Shqipërisë, kundër Kosovës e kundër shqiptarisë. Lufton mafia në të dy vendet tona të kapë pushtetin dhe të shtojë pasurinë. Lufton njëra pjesë kundër pjesës tjetër, sikur të mos na mjaftonte lufta kundër politikave antishqiptare të Serbisë e ndonjë vendi tjetër.

Tani, me forma e metoda perfide synohet të provokohet një konflikt i papranueshëm midis religjioneve. Ambasadori Qëndrim Gashi me dije ose pa dije i ka kontribuar këtij konflikti. Shqiptarët nuk janë homogjen në besim, siç është Europa, dhe një veprim i tillë nuk mund të kalojë pa rënë në sy. Eshtë e drejtë e besimtarëve myslimanë që të reagojnë ndaj këtij veprimi, ashtu siç është e drejtë e besimtarëve katolikë dhe e të gjithë shqiptarëve të reagojnë kur fyhet Krishti, Nënë Tereza apo Skëndërbeu. Madje do të ishte kontribut për harmoninë fetare nëse kundër veprimit të Qëndrim Gashit do të reagonte edhe Kisha Katolike e Kosovës! Elita intelektuale e shqiptarëve së paku duhet të orientohet kah forcimi i harmonisë fetare dhe jo nga interesat e ngushta të vetat, kur merr pozicionim për çeshtje të tilla kaq sensitive!

Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve u mjafton dhe u tepron konflikti që po përjetojnë midis drejtësisë dhe padrejtësisë, midis idealizmit politik dhe mafies politike, midis doktrinës së bashkimit pa dallim dhe diferencimit politik, klasor e krahinor që bën politika. Ne nuk na duhet edhe një konflikt tjetër, ai fetar, i cili do ta zhbënte përfundimisht qenien e shqiptarëve. Prandaj dua të apeloj për shumë kujdes në reagimet dhe qëndrimet tona ndaj kësaj fryme!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat