Populizmi dhe politikanët populistë

Opinione

Populizmi dhe politikanët populistë

Nga: Lekë Imeraj Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 13:51
Lekë Imeraj

Populizëm, do të thotë afrim, lidhje me popullin (popullor). Kjo fjalë vjen nga latinishtja, nga fjala populus, që në shqip, do të thotë popull.

Nëse një politikan, është afër popullit, i shkrirë me popullin, gju më gju me popullin, mendohet populist (popullor). Teorikisht, një sjellje e tillë e politikanëve, mendohet gjë pozitive. Të gjendesh në mes të popullit, të shkrihesh me popullin, për të njohur problemet e tij dhe t’i përkushtohesh zgjidhjeve të tyre, nuk ka më mirë.

Në fakt, kjo është detyra e politikanëve.

Nëse ka akoma politikanë të tillë!?

Kjo është çështja.

Meqënse ka shumë pak të tillë, ose hiç fare, fjala populist, ka marrë një kuptim tjetër, “mashtrues”.

Thuajse të gjithë politikanët, vazhdimisht, por më së shumti në fushata elektorale, shkojnë tek populli, ulen gju më gju me popullin dhe premtojnë gjëra të cilat nuk mund të realizohen dhe as që mund të bëhen kurrë realitet. Premtojnë utopizma.

Një sjellje e tillë është aktrim i politikanëve sharlatanë, për të fituar besimin dhe konsideratën e masave. Ky është populizëm.

E dinë ata një gjë të tillë, se po e mashtrojnë popullin?

Po, e dinë shumë mirë dhe e bëjnë me vetëdije të plotë.

Politikanët, në premtimet dhe propagandën e tyre, sidomos gjatë fushatës elektorale, duket se mbështeten në principin e Hitlerit, i cili thoshte:

“Për politikanin, nuk ka rëndësi çfarë thotë, nëse thotë të vërteta apo gënjeshtra. Rëndësi ka që, ato që i thotë, t’i thotë fort, më zë të lartë dhe t’i përserisë disa herë, derisa njerëzit t’i marrin për të vërteta. Në fund fare, askush nuk është në gjendje të vërtetojë, nëse thotë të vërteta apo gënjeshtra”.

Politikanët janë vetëmbrojtur mirë me ligje, nga ligji. Ata nuk mbajnë përgjegjësi për mosrealizimin e premtimeve të tyre, as për mendimin e tyre.

Atyre u intereson “peshkimi” i votave dhe flasin “me gojën e popullit”.

Politikani populist, për probleme të veçanta, për ato që janë më të ndjeshme për popullin, premton shumë zgjidhje. Premtimet e tij, megjithëse janë vetëm utopi, tingëllojnë bukur në veshin e popullit. Turmat entuziazmohen dhe turren pas tij. Zakonisht, turren pas atij që premton më shumë.

Populistët,e njohin mirë artin e propagandës trushpërlarëse. Në fushata elektorale, ata, krahas “kulaçit” premtojnë edhe “kërbaçin”. “Kulaçin” për popullin, “kërbaçin” për armiqtë e popullit.

Populistët, me qëllim që të bashkojnë sa më shumë njerëz rreth vetes, ia fusin frikën popullit. Sajojnë armiqtë e popullit, “ferrin” dhe fillojnë luftën kundër tij. Kjo me qëllim për të marrë përsipër rolin e shpëtimtarit.

Votat, votat, u duhen votat, jo e vërteta.

Populistët ngjallin debate për gjëra fare të parëndësishme, edhe për ato gjëra që nuk ekzistojnë.

Ata përmbysin historinë, identitetin dhe dinjitetin e kombit. Rivrasin të rënët, figurat e shquara të kombit, dhe ringjallin armiqtë, terroristët e popullit. Merren me “llomotitje bizantine”. Ata prodhojnë intriga dhe shpifje të pafundme për kundërshtarët e tyre. Nuk iu interesojnë provat, dhe aq më pak, vërtetimi i provave.

Populistët kanë shumë fytyra, por zakonisht grupohen në dy grupime të mëdha: në populistë të djathtë, dhe në populistë të majtë.

Populistët e djathtë shquhen si nacionalistë. Janë për kulturën nacionale dhe kundër kulturave të huaja. Përzierjen e kulturës nacionale, me kulturat e tjera, e mendojnë rrezik kombëtar, prandaj janë kundër politikës së pranimit të të huajve. Të ardhurit nga vendet e tjerë, ata i mendojnë rrezik,“ferri i kombit”.

Për rritjen e kriminalitetit dhe të papunësisë, ata fajsojnë të huajt e ardhur.

Sipas tyre, “ferri” janë të huajt, brenda dhe jashtë kombit. Mbështetur në këtë princip, ata janë për spastrimin e kombit nga të huajt dhe kundër anëtarësimeve dhe lidhjeve me të tjerët, jashtë kombit.

Brenda nacionit, sipas tyre, “ferri” i vërtetë, mbi të cilin qëllojnë me “zjarr të përqëndruar”, janë kundërshtarët politikë, drejtësia dhe media.

Ata e epitetojnë kundërshtarin politik “elitë e korruptuar”, gjakpirëse e popullit dhe nxisin turmat kundër tyre. Nëse është e tillë apo jo, për ata, nuk ka shumë rëndësi.

Zhvillimi i partive populiste të djathta, në Europë, është fillimi i neofashizmit, është një formë e moderuar e lëvizjeve ekstremiste të djathta.

Në fundin e shek. 20-t, populizmi i djathtë, e mbuloi gjithë Europën. Filloi në Angli në vitin 1993 me krijimin e partisë “United Kingdom Independence” (UKIP), vazhdoi në Itali me krijimin e partisë „Forza Italia“ , në vitin 1994 ngamaniaku i medias Silvio Berluskoni. Vazhdoi me zviceranin Christoph Blocher i cili themeloi “Partinë Popullore Zvicerane” (SVP).

Në vitet 2000 vazhdoi lista me partinë holandeze “Partij voor de Vrijheid”.

Sot, në Europë, njihen shumë parti populiste të djethta si: në Austri partia „FPÖ“, në Francë partia „Fronti Nacional“, në Poloni partia „Prawo i Sprawiedliwosç“, në Danimarkë „Dansk Folkeparti“, në Holandë partia „Partij voor de Vrijheid“, në Belgjikë partia „Vlaams Belang“ (ish Wlaams Blok), në Norvegji partia „Fremskrittispartiet“, në Itali partia „Lega Nord“, në Zvicer partia „SVP“, në Gjermani partia „AFD“.

Populistëte djathtë, një “qime” i ndan nga ekstremistët e djathtë, ose aspak. Janë maska e neofashizmit.

Populistët e majtë në princip, janë për një demokraci sociale. Ata theksojnë dhe mbrojnë të drejtat sociale, janë antikapitalistë, antiglobalistë dhe pacifistë. Janë kundër çdo lufte dhe dërgimit të trupave ushtarake. Ndryshe nga socialistët klasikë, janë kundër ndarjes së popullit në klasa dhe luftës së klasave.

Populistët e majtë, në kundërshtim me principin e populistëve të djethtë, të cilët i përjashtojnë shtresa dhe grupime të ndryshme sociale, janë për barazi dhe shanse të barabarta. Sipas tyre, të mirat materiale, duhet të ndahen sipas nevojave.

Principi bazë i tyre, për qeverisjen e vendit, ështëfunksionimi vertikal i institucioneve shtetërore.Shteti duhet të kontrollohet nga njeriu i plotpushtetshëm. Zakonisht, në krye të këtyre lëvizjeve politike, vihen tipat „revolucionarë“, të zjarrit dhe bombave. Principi bazë i tyre, për marrjen e pushtetit është, „nga aksioni tek ideja“.

E gjithë „filozofia“ e tyre, edhe nëse mendohet humane, është vetëm utopi.

Sot, populistët e majtë, më së shumti, janë të njohur në Amerikën Latine (Argjentinë, Bolivi, Brazil, Kil, Ekuador, Guaiana, Peru, Uruguai, Venezuela), Të tilla parti dhe lëvizje ka edhe në Amerikë, Kanada dhe Europë. Përfaqësuesit tipikë të tyre janë „të gjelbërit“. Në Gjermani njihet Partia Socialiste Gjermane (PDS). Në Itali grupimi politik kundër Berluskonit „Girotondi“ (nga 2002-2003), në Çeki partia „Komunistiçka strana Çech a Morayy“ dhe në Slovaki partia „Komunistiçka strana Slovenska“.

Eshtë vetëvrasje masive, nëse njerëzit do të mendojnë dhe besojnë se, populistët, mendojnë për popullin, qeverisin me popullin dhe për popullin.

Qytetarët duhet të mendohen mirë, para votimeve, kujt duhet t’ia japin votën. Ndryshe do të vuajnë nga vendimmarrja e tyre.

Gjatë fushatës elektorale, duhet t’i hapin sytë dhe veshët mirë, për ato gjëra që shikojnë dhe dëgjojnë nga propaganda politike populiste.

Çfarë thotë ky njeri, ky lider?

Janë të mundshme të realizohen ato gjëra që premton ky njeri, apo është thjeshtë një populist?

Disa medie janë të shitura, në shërbim të forcave dhe grupimeve të caktuara politike. Duhet të mendohen aq të pabesueshme, sa dhe vetë populistët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat