Kush do të jetë kryetari i ardhshëm i LDK-së?!

Opinione

Kush do të jetë kryetari i ardhshëm i LDK-së?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 16 shkurt 2021 Në ora: 19:43
Lidhja Demokratike e Kosovës

Kishte shumë dilema se a do të largohet Isa Mustafa pas debaklit të LDK në zgjedhjet e fundit, mirëpo, një gjë e tillë u bë realitet.

Isa Mustafa, dhe jo vetëm ai por e tërë kryesia e LDK dha dorëheqje.

S’kishte si të ndodhte ndryshe, me partinë që brenda një viti i humbi mbi 104 mijë vota, ose 50 % të saj duke pësuar humbjen më të thellë në histori të saj.

Tanimë partia shkon në zgjedhje të përgjithshme për të zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e re, e kjo do të ndodh më së largu brenda 60 ditëve. Mirëpo, pritet që ky afat mos të konsumohet as në gjysmë, pasi partia ka nevojë për ndryshime sa më të shpejta, duke filluar nga kryetari.

Thuhet se Isa Mustafa ka propozuar për kryetar partie Kujtim Shalën, megjithatë ka edhe kandidatë të tjerë që përfliten për të marr drejtimin e partisë. Ndër emrat tjerë janë edhe ai i Lumir Abdixhikut, Anton Çunit, Lutfi Hazirit, apo ndoshta edhe kthimi i Vjosa Osmanit si kryetare.

Luta, duket më pak i pëlqyer nga anëtarësia e gjerë, dhe rrjedhimisht shihet si kandidati më më pak gjasa, derisa ka humbur edhe në qytetin e tij, duke pësuar humbje spektakolare. Në anën tjetër Lumir Abdixhiku ka më shumë popullaritet në mesin e votuesve të LDK, më shumë se edhe vet Kujtim Shala,dhe nëse merret parasysh disponimi i anëtarësisë së LDK, Lumiri ka më së shumti shanse.

Në politikë, kurrë mos thuaj kurrë, mund të ndodh ajo që pak e presin, kthimin e Vjosës në krye të LDK. Vjosa, e cila në zgjedhjet e së dielës ka marr më shumë vota se dy herë krejt LDK, nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën, lidhjen shpirtërore me LDK, diçka që mund të ndikonte që ajo përsëri të kthehet në LDK.

Kjo gjë mund të ndodh, me faktin se vetëm Vjosa mund ta rikthente entuziazmin, shijen e keqe të krijuar nga Isa tek anëtarësia. Personalisht besoj se Vjosa do të kthehet në LDK, në krye të saj, se kur do të ndodh kjo këtë nuk e di as unë, mbase as Vjosa momentalisht, por të gjitha rrugët të qojnë në këtë drejtim.

Tani, kur jemi tek zgjedhja e kryetarit të LDK, në mesin e këtyre emrave, nëse Vjosa momentalisht nuk kthehet, më të mundur e shoh Lumir Abdixhikun, edhe pse mund të ndodh edhe Kujtim Shala, me Isën që akoma ka ndikim tek vendimmarrësit, edhe pse është kryetar në detyrë.

Të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodh, se kush do të jetë kryetari i ardhshëm, i partisë dikur më të madhe në vend, por e cila në zgjedhjet e së dielës pësoi debakël, si kurrë më parë.

Andaj, reforma të shpejta, me një kryetar që nuk e shkëput relacionin me qytetarin, dhe mbi të gjitha i qëndron pas fjalës dhe premtimeve të dhëna. LDK ka nevojë për ndryshime, dhe Kosova ka nevojë për një LDK të fortë, në frymën e presidentit Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat