MASH-i, në RMV më tepër tenton të jetë i rëndësishëm, sesa i dobishëm!

Opinione

MASH-i, në RMV më tepër tenton të jetë i rëndësishëm, sesa i dobishëm!

Nga: Mehdi Memeti Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 17:50
Mehdi Memeti

Pavarësisht se me të madhe, flitet e përflitet për një arsim cilësor, ne në këtë milenium të ri, plot tri dekada, fatkeqësisht vetëm vendnumërojmë!

Vërtet, dominon një mbingarkim pedagogjik, psikologjik dhe social. Desha t`i qasem këtij problemi duke ngritur disa hipoteza duke shpresuar se me to do të pajtohemi të gjithë?

1. Sa i kemi studiuar tekstet shkollore nga klasa e I-IX-të për këto tri dekada! Tekstet mësimore, a u përshtaten normave bashkëkohore metodike e didaktike dhe në çfarë shkalle përpilohen tekstet shkollore për nga ndërlikimi dhe pesha e përmbajtjeve të tyre.

2. Sa e kemi perceptuar vëllimin e përmbajtjeve sipas lëndëve mësimore, sipas klasave nëpër shkolla !

3. Kohën që harxhojnë fëmijët tanë në shkollë (mësim gjysmë ditor dhe a mund t`i kryejnë detyrimet tjera që kërkohen nga shkollat, BZHA dhe MASH-i !

4. Si qëndron puna me bibliotekat shkollore, revistat shkollore, etj. !

Për mbingarkesën e cila ka një histori të gjatë, kanë shkruar pedagogë eminentë, si të huaj ashtu edhe tanët, që nga Egjipti i Lashtë, Greqia Antike, Roma etj.

Mbingarkimi nuk qëndron vetëm te nxënësit nëpër shkolla, por qëndron edhe te vet shkollat dhe arsimtarët. Në lidhje me këtë po parashtroj këto pyetje;

- Sa i plotësojnë shkollat tona kushtet për mësim, veçanërisht objektet shkollore? A nuk janë uniforme! A nuk duhet kritikuar këtë!

- A nuk duhet kritikuar kërkesat e pafundme të institucioneve arsimore duke filluar nga MASH-i , BZHA, IA (Inspektorati i Arsimit), QPSH (Qendra e Provimeve Shtetërore), Komunat, për vet faktin se shkollat si institucione edukativo-arsimore, punojnë sipas vitit shkollor, e jo sipas vitit kalendarik dhe dallojnë dukshëm nga institucionet tjera shtetërore!

Secilit që i kujtohet në dikasteret e tyre dërgojnë porosi elektronike, me tabela të ndryshëm statistikore, urdhëresa, kërkesa të pafundme…duke mos konsideruar fare atë se shkollat ua dërgojnë programet e tyre në fillim të vitit shkollor, të gjitha institucioneve të lartpërmendura dhe aty i kanë të dhënat e sakta rreth numrit të nxënësve, strukturës së kuadrit arsimor, planit aksional, planit zhvillimor, programeve të veçanta nga aktiviteteve të lira, MP, MSH, programet për drejtorët, ndihmës drejtorët, bashkëpunëtorët profesionalë (pedagog, psikolog, sociolog, defektolog etj.). Të gjitha të dhënat, vlerësojmë se i kanë pranuar edhe në formë elektronike, po vallë i kanë hapur ndonjëherë?

Punonjësit arsimorë në vend se të merren drejtpërdrejtë me nxënësit, merren me letra dhe jo rastësisht në opinionin e gjerë flitet me të madhe se shkollat janë shndërruar në “Papirologji”!

- A nuk duhet kritikuar mënyrën e shpalljes së konkurseve, që hapen në nëntor-dhjetor ! çfarë absurdi ! Kujt i shërben kjo !

Mendojmë dhe vlerësojmë se konkurset duhet të hapen pasi përfundon viti shkollor, korrik-gusht, dhe më 1 shtator shkollat të startojnë me punë, duke i plotësuar vendet e punës në kohë të duhur, sepse siç thotë fjala e popullit ”Dita e mirë shihet që në mëngjes”

Gjatë pushimeve verore, dimërore pse jo edhe gjatë tërë vitit duhet të organizohen seminare, të cilat vërtetë do t’i kontribuojnë arsimit, por jo kur t’i kujtohet dhe si t’i kujtohet dikujt, shkel e shko, merr certifikata pa vlerë dhe pa e kuptuar fare seminarin me deseminime të përshpejtuara etj. Kështu, me forma të këtilla dhe përshpejtime nuk bëjmë ngritje profesionale rreth kompetencave të arsimtarëve, por përkundrazi dëmtojmë vet sistemin arsimor.

- A nuk duhet kritikuar ligjet e arsimit për të cilat mendojmë se nuk ka nen apo dispozitë ligjore që nuk ka mangësi, përveç ndonjë përjashtimi të vogël prej A deri në ZH. Duke filluar nga ushqimi i fëmijëve, formimin e numrit optimal të paraleleve, rregullsia e nxënësve në shkollë, ngarkesa me fond orësh dhe lëndësh, shkollat e mesme, dëftesat, notimin e nxënësve, kompetencat e drejtorëve, bashkëpunëtorëve profesionalë, të drejtat e punëtorëve, pagat e tyre, ngarkesa administrative e arsimtarëve, mungesë bashkëpunëtorësh profesionalë (psikolog, sociolog, defektolog, bibliotekist etj. pse jo edhe mjek). Drejtorët e shkollave assesi të mos emërohen nga politika, si të përkëdhelurit e kryetarëve të komunave, ushtarë të dëgjueshëm të tyre partiakë, sepse jemi më se të bindur se nuk do të kemi arsim cilësor asnjëherë edhe 30 vite tjera…Ka forma dhe metoda tjera sesi duhet të zgjidhen ata, por fatkeqësisht mungon vullneti i tillë …Bashkëpunëtorët profesionalë duhet të kenë status tjetër nëpër shkolla dhe të jenë tërësisht të pavarur nga shkollat, fatkeqësisht as kjo nuk po ndodh...

Ajo, që bie në sy më së shumti vendimi i fundit nga MASH-i, mbështetur nga gjykata kushtetuese, se në arsim duhet të pranohen ata me notë mesatare më të lartë që, de jure, zë vend, sepse këto janë standard evropiane, por de fakto jo të gjithë jemi koshientë të situatës politike në vend, e dimë të gjithë sesi i marrin notat fëmijët e funksionarëve, e si i marrin ata të masës së gjerë popullore dhe sipas kësaj logjike ata me notë mesatare më të vogël duhet të ngelin të papunë deri në fund të jetës së tyre!

Këto vështrime kritike, le të merren si kritikë, si sugjerim apo si këshillë si do që të jetë, Qeveria, MASH-i, gjithë kompetentët arsimorë, le ta pranojnë si normale për ta zbutur sado pak mbingarkimin nëpër shkolla, t`i iket metodologjisë së deritanishme, aq më pak politikës për tri dekada me radhë. Dukuritë e sipërpërmendura gjithsesi se shkaktojnë mbingarkesë. MASH-i, mos tentojë të jetë i rëndësishëm, por sa më i dobishëm.

Shoqërisë i duhet një organizim më cilësor rreth shkollave, siç do të thoshte Xh.Djui:”Arsimi është zhvillim, përgatitje për jetë, proces shoqëror, arsimi është vet jeta”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat