Ik Driton Selmanaj ik

Opinione

Ik Driton Selmanaj ik

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 21 nëntor 2020 Në ora: 16:37
Driton Selmanaj

Me kësi zv/kryeministër si Driton Selmanaj, Kosova edhe njëqind vjet nuk mund të bëhet shtet i vërtetë.

O Driton Selmanaj, kam dëgjuar një rrëfim rrënqethës të një nëne gjakovare, që thoshte, “kriminelët serbë u futën në oborr dhe ma rrëmbyen vajzën 15 vjeçe nga dora. U mundova ta mbroj e të mos e lëshoj, por ata ishin shumë. Gjithnjë më rrin para syve ajo skenë e llahtarshme dhe britmat e vajzës pë ndihmë, nga e cila në dorë më mbetën vetëm disa qime floku”.

O Driton Selmanaj, kush ta dha të drejtën t’i lëngosh e pezmatosh zemrat dhe ndjenjat e përvëluara të familjarëve të të pagjeturve shqiptarë në Kosovë?!

O Driton Selmanaj, a ke fiqire në kokë, a ke ndjenja njeriu, a je njeri, ç’farë mostre je, a je shqiptar apo ç’farë je?!

O Driton Selmanaj, a ke familje, a ke prindër, a ke farefis, si po sillesh kështu ore pis ?!

O Driton Selmanaj, a ke ndoj pemë në oborr ku cicërrojnë zogjtë, a të ka ndodhur ndojherë që ato zogj të mos dëgjohen më, dhe a nuk je mallëngjyer për atë cicërimë të zogjve?!

O Driton Selmanaj, a ke mbajtur ndojherë pëllumba, nëse ke mbajtur ose jo, a ke dëgjuar ndonjë pëllumbar sa është i shqetësuar kur skifteri ia rrëmbën ndonjë pëllumb nga tufa?!

O Driton Selmanaj, nuk po të thërrasim më Zv/ kryeministër, sepse ty nuk e meriton as ta përmendish Qeverinë, e jo më të jesh në kreun e Qeverisë së Kosovës.

Në WEB faqen e “Bota Sot” në rubrikën e lajmeve, të datës 19 e 20 nëntor 2020, patëm rastin të informohemi se ti duke folur për çështjen e të pagjeturve në mbledhjen e Parlamentit të Kosovës ke thnën se,” je lodhur duke dëgjuar për këto raste”.

Ndërkaq Saranda Bogujevci deputete e VV-së, përndryshe e mbijetuara e dhunës serbe ku i është vrarë tërë familja, ndërsa Saranda e plagosur rëndë fatmirësisht ka shpëtuar, deklaratës tënde i është përgjigjur se, “ e keni fyer më shumë se gjithçka tjetër”.

O Driton Selmanaj, faji është jetim dhe askush nuk e pranon lehtë, por ty O Driton Selmanaj me deklaratën tënde je fajtor e tej fajtori.

O Driton Selmanaj, sa më mban mua kujtesa, të njejtin veprin e bëre edhe kohë më parë, duke e lëshuar edhe mbledhjen me përfaqësuesit e Shoqatave për të pagjeturit e Kosovës. Edhe në atë takim e thënë këtë shprehje tejet jonjerëzore.

O Driton Selmanaj, me këto sjellje përbuzëse ndaj të pagjeturve shqiptarë të Kosovës, ti je bërë mizor si serbët.

O Driton Selmanaj, unë e kam patur shok të ngushte Mr. Ukshin Hotin, kam qenë edhe në Krushë të Madhe, kam qenë edhe në shtëpinë e Ukshin Hotit, i kam njohur edhe prindërit, vllazninë dhe motrat e Mr. Ukshin Hotit, dhe kurrën e kurrës gjersa të jem gjallë nuk mund ta harroj atë mikpritje të ngrohtë e vëllazërore në familjen e Mr. Ukshin Hotit në Krushë të Madhe.

O Driton Selmanaj, nuk ka ditë që nuk më lind shpresa se ndoshta Mr. Ukshin Hoti mbahet dikund i arrestuar në Serbi, e që nje ditë do të na kthehet shëndoshë e mirë, të na gëzojë të gjithëve që e njohim.

O Driton Selmanaj, nëse nuk e njeh, atëherë me siguri ke dëgjuar për Mr. Ukshin Hotin, i cili edhe në kushtet rigoroze të burgut u reagonte gardianëve serbë, kur vërente që gardianët e burgut e malltretonin ndonjë të burgosur, dhe për këtë reagim Mr. Ukshin Hoti dënohej me dënim vendosje në qeli të vetmidsë.

O Driton Selmanaj, e ty zotrote na qenke lodhur duke dëgjuar për personat e pagjetur.

O Driton Selmanaj, si për Mr. Ukshin Hotin, unë ndjej për të gjithë të pagjeturit shqiptarë të Kosovës. Ata janë pjesë e shpirtit tim, dhe gjithnjë mendoj e lutem për të mirën e tyre.

O Driton Selmanaj, je bërë i padurueshëm, i neveritshëm për të gjirthë ne që e duam me tërë shpirt Kosovën.

Ik o Driton Selmanaj Ik, sa më parë Ik, se nuk e meriton të ulesh në ndenjësen e atij posti. Ik sa më parë, se na e mërzite edhe këtë copë jete që kemi.

Ik o Driton Selmanaj, Ik , sepse po nuk Ike nga Qeveria, apo po nuk do të shkarkojë Avdullah Hoti, kjo Qeveri ia vë vulën vetes se të gjithë janë si zotrote, dhe ruajna zot, ruaje o Zot Kosovën nga udhëheqësit e papërgjegjshëm dhe mëndemëdhenj si zotrote.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat