Opozita dhe partitë politike të ish-tre “musketierëve” të Partisë Demokratike!

Opinione

Opozita dhe partitë politike të ish-tre “musketierëve” të Partisë Demokratike!

Nga: Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më: 29 tetor 2020 Në ora: 21:57
Prof. As. Dr. Enver Bytyçi

Kisha një dilemë për të shënuar atë se çfarë përfaqëson partia e Jozefina Topallit. Por më erdhi në ndihmë sekretari i Rilindjes e gazetari Alfred Peza, i cili me sinqeritet ngazellehej në përshkrimin që i bënte "humbjes" së Lulzim Bashës dhe përçarjes së Partisë Demokratike me formimin e partisë së Jozefina Topallit.

Le të jem i qartë që në fillim. Kur Lulzim Basha nuk futi në listën e deputetëve në vitin 2017 zonjën Topalli kam shkruar gati i mllefosur kundër këti kti politik të kryetarit të PD-së. Parimisht e kam quajtur dhe e quaj të gabuar që ish-kryetaren e parlamentit ta përjashtosh nga gara. Por ndërsa sot Alfred Peza ma hoqi dilemën për të gjykuar për partinë e re të saj, asokohe ishte vetë Jozi që më çliroi nga ndjenja e keqe për mos-kandidimin e saj. Ishte dita kur doli në publik dhe bëri thirrje për të mos e votuar Partinë Demokratike, sepse sipas saj "Nuk ka më Parti Demokratike"! Zemërimi i ish-kryetares së Parlamentit shqiptar ishte i tejskajshëm, hakmarrës, me urimin që "Pa mua u shofshin të gjithë yjet e partisë, edhe vetë partia", e cila e kishte promovuar me të drejtë e për meritë, Jozefina Topallin.

Kam qenë në dilemë për Jozin dhe partinë e saj të re, sepse as sot nuk mendoj që ajo përngjan me Bamir Topin dhe partinë e tij të krijuar gjithashtu në prag zgjedhjesh në vitin 2013. Nuk ngjan edhe me mikun tim Astrit Patozi dhe partinë e Bindjes. Thosha se partia ose lëvizja për ndryshim do të ishte disi ndryshe, së paku jo e diktuar nga nevoja për para dhe interesa okulte, të cilat i garanton në këmbim të përçarjes kryeministri Rama. Por kolegu im, Alfred Peza, e kthjelloi motin, i shpërndau retë.

Krijimi i partive politike në prag fushate elektorale me mision përçarjen e një kampi ose koalicioni politik sjell gjithnjë dyshime. Kjo është e natyrshme dhe dyshimet kritike nuk kanë të bëjnë me atë, nëse dikush vihet në vijën e dikujt apo të një tjetri. Në vende si Shqipëria partitë politike krijohen për të pakësuar votuesit e partisë "mëmë", në rastin konkret të Partisë Demokratike. Edhe kjo është një aksiomë e provuar. Regjime të tilla, si ky i Edi Ramës, mbahen në pushtet jo përmes suksesit të qeverisjes, por me metodat e përçarjes. Qeveria e Berishës, e Jozit dhe Astritit gëzohej kur në PS lulëzonin parti bijëza, por kjo qeveri nuk i sponsorizonte ato. Në dallim, Edi Rama sponsorizon përçarjen në disa formate, jo vetëm përçarjen politike.

Llogaritë e pushtetit në këtë rast janë të lexueshme. Në Shkodër opozita mund të humbasë një deputet. Në rang kombëtar mund të humbasë edhe dy të tjerë. Nja dhjetë i blejnë. Tre-ose katër mazhoranca i merr me formulat e tjera ose përmes kolegjit zgjedhor. Dhe kështu e rrit artificialisht me 15-20 numrin e deputetëve, çka mund t'i garantojë mazhorancën ose t'i afrohet asaj. Në këto kushte qeverisja e dështuar me plot sukses e Edi Ramës ose merr një mandat të tretë, ose vihet në pozita të tilla mbrojtëse, sa t'i shpëtojëpërmes presionit politik ndëshkimit për krimet dhe shkeljet e rënda kushtetuese dhe ligjore në qeverisje. Në të dy rastet e fituar del qeverisja aktuale. Ndaj dhe më të drejtë unë gjykoj se krijimi i partive të reja është interes, vepër dhe akt politik i mazhorancës. Megjithatë teoremën e tillë nuk ma lanë mua që ta vërtetoj edhe në rastin e Jozit. Atë e vërtetoi spikeri i Edi Ramës, Alfred Peza.

Në të vërtetë zonja Topalli, zoti Patozi e para tyre, zoti Topi, të tre këta ish-ndihmësit dhe zëvendësit e Sali Berishës, nuk i krijuan partitë e tyre thjesht për shkak të Edi Ramës. Ambicja për pushtet brenda Partisë Demokratike ishte ngjizur që para se Lulzim Basha të vintë në krye të PD-së. Vetë Luli u pa me xhelozi kur erdhi në KOP dhe më pas në kabinetin e qeverisë Berisha. Jozefina kishte "armiqësi" edhe me Bamirin më parë në opozitë dhe me Lulzim Bashën pas ardhjes në pushtet të PD-së në vitin 2005.

Konflikti brenda PD-së u strukturua në grupime të kundërta dhe shkoi deri te moskimunikimi midis palëve. Berisha e njihte këtë situatë dhe përpiqej të ruante ekulibrat, në pamundësi për t'i dhënë goditje njërit ose tjetrit grupim. Për të ruajtur ekulibrat ai nuk mbajti anë. Në rrethana të tilla, këto dy grupime sa kohë ishte Berisha në pushtet e në krye të PD-së kishin vetëm një objektiv: Të siguronin mbështetjen e kryetarit të partisë. Por ndërsa Basha llogariti edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, Jozefina shpesh herë iu kundërvu këtij faktori. Përveç humbjes, ky ishte shkaku tjetër i dorëheqjes së Sali Berishës tri ditë pas zgjedhjeve të qershorit 2013. Ai ndjehej i lodhur me apetitet për pushtet të zëvendësve ose bashkëpunëtorëve të tij.

Dorëheqja e tij u pasua me zgjedhjen e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike. Jozefina, e para e kontestoi këtë zgjedhje, por asnjëherë nuk kontestoi votën pro Lulzim Bashës të Sali Berishës. As nuk kandidoi vetë për të ardhur në krye të PD-së. Po kështu zoti Patozi. Ndërsa zoti Topi e kishte bërë zgjedhjen e tij para se të votonte pro Edi Ramës dhe kundër Lulzim Bashës për kryetar bashkie të Tiranës.

Sot jemi në situatën kur i gjithë ky investim kundër dhe pro ka dalë në sipërfaqë dhe është konstruktuar në parti politike në kohë "kolere" (fushate) për shkaqet që i thamë. Nuk jam në gjendje të përcaktoj sa i sinqertë ishte zoti Basha kur bëri thirrje që të bashkohen të gjithë demokratët, por as nuk kam arsye të paragjykoj sinqeritetin e tij. Ndërkaq jam i bindur se lëvizja për ndryshim erdhi për shkak të "urrejtjes" që Jozefina Topalli ka akumuluar kundër kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në dallim nga dy kolegët e tjerë të saj, ish-nënkryetarë të PD-së, Jozefinën më shumë se gjithçka e ka shtyrë në aksionin e saj politik urrejtja e hakmarrja, por jo alternativa e re.

Alternativat e reja në demokraci nuk mund të vijnë nga xhaketat e vjetra. Alternativat që vijnë nga ata që janë provuar në pushtet nuk shprehin ndonjë surprizë të re. Prandaj dhe suksesi i partive që mund të krijohen nga kjo kategori politikanësh është shkëputja e disa qindra votave të miqve tanë nga votat që do të duhej të shkonin në adresë të Partisë Demokratike. Kështu do të ndodhte edhe nëse në vend të Lul Bashës do të ishte Jozefina, Bamiri apo Astriti dhe anasjelltas, Basha do të ishte në vendin e tyre. Nëse themeluesit e partive të reja, përkatësisht tre nish-nënkryetarët e Partisë Demokratike, mendojnë ndryshe, atëherë ka një mundësi për ta provuar këtë: Le të shpallin koalicionin e tyre me PD-në e opozitën aktuale dhe le të përcaktohen publikisht emadje më me ashpërsi se Lulzim Basha kundër Edi Ramës, si e keqja kryesore e shqiptarëve dhe e Shqipërisë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat