Kosovën s’ka kush ta përshkruajë!

Opinione

Kosovën s’ka kush ta përshkruajë!

Nga: Dush Gashi Më: 29 janar 2021 Në ora: 10:12
Dush Gashi

Lufta e UÇK-së, Amerika, Rugova, Demaçi, "selame" Vuçiqit, akuza e etiketime për njëri-tjetrin - të gjitha këto, me sa po shoh nga titujt në portale, janë përmendur në fushatë dhe në debatet për zgjedhjet e 14 shkurtit. Por, askund nuk po shoh të jetë trajtuar problemi më i madh i këtij vendi, i cili do të duhej të jetë priroritet i parë për t'u tejkaluar i çdo qeverie të ardhshme - korrupsioni. Dhe, askush nuk po e shtron si çështje si është e mundur që ne, në Indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2020 të Transparency International-it jemi më keq se Serbia!

E lexuat mirë: Më keq se Serbia! Dhe, a e di kush se çfarë është Serbia e sodit? Ja se si duket ajo, e parë me sytë e njërit prej kolumnistëve më të mirë të rajonit: Serbia është "njëri prej vendeve më të varfra e më të prapambetura të Evropës, në të cilën sundon psikopati arrogant e vetë-vajtues Aleksandar Vuçiq, në pashallëkun pakthyeshëm të dështuar e të korruptuar në të cilin pa anëtarësim në Partinë progresiste serbe nuk mund të marrësh as udhëzim për të dentisti, e lëre më kontratë biznesi me shtetin... (...) shtet në të cilin Beogradi si kryeqytet grimohet me fontana shumëngjyrëshe, monumente madhështore dhe kulla xhami të ndritshme, ndërsa pjesa tjetër e Serbisë së Madhe kërkon viza për jashtë vendit (...) drejtësia shërben për të mbuluar korrupsionin dhe krimin e organizuar, çdo mafioz i ndyrë nga ndonjë klan i Surçinit ka librezë anëtarësie të Partisë progresiste Serbe, ndërsa të varfërit që mbijetuan jetojnë në strofka me lagështi dhe shikojnë TV-në Pink..."

Sigurisht, të dy vendet kanë specifika të ndryshme, të cilat i bëjnë të pakrahasueshme, por megjithatë krahasohen për nga shteti partiak, oligarkët e liderët autoritarë e nga niveli i korrupsionit dhe, për fatin tonë të zi, në këtë të fundit, dëshmuar me matje objektive - ne qëndrojmë më keq! Pse në parafytyrimin tonë Kosovën nuk e shohim me sy të tillë ndoshta ndodh vetëm pse nuk kemi një kolumnist kaq elokuent si ky i cituari, ndërsa nga ana tjetër kemi një "TV Pink" të paguar me paratë e qytetarëve, i cili ruana zot se i shtron temat më djegëse të vendit, dhe televizione tjera të fuqishme (të cilëve në mënyrë eksponenciale ua shton fuqinë marrëzia jonë), si ai i Berat Buzhalës, i cili thoshte para do dite se për nga niveli i demokracisë qëndrojmë më mirë se Serbia! Epo ja se nuk qëndrojmë! Një shtet i korruptuar, me liderë autoritarë e me drejtësi të kapur - nuk mund të jetë edhe demokratik!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat