Çka nuk tha Enver Hoxhaj i PDK-së

Opinione

Çka nuk tha Enver Hoxhaj i PDK-së

Flamur Radoniqi Nga Flamur Radoniqi Më 23 dhjetor 2020 Në ora: 08:22
Enver Hoxhaj

Si reagim ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila “de fakto” dhe “de jure” e shpalli qeverinë e Avdullah Hotit se jolegjitime, partitë e mëdha dhe të vogla dolën para qytetarëve me konferencat e tyre për media.

Nuk dua të ndalem te opinionet e asnjë partie të dytë apo më poshtë, përpos asaj të PDK-së. Kjo nga fakti se ato tjerat janë demaskuar tmerrshëm dhe çkado që ato kishin me thënë, do të ishin të kota. Imazhi i tyre më nuk riparohet me një konferencë dhe me premtime boshe si “Beso”, “100% shtet”, “Pragu kalohet” etj. Ato, siç dontë thoshte Driton Selmanaj, janë ezauruar.

Mos të keqkuptohemi, nuk riparohet as imazhi banditesk i PDK-së si parti, me përjashtim të individëve dhe profesionistëve që i kanë shërbyer me dinjitet subjektit të tyre, pra edhe shtetit. Por ja që unë dua të jem njëri prej atyre që reagojnë ndaj hipokrizisë dhe oportunizmit të Enver Hoxhaj në veçanti, dhe PDK-së së tanishme në përgjithësi që t’i kthejnë ngjarjet e fundit në dobi të tyre.

Të fillojmë nga e para:

Zt. Hoxhaj fillon duke thënë se PDK e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë zgjedhjeve të reja. Kjo hipokrizi nuk qëndron, për faktin se PDK lirisht ka mund të nënshkruajë mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti, të inicuar nga LVV dhe ta dërgoj vendin në zgjedhje. Oportunizmi i tyre vie në pah me faktin se ata tani mundohen që të kthejnë / ruajnë pak kredibilitet duke e “përqafuar” vendimin e drejtë nga Gjykata Kushtetuese. Tani, pas një konference 30 minutëshe, PDK disi deshti që ata të duken si parti që ishin në anën e drejtë. JO.

Sipas logjikës së Zt. Hoxhaj, kriza politike në vend paska filluar vetëm nga 6 Tetori i vitit 2019, incidentalisht, nga data kur ata dhe tëra partitë tjera të stërvjetruara, e kuptuan që më nuk kanë se si ta gënjejnë qytetarin e Kosovës me gënjeshtrat dhe premtimet parazgjedhore. Çka zt. Hoxhaj nuk përmend, janë plot 20 vjet që nga paslufta, kur personalitetet e, çka dihet sot si PDK, kishin filluar t’i fusnin kthetrat e tyre thellë në rrënjët e çdo sfere shtetërore të Kosovës së para dhe sidomos pas pavarësisë. E vërteta për këtë pohim është fakti se Hashim Thaçi dhe njerëzit rreth tij ishin pjesë e çdo procesi qysh me 1999. Zt. Hoxhaj dëshiron që ne ta kuptojmë se degradimi i shtetit ndodhi vetëm gjatë 14 muajve të fundit, kur JO.

Kur flet për “mosmbajtjen e premtimeve”, zt. Hoxha dështon të tregoj se arsyeja pse premtimet nga 6 Tetori nuk u realizuan ishte pikërisht ndërrimi 180 shkallësh i LDK-së së Isa Mustafës, të influencuar (apo shantazhuar) nga Hashim Thaçi. Në atë çasje PDK, AAK, Nisma dhe AKR u futën me plot zell, vetëm nga frika e përbashkët nga ballafaqimi me drejtësinë që do të vinte, si rezultat i të pabërave të tyre kolektive. Edhe njëherë, zt. Hoxhaj dhe e tërë PDK, duan që ne të besojmë se hallet e Kosovës dhe qytetarëve të saj filluan me 6 Tetor, 2019. JO. 

Në vazhdim, gjithnjë duke iu referuar 14 muajve të fundit, zt. Hoxhaj thotë që qytetarët nuk e kanë merituar zhytjen në varfëri dhe humbjen e vendeve të punës. Thua ti që PDK e tyre ishte vetëm monituruese e kontratave fatale që sollën në falimentim ndërmarrjet publike. Thua ti që ato terminale doganore i morrën LVV (pra edhe partneri 50;ditësh, LDK) gjatë periudhës 3 Shkurt - 25 Mars, 2020 dhe disi e tërë Kosova ia pa sherrin qysh prej 1999. Thua ti që “Pronto” nuk kishte ndodhë. Thua ti që tokat nuk u ishin japur “komandantëve” me nga 1€ / ari gjatë kohës kur qeverisjet e 20 viteve paraprake u bënë nga PDK - LDK - AAK - Nisma dhe AKR. JO.

Zt. Hoxhaj vazhdon “t’i bindë” mediat dhe qytetarët se raporti i BQK-së për 7.2% të rënjes ekonomike të Kosovës, fajtor jane dy qeveritë e fundit. Atë që nuk e thotë zt.Hoxhaj si politikan po ua them unë si profesionist financiar. Ndryshimi i GDP (Bruto prodhimi vendor) gjatë këtij viti ka qenë evident në shtetet më të zhvilluara në botë. Por, atë që ai qëllimisht nuk e thotë, sepse e inkriminon partinë e tij, është fakti se megjithatë bizneset dhe qytetarët në vendet e zhvilluara demokratike e kanë mbështetjen e shtetit 100%. Ajo mbështetje nuk është e mundur në vendet ku sistemi ekonomik dhe ai financiar ka shërbyer për nje grusht njerëzisht e jo për popullatën dhe bizneset private. E mu ky sistem i shoshitur i Kosovës është rezultat i keqmenaxhimit gati dy dekadash të cilin zt. Hoxhaj e cilëson vetëm si pasojë e 14 muajve të fundit. JO.

Në vazhdim, zt. Hoxhaj (do ta kaploj lemza tash), vazhdon të thotë se në 14 muajt e fundit, dy qeveritë e kaluara nuk kishin çasje shtetërore por e trajtonin Kosovën si protektorat ndërmombëtar. Huqje interesante kur dihet se në një formë apo tjetrën, ishin mu partitë e stërvjetruara që “bashkëqeverisnin” me UNMIK-un kur Kosova ishte protektorat ndërkombëtar. Ishte mu ajo kohë kur vet ata abuzuan me çdo resurs të shtetit. Tash ata duan që ato t’ia aludojnë 14 muajve të fundit. JO.

Zt Hoxhaj vazhdon me josinqeritetin dhe demagogjinë e tij duke thënë që dy qeveritë e kaluara abuzuan me vullnetin e qytetarëve për interesa personale dhe partiake. Vëreni se si po i futë në një kosh LDK dhe LVV, dhe nuk po i përmend bashkëqeverisjet e kaluara. Tani kur më nuk ka gjasa që të bëhet një pazar me LDK- në për postin e Presidentit, zt. Hoxhaj do të donte që ne t’i besojmë se pazaret e tyre për Presidentin nuk ishin interesa vetjake të tij apo partiake të PDK- së. Intervistat e shumta të zyrtarëve të tyre gjatë 2 muajve të fundit kur thonin që për PDK-në është i pranueshëm vetëm kandidati i tyre për president, dhe se “dy poste qeveritare për PDK janë nënçmim”, e demantojnë këtë, pra JO.

Problemet tona politike dhe institucionale nuk vijnë domosdoshmërisht vetëm nga mosrespektimi i ligjit, edhe pse edhe kjo përbën një pjesë të madhe të problemit,

Ajo çka i bën këto probleme të vazhdueshme dhe të pafundme, është fakti se partitë sikur PDK e Enver Hoxhaj-t, e trashëguar nga ajo e zt. Veseli, e trashëguar nga ajo e zt. Thaçi, mendojnë që çdo qeverisje pa ata është katastrofale për Kosovën. Këto parti, përfshirë LDK dhe AAK, e mendojnë si trashegimi nevojën e tyre që të qeverisin. Dhe aty fillon problemi. Ata gjatë 21 viteve kanë treguar se qeverisja e tyre nuk duhet të përcillet me përgjegjësi individuale apo partiake. Për ata qeverisja, dhe me të edhe çasja në resurset e shtetit (bordet, buxheti, tenderët) është primare, e jo edhe (mos)suksesi i qeverisjes. 

Kur mohohet vullneti i shumicës, qoftë përmes grushtetit të orkestruar të aleatëve të deridjeshëm, qoftë me ndihmën e institucioneve të kontrolluara prej vitesh nga po të njëjtit; rezultati i vetëm i mundshëm është mosbindja qytetare ndaj dokrrave që ata i servojnë.

Kjo u pa me 6 Tetor 2019, dhe po duket do të shihet edhe më furishëm në fillim të vitit 2021.

Maskat kanë ra, dhe tash secili e shet fytyrën, moralin dhe dedikimin e vet, ose ajo çka ka mbetë prej tyre.

Qytetari e jep verdiktin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat