A është Vetëvendosje komuniste, revolucionare? A i duhet Kosovës revolucioni?

Opinione

A është Vetëvendosje komuniste, revolucionare? A i duhet Kosovës revolucioni?

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 6 dhjetor 2020 Në ora: 18:23
VV

1.
Ta etiketojnë si "komuniste" e, rrjedhimisht edhe revolucionare Vetëvendosjen kemi dëgjuar shumë herë. Së fundit e bëri këtë në disa raste Zafir Berisha, i cili sigurisht se i njeh mirë teoritë politike, më herët disi ngjashëm Ramiz Kelmendi, siç edhe i takon nga pozita e tij "klasore" dhe shumë të tjerë para tyre. Etiketa "komuniste" sikur është rezervuar për këtë parti.

Por, për çudi, komunistët e "vërtetë" nuk e njohin të tillë! Mbase ata do të duhej ta dinë më së miri, apo?!

Po cilët janë këta "komunistë të vërtetë" do të pyeteni, a nuk kanë shkuar ata në deponinë e hedhurinave të historisë?

Epo, ja që ekzistojnë, i kanë ripërtërirë radhët dhe janë të tubuar rreth organizatës rajonale me emër Organizata socialiste revolucionare Marks21.

Dhe nuk do të quheshin të tillë, sikur të mos kishin qëllim kryesor "transformimin revolucionar të shoqërisë dhe krijimin e shtetit të punëtorëve si hap drejt krijimit të shoqërisë së pa klasa dhe komunizmit botëror".

Me Vetëvendosjen janë marrë, për shkak se edhe Kosovën e shohin në vizionin e tyre të "federatës socialiste ballkanike", e cila s'ka si të krijohet ndryshe pose "nëpërmjet luftës së përbashkët të popujve të Ballkanit, si bashkësi e republikave punëtore, e cila do të ishte në masë të mjaftueshme e fuqishme dhe e vetëmjaftueshme që t'i rezistojë presionit të fuqive imperialiste dhe mbetjeve të elementeve nacionaliste në mesin e anëtarëve të saj". Rrjedhimisht, janë "kundër implikimit të fuqive imperialiste të Perëndimit e të Linjdes dhe klientëve të tyre nacionalistë nga radhët e klasave sunduese, të cilat gjatë tërë historisë së regjionit tonë kanë qenë pengesa kryesore e jetës së përbashkët në paqe të të gjithë popujve të Ballkanit". Njohja e Kosovës, prandaj, do të bëhej "me kusht të tërheqjes së trupave të NATO-s nga Kosova dhe çlirimi i vërtetë i popullit të saj, dhe garancia se Kosova e Serbia do të jenë zona të lira nga implikimi i NATO-s dhe interferimeve tjera imperialiste".

Pak a shumë, utopia a distopia e tyre ngjan me atë të partive të majta të fillimit të shekullit të njëzetë me parullën "Ballkani ballkanasve" (e cila, në të vërtetë do të thotë Ballkanin serbëve!) apo të komunistëve jugosllavë në kohën e Luftës së dytë botërore, të cilët Kosovës i premtonin deklarim të lirë rreth bashkimit me Shqipërinë, por e treguan natyrën e vërtetë të tyre pasi e morën pushtetin.  
Në një artikull të botuar në korrik të vitit 2018, me titull pompoz "Vetëvendosje e Kosovës: Kundër irredentizmit serb, kundër imperializmit të NATO-s", pasi theksohet se "implikimi imperialist në zhvillimin politik të popullit shqiptar ka traditë të gjatë" dhe, me gjasë, për të na e ledhatuar sedrën revolucionare, shton se e tillë është "edhe tradita e gjatë e rezistencës ndaj kësaj përzierjeje". Në kërkim të aleatit të tyre në Kosovë, prandaj, sytë i kanë në Vetëvendosjen, "të cilën e udhëheq Albin Kurti, i cili angazhohet për ndërprerjen e përzierjes së faktorit të jashtëm në Kosovë".  

Duhet theksuar se, në këtë nxitim kanë bërë edhe një gabim. Për liderin e Vetëvendosjes thuhet se "kërkon tërheqjen e UNMIK-ut, EULEX-it, KFOR-it dhe trupave tjera të huaja në Kosovës, dhe haptas flet për atë se Kosova paraqet protektorat të KFOR-it". Me sa dimë, kjo nuk është e vërtetë, sepse Albin Kurti ka qenë kundër UNMIK-ut, por jo edhe ndaj KFOR-it dhe tërheqjen e tij nga Kosova nuk e ka kërkuar asnjëherë.

Megjithatë, për zhgënjimin e Zafirit e të shokëve të tij, kjo organizatë nuk e njeh edhe për komuniste Vetëvendosjen. Atyre u duket duket e papranueshme për partinë kosovare që, siç thuhet, "më së shpeshti nuk është imune ndaj nacionalizmit, ndërsa retorika e saj është e tillë që në mënyrë implicite jep të përfundohet se do t'i mbështesnin fuqitë e mëdha në rast se to do të pozicionoheshin më me vendosmëri kundër Serbisë".

Artikulli tjetër, i huazuar nga portali majtist "Lefteast" 18/10/2019 me titull "Mes mundësisë e oportunizmit: Vetëvendosje në prag të pushtetit pas zgjedhjeve të Kosovës", për këtë parti thuhet se, ndonëse i kundërvëhet administratës kolonialiste të cilën në Kosovë e zbatojnë UNMIK-u dhe EULEX-i dhe nuk pajtohet me kurrëfarë zgjidhjeje kompromisi me Serbinë". Duke i shqyrtuar mundësitë se si do të pozicionohet Vetëvendosje pasi të jetë në pushtet dhe duhet të jetë "e përgjegjshme", gati se me rezignatë konstatojën se ajo "do të përpiqet të harmonizohet me dëshira te Bashkimit Evropian - të cilat nuk paraqesin aleat të besueshëm për vetëvendosje të vërtetë".

Të dëshpëruar se nuk mund të mbështeten në Vetëvendosjen, ata mendojnë se, e vetmja mundësi që "ngritja e një organizate marksiste revolucionare në Kosovë, e cila do të mund t'i ofronte orientimin teorik e strategjik popullit të atjeshëm në këtë luftë, bëhet detyrë afatshkrtër", prandaj obligohen që "me resurset e përvojën modeste" që kanë "të mbështesin të gjitha përpjekjet në këtë drejtim".

Le t'i lëmë përrallat. Vetëvendosje është e tillë çfarë shkruan në dokumentet e saj programore. E në to ka edhe Evropë, edhe të drejta e liri të njeriut, edhe pronë private e shtetërore, shtet të se drejtës, edhe gjithçka tjetër që është karakteristike për demokracinë liberale çfarë e njohim, si dhe përcaktim për aderimin e Kosovës në organizatat mbikombëtare të botës demokratike (NATO, BE, etj.).
Një analizë e hollësishme - të cilën, meqë e ka nisur, me kapacitetin intelektual që e ka, mbase do të ishte mirë ta bëjë partia e Zafir Berishës! -  nuk dihet se cilën parti, për shembull, nga aspekti i demokracisë së brendshme, do ta nxirrte më "komuniste"! Vetë praktika e etiketimit, më shumë i ngjan "agitpropit" komunist, për të përfituar mbështetje duke e frikësuar popullin, se sa partive moderne, të cilat elektoratin e përfitojnë me programe dhe me realizimin e atyre programeve.

Dhe, të mos harrojmë: një analizë e mirë nuk dihet a do ta nxirte, meqë e përmendem, Ramiz Kelmendin kapitalist a - tajkun!

2.

Por, a i duhet Kosovës revolucioni?

Tashmë është bërë shprehi që të quhet revolucion kurdo që një regjim autoritar, i korruptuar e i cili i kufizon të drejtat qytetare rrëzohet nga qindra e  mijëra qytetarë, të cilët protestojnë në rrugë. Këso "revolucionesh" shohim shpesh, si për shembull kur rumunët e rrëzojnë qeverinë për shkak të korrupsionit, apo edhe maqedonasit pas të ashtuquajturave "bomba" të Zaevit. Edhe Kosova, e zhytur në korrupsionin e gjeneruar nga qeveria, ka pasur arsye që ta rrëzojë kështu qeverinë shumë herë deri më tash, por qytetarët e saj nuk e kanë bërë dhe pse kjo nuk ka ndodhur nevojitet një analizë më e gjerë.

Por, këto edhe në fakt nuk mund të quhen revolucione. Sipas teorisë, revolucion quhen vetëm ato ndryshime me të cilat ndryshojnë sistemin vleror normativ dhe krijojnë një rend të ri, për çka nevojitet edhe një kushtetutë e re.

Kosova e ka Kushtetutën e ligjet liberale, prandaj për revolucion në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk ka nevojë. Por, me gjendjen çfarë është në Kosovë, me shtetin partiak, me institucione të kapura të drejtësisë e të rendit, me abuzimet e qeverisë, me korrupsionin, klientelizimin e nepotizmin - do të ketë efekt revolucionar ndryshimi i kësaj praktike.

Për një "revolucion" të tillë Kosova ka nevojë. Madje është vonuar!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat