Ballkani perëndimor dhe refleksionet e post-Trampizmit

Opinione

Ballkani perëndimor dhe refleksionet e post-Trampizmit

Nga: Merxhan Jakupi Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 15:04
Merxhan Jakupi

Asnjë qeveri e administratës së SHBA-së, pas zgjedhjeve presidenciale në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka miratuar apo të ketë përgatitur plane urgjente pas inaugurimit të presidentit të ri, Xho Bojdan (Joe Biden). Në administratën e re të presidentit amerikan, ekziston një paketë prej 17 dekretesh. Një ndër to është edhe plani "planetar" mbi Ballkanin perëndimor. Sipas studiuesve dhe analistëve të Shtëpisë së Bardhë, administrata e Bajdenit ka zgjedhur për katër vjetët e ardhshme një ndër stafet më me eksperiencë; figura e personalitete me përvojë dhe karizëm. Po ashtu, administrata e re e demokratëve të Shtëpisë së Bardhë ka zgjedhur ekspertë dhe diplomatë për Ballkanin, që kanë qenë të involvuar dhe me eksperiencë para dy dekadash, në fillimin e procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Vetë presidenti Xho Bajden, në vitin 1993 ka qenë si senator në Bosnjë, Kosovë dhe Serbi.

Pas largimit të Donald Trampit, administrata e re e Bajdenit do të gjendet para shumë sfidave: stabilizimi i gjendjes kaotike, recesioni ekonomik etj. Presidentin Bajden e presin përpjekjet për zbatimin e agjendës së politikës së jashtme që konsiston edhe me ngritjen e estabilishmentit, kthimin e lidershipit si super-fuqi në botë, që do të jetë një korrigjim strategjik i politikës së ish-presidentit Donald Tramp, i cili prishi balancat politike, armiqësoi SHBA-në me aleatët dhe devalvoi kredibilitetin e SHBA-së në sytë e botës. Çështja e Evropës juglindore dhe e Ballkanit perëndimor, në të ardhmen do të pësojë një precedent, duke ringritur lidhjet ndërmjet Brukselit, Berlinit dhe Uashingtonit, për tët vërë në fokus çështjet e pazgjidhura në Kosovë dhe Bosnjë, dy pika më të nxehta që e mbajnë Ballkanin perëndimor të tensionuar.

ADMINISTRATA AMERIKANE DO T'I NEGLIZHOJË LIDERËT NACIONALISTË

Sipas analistëve dhe diplomatëve perëndimorë, administrata e presidentit Xho Bajden ka pohuar se nuk do të bashkëpunojë me liderët dhe politikanët nacionalistë që kanë kapur shtetin dhe mbarë rajonin, duke nxitur konflikte etnike. Sipas planit të Administratës së demokratëve në Uashington, do të jetë largimi i liderit nacionalist të serbëve të Bosnjës, Mirosllav Dodik, që është në listën e zezë. Dodik është pinjoll politik i Vlladimir Putinit dhe tenton me anë të referendumit të bëjë shkëputjen e Srpska Republikës. Presidenti Xho Bajden mendon se në dekadën e fundit Ballkani perëndimor ka mbetur në margjina, shkaku i mungesës së angazhimit e të fokusimit, si dhe mos prezencës së Uashingtonit. Ka qenë Rusia ajo që ka tentuar këtë zbrazëtirë ta mbush me influencën e saj, sidomos në drejtim të Beogradit dhe Banjallukës. Po ashtu, edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka qenë një aktor i shkathtë, duke parë politikën labile të ish-presidentit amerikan, që ka qenë në favor të populistëve dhe ultranacionalistëve. Presidenti serb Vuçiq është ulur në dy karrige: me Perëndimin, duke thithur nga BE-ja fonde për investime; me Rusinë, me të cilën ka miqësi tradicionale pansllaviste dhe ortodokse. Disa politikanë dhe analistë serbë thonë se Rusia luan me karta të hapura në tavolinë me Perëndimin. Ajo tregon gatishmëri që ta njohë pavarësinë e Kosovës, me kusht që SHBA dhe BE të pranojnë aneksimin e Krimesë si pjesë e territorit të Rusisë.

AGJENDA E DIALOGUT PRISHTINË-BEOGRAD

Por politika gjeostrategjike e Rusisë është që të mos lejojë pranimin e Republikës së Kosovës në OKB, ndërkohë që administrata amerikanë do të shtyp fuqishëm deri në fund të këtij viti që t'i zgjidhë çështjet e hapura mes Prishtinës dhe Beogradit, ndonëse njohja e pavarësisë nga Beogradi nuk do të vijë gjithaq shpejt.

Sipas disa analistëve dhe politologëve nga Uashingtoni, doktrina dhe impulsi i administratës së ish-presidentit Donald Tramp ka favorizuar dhe ka rehabilituar politikën nacionaliste të liderëve politikë në Beograd dhe Banjallukë. Shumë politologë dhe analistë serbë kanë thënë se si rezultat i kësaj, Serbia ishte kthyer në arenën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së ishin si para tri dekadash. Donald Tramp përveç që ka favorizuar Serbinë, ai ka inkurajuar liderët nacionalistë dhe populistë se nuk kanë qenë vetëm serbët fajtorë në luftën e viteve të '90-ta në ish-Jugosllavi.

Sipas burimeve nga një korrespondent në Uashington, qeveria e re, administrata e presidentit Xho Bajden ka qenë kundër rrëzimit të qeverisë së Albin Kurtit që u bë me aminimin e ish-presidentit Tramp dhe nga i dërguari i posaçëm, Grenell. Në anën tjetër, administrata e Bajdenit është më shumë e interesuar që në zgjedhjet e 14 shkurtit të fitojnë liderët dhe politikanët, që nuk kanë qenë pjesë e qeverisë në dy dekadat e fundit. Bajden më shumë favorizon politikanë të plejadës së re në Kosovë, siç është Albin Kurti e Vjollca Osmani, ndërsa nga politikanët më admirues është Veton Surroi.

Sipas korrespondentit nga Uashingtoni, Berlini dhe Uashingtoni, pas zgjedhjeve në Kosovë, Serbi dhe në Bosnjë, duan që të vijnë në qeveri politikanë pragmatikë, të moderuar, pa hipoteka e stereotipa. Ballkani perëndimor është lodhur nga liderët nacionalistë, të cilët kanë qeverisur dekada me radhë.

* * *

Analisti amerikan, eksperti dhe njohësi i mirë i situatës në Ballkan, Janush Bugajski, thotë se me ardhjen e demokratëve do të zgjidhet ngërçi dhe konflikti i ngrirë në Kosovë dhe Bosnjë. Sipas Bugajskit, është paraparë që administrata e presidentit Xho Bajden, së bashku me Berlinin, do të jenë aktorë kryesorë për nënshkrim të marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe njohjes së Republikës së Kosovës nga Serbia. Është paraparë se të dy palët do të kenë presione. Në tavolinë do të jetë paketa "merre ose lëre", një zgjidhje që do të arrihet "me shkop dhe karotë". Si kompensim, për palën e Beogradit, Zajednica dhe katër komunat me shumicë serbe, do të fitojnë autonomi kulturore. Sipas Bugajskit, kurorëzimi do të përfundojë me një tortë të dekoruar me krem dhe nën mes me një qershi. Por qershia për të dy palët do të jetë e hidhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat