Lejimi i vetëflijimit të grave ballshiote është krim kundër njerëzimit

Opinione

Lejimi i vetëflijimit të grave ballshiote është krim kundër njerëzimit

Nga: Azgan Haklaj Më: 22 tetor 2020 Në ora: 09:38
Azgan Haklaj

E nderuar znj Ambasadore!

 

Prej një jave dhjetëra gra, nëna dhe motra të naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit janë ngujuar në grevë urie të vendosura për të sakrifikuar jetën e tyre për të drejtën themelore të njeriut atë të pagesës e të shperblimit për punën e papaguar prej një viti.

Ky veprim është një akt i paprecedent në historinë e Europës së sotme, i cili tregon se deri në çfarë shkalle ka degraduar Qeveria Shqiptare dhe Kryeministri i saj, i cili është i gatshëm të sakrifikojë jetë të pafajshme vetëm për të përjetësuar sundimin e tij dhe të oligarkëve të krimit.

Si ambasadore e një vendi e kombi të madh simbol i lirisë e demokracisë botërore, i cili është edhe aleati strategjik e mik i shqiptarëve ju duhet të ushtroni të gjithë autoritetin tuaj që ju jep posti  i lartë që keni për të detyruar Kryeministrin e Shqipërisë z Edi Rama tu plotësojë të gjitha kërkesat e drejta e legjitime grave fisnike të cilat po vetëflijohen në emër të lirisë, drejtësisë dhe të ardhmes së familjeve të tyre, të cilat jetojnë në kushtet e mjerimit e të varfërisë ekstreme, në një kohë që Ballshi e nëntoka e tij janë bastioni naftëmbajtës me i madh i Europës.

Znj Ambasadore!

Vetëm një qeveri tiranike e regjim i talebanëve janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën e grave e të vajzave në një kohë që e Drejta Zakonore Shqiptare e traditat tona mijëravjeçare e konsiderojnë femrën të shenjtë e të padhunueshme.

Znj Ambasadore!

Ju jeni shprehur se mezi prisni të vizitoni Shqipërinë.

Shkoni në Ballsh, e atje do të gjeni gjurmët e një qytetërimi të lashtë e të magjishëm, Qytetin antik të Bylisit e amfiteatrin e tij, ku janë luajtur tragjeditë e Eskilit të pavdekshëm.

Si ambasadore e shtetit më të fuqishëm të botës mos lejoni që të luhet një tragjedi e re, ajo e vetëflijimit të grave të naftëtarëve, sepse ky akt do të mbetet një njollë e pashlyeshme në ndërgjegjen e shqiptarëve, por edhe të kombit tuaj dhe të botës se lirë!

Këtë akt të shëmtuar po e bën sot Kryeministri Shqiptar, për të cilin një pjesë e madhe e opinionit publik thonë që gëzon mbështetjen tuaj dhe të ambasadorëve të rendësishëm të vendeve të BE- së, nuk ka guxuar ta bëjë as Hitleri e Musolini, Françisko Franko, apo Pinoçeti.

Sulltani i Qeverisë Shqiptare nuk mund ta "lajë" duart me grevistet e urisë që po shkojnë drejt vetëflijimit ashtu si dikur Ponc Pilati me Jezu Krishtin!

E kjo për faktin se Rama e qeveria e tij kriminale janë përgjegjës të drejtëpërdrejtë, janë personazhet primare të dosjes së zëzë të Ballshit, e cila është kthyer prej tëtë vitesh në epiqendrën e krimit ekonomik shtetëror më të madh në Europë.

Sot padronët e vertetë të "arit" të zi të rajonit të Ballshit janë trusti i Qeverisë Rama dhe baronët e krimit të cilët dalin papritur në skenë dhe të nesërmen zgjohen milionerë me vulat e firmat e një qeverie të korruptuar në çdo qelizë të saj.

Dosja e krimit ekonomik të Ballshit është thembra e Akilit të drejtësisë shqiptare dhe ajo nuk do të zbardhet kurrë për aq kohë sa të jetë në pushtet sulltani i rilindjes, i cili është i vetmi kryeministër që i bën shantazh drejtësisë dhe në anën tjetër merr në mbrojtje ministrat e politikanët e korruptuar.

Vetëm ai guxon të kërcënojë organin e akuzës me spastrime, largime nga puna e pranga në një kohë kur vendi juaj dhe BE-ja kërkon nga organet ligjzbatuese shqiptare të çojnë para drejtësisë peshkaqenët e mëdhenj, ministrat e politikanët e korruptuar.

Spaku e drejtësia janë në duart e kryeministrit të korruptuar.

Ata nuk mund të bëjnë asgjë pa inkurajimin e bashkëpunimin me organet hetuese, investiguese e ligjzbatuese të SHBA- së dhe vendeve aleate të BE- së.

Znj Ambasadore!

Është koha ti hiqni Ramës mantelin e mbrojtjes dhe ti kerkoni qeverisë tuaj dhe vendeve partnere të BE- së dhe Natos një hetim të specializuar e shterrues të dosjes së Ballshit sepse aty është nyja gordiane e krimit ekonomik shtetëror.

Shqiptarët të cilët e kanë të qartë se drejtësia e tyre është peng i qeverisë dhe i politikës kanë besim tek drejtësia e SHBA- së dhe BE- së.

Mbeshtetini shqiptarët në këtë moment të trishtë znj Ambasadore Yuri Kim.

"Miku i mirë njihet në ditë të vështirë" thotë një fjalë e urtë popullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat