Karvani i dekoratave të Metës, në Dibrën e Madhe

Opinione

Karvani i dekoratave të Metës, në Dibrën e Madhe

Nga: Alpin Ollogu Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 19:27
Alpin Ollogu

Nuk kishte si të ndodhë ndryshe, njeriu që me zë e figurë, u pa dhe dëgjua nga miliona shqiptarë anekënd trojeve shqiptare në aferë korruptive qindra milliona euroshe, të jetë në petkun e presidencës shqiptare dhe të mos e keqpërdorë e denigrojë atë petk. Keqpërdorime radhazi me dekorata e dekrete shtetësish antiligjore fytyrave kriminale, antivlerave kombëtare dhe humane, dekoratave absurde për luftëra, evenimente dhe heronj të kaluar të historisë shqiptare, në të gjallë dhe të vdekurit e tyre. Nuk kishte si të ndodhë ndryshe, që i mbijetuari i deritanishëm i një sistemi drejtësie kryekëput të korruptuar, të mos nxjerrë në pah veprimtarinë politike dhe funksionare në kundërshtim me ligjin, standartet e kërkuara për një president shteti dhe politikani të arsyeshëm

"Ilir, ti duhet ta kuptosh se nuk ka pasur para teje dhe nuk do ketë pas teje, as principatë, as monarki, as republikë në botë, që të ketë dhënë dekorata për heronjtë e luftrave të shkuara! Kjo është komedia e një marrëzie të pashoqe që të bën gazin e botës dhe të republikës sonë", shkruan kryeministri Edi Rama, për presidentin e familjes rrogëtare, por me vilë 12 tualetëshe, me 2000 m2 obor, me mobilim 400 mijë euro dhe palmat e sjellura me helikopter në gjirin e lalzit; pallati pesë katësh ne Bllok; pallati në Kodrën e Diellit; për aksionerin e kompanive të kromit dhe mermerit, llogarive rrjedhëse jashtë shtetit në Maltë, Qipro, Angli dhe zonat offshore, presidentit të korporatës së tij, LSI-së.

Karvani i dekoratave tragji-komike të presidentit Ilir Meta, kësaj radhe u ndal në Dibër, në Dibrën e Madhe të Maqedonisë së Veriut. Edhe në këtë qytet president i dha dhe kujt nuk i dha dekorata e bëri nderime shtetërore për ngjarje historike, apo dekoroi disa prej figurave në të gjallë e në të vdekur, sipas vlerësimit të florinjtë presidencial, disa prej heronjve, disa prej hajdutëve e disa prej figurave e subjekteve preferenciale, që i kanë kënduar në dehje e sipër, “patriotizma e merita” veshit të tij të florinjtë.

Eksporti i dekoratave, i dekreteve të shtetësive e nderimeve, heronjve të luftës apo kriminelëve të ndryshëm, jashtë Shqipërisë dhe brenda saj, nuk e shpëton dot zotëri Ilir Metën nga drejtësia, disfata elektorale e korporatës së tij politike dhe vendi që historia e së vërtetës rezervon për njerëz të tillë. Ashtu siç nuk shpëtohen dot nga turpi dhe vendi i meritur shoqëror e kombëtar, disa prej të dekoruarve të tij, të sponzorizuar. Aq më shumë, heronjtë dhe evenimentet e kaluara historike i vlerëson historia, ata nuk kanë nevojë për dekorata, për diferencime dekorimesh në mënyrë abuzive. “Kështu siç ka nisur, (Iliri Meta) do ta dekorojë Skënderbeun me urdhërin e Nënë Terezës. Nuk kemi të drejtë të tallemi me heronjtë”, i shkruan përsëri Edi Rama, presidentit, që për ironi të fatit, e solli në atë detyrë të rëndësishme.

Dikush mund të thotë që ne nuk duhet të ngatërrohemi në punët e brendshme politike shtetërore të Shqipërisë, se ne duhet ta shohim zotëri presidentin, dekorimet dhe dekretet e tij, vetëm në këndvështrimin e presidencës shqiptare, dhe nuk mund të analizojmë veprimet dhe prapavijat e tyre elektorale e pasurore. Ata që mund ta mendojnë këtë jane në lajthitje të plotë, apo e thonë qëllimisht për të mbuluar të vërtetën e gjërave. Ёshtë interesi jonë kombëtar mbarë-shqiptar ta themi të vërtetën, atë që ne gjykojmë si të vërtetë dhe të marrim pozicionin e duhur për ta përkrahur dhe për të demaskuar një president i cili vetëm punën e president nuk bën. Zotëri Meta duhet të dijë se eksporti i vërtetë i dekoratave dhe nderimeve që një burrë-shtetas i Shqipërisë mund t’ju bëjë shqiptarëve të Dibrës së Madhe dhe Maqedonisë se veriut, patriotizmi i vërtëtë, janë punët konkrete si Rruga e Arbërit, Platforma shqiptare e Tiranës, vetingu në sistemin e drejtësisë, që zhvatësve të pasurisve publike dhe shkaktareve të mjerimit shoqëror shqiptar, t’ju tregojë vendin e merituar, për të pasur një shtet amë të fuqishëm. Janë ata punë që veprimtaria e presidencës shqiptarë i pengon natën dhe ditën, sepse ka frikë nga drejtësia elektorale dhe drejtësia e sistemit të pastër të drejtësisë.

Ta marrësh si të mirëqenë këtë President, duke abuzuar me pozitën, ti aprovosh tërrthorazi politikat e tij destruktive në shtetin shqiptar, në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën, për të penguar rrugën e zhvilimit të shtetit, vetëm për hir të mantelit të presidentit, është hipokrizi e dukshme e atyre që mund ta mendojnë këtë. Abuzimi me titujt si “qytar nderi i qytetit” ndodh edhe nga komunat të cilat nderojnë personalitete që s’kanë asnjë kontribut për qytetin, për më shumë, njihen për veprimtari korruptive. Apo mos ndoshta komunat këtë e shohin si aktivitet për t’ju hedhur hi syve të qytetarëve, para të cilëve duhet të japin llogari dhe duhet të punojnë konform programit me të cilin garojnë në zgjedhje. Se tani kjo puna e dekoratave dhe nderimeve ka kaluar në virus administrativ, sikur ju jep kënaqesi të ndërsjellë elementeve negative, “pazari i Korçës”, mund ta përshkruaj dikush tjetër.

Prandaj së fundmi, në lidhje me dekretet dhe titujt, shumica parlamentare në shtetin shqiptar, ka filluar përgatitjet për ndërhyrjet në ligjin e kompetencave të presidentit. Sipas përfaqësuesit të zonës së Dibrës, dibranit Ulsi Manja, që drejtoi Komisionin hetimor që u ngrit për shkarkimin e kreut te shtetit Shqiptar, “Ligji duhet të përcaktojë saktësisht se si e ushtron Presidenti këtë kompetencë, kush e sjell propozimin për dhënien e deklaratave dhe titujve” – thotë Manja. Aktualisht ligji nuk e normatizon këtë kompetencë, ligjvënësit nuk e kanë parashikur ndonjëherë se mund të vijë në kreun e shtetit figurë si Iliri Meta, që ta shndërrojë presidencën në korporatë dekoratash e dekretesh, për interesa personalë dhe elektorale, andaj duhet ndaluar çmenduria me ligj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat