Edhe kryetarët dhe kryesitë e degëve duhet të japin dorëheqje

Opinione

Edhe kryetarët dhe kryesitë e degëve duhet të japin dorëheqje

Nga: Bejtullah Sokoli Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 21:46
LDK

Krizat brenda LDK-së nuk kanë qenë të rralla dhe të pakta  gjatë ecejakeve të saja gjatë viteve të funksionimit të saj, por disa prej tyre janë shpërfaqur sidomos pas vdekjes së liderit historik dr.Ibrahim Rugova.

Në veçanti kriza e parë ndodhi nga nëntori i vitit 2006,kur partia ishte ndarë në dysh në kuvendin e gjashtë të karrigeve rreth drejtimit të partisë. Megjithatë, e keqja më e madhe ndodhi kur në krye të LDK-së u vendos Isa Mustafa më 7 nëntor 2010 në Kuvendin e shtatë zgjedhor të saj. Ky do mbahet mend për shkërmoqjen e LDK-së gjatë dhjetë vjetëve të drejtimit. Mirëpo, nuk është vetëm ai fajtor. Janë edhe të tjerët rreth tij, Agimi, Luta, Hakiu e të tjerë.

Ju kujtohet me siguri se në vitin 2016 LDK-ja kishte përjetuar një krizë kur Vjosa Osmanit nuk iu lejua të kandidojë  për kryetare të partisë në Kuvendin zgjedhor, ndërsa Donika Gërvalla u tërhoq zvarrë duke mos e lejuar pjesëmarrje në po këtë kuvend. Ndërkaq, më 21 qershor 2020,kryetari Mustafa kërkoi largimin e Osmanit nga të gjitha strukturat e LDK-së, kurse kjo e fundit u detyrua që më 7 shtator 2020 të largohet përfundimisht nga kjo parti. E kulmi i të këqijave ndodhi me zgjedhjet e 14 shkurtit, kur kupa u mbush me helm. LDK-ja u rendit e treta me 103.507 vota ose 13.8 për qind. Kjo ishte fatale për këtë parti.102.951 vota më pak se në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.Dhe,ky ishte shkaku që Isa dha dorëheqje. Por, çka tash e tutje?!A mund të jetë fajtor vetëm ky, apo edhe të tjerët përreth tij dhe më gjerë? Nuk mjafton vetëm kryetari, nënkryetarët, anëtarët dhe sekretari i kryesisë qendrore të LDK-së të japin dorëheqje. Të njëjtën veprim duhet të bëjnë edhe kryetarët, nënkryetarët dhe anëtarët e kryesive të 38 degëve gjithandej në Kosovw. Sepse, edhe këta mund të kenë pasur mëkate e gjynahe kush më pak e kush më shumë në akumulimin e dobësive, gabimeve, lëshimeve etj, të cilat dukshëm kanë ndikuar në rezultatet e deritashme në zgjedhjet nacionale dhe atyre komunale. Pra, nëse nuk ndodh dorëheqja edhe në nivel të degëve, atëherë nuk mund të pritet kurrfarë ndryshimi në të ardhmen e kësaj partie politike. Me një fjalë edhe në degët e LDK-së ka nevojë për ndryshime rrënjësore, freskime me kuadro të reja, energji dhe gjak të ri rinor. Pra, duhet një LDK të rilindur. E shtëpia e re nuk ndërtohet me material të shtëpisë së vjetër.

LDK-ja ka jetike një fillim të ri dhe të fuqishëm. Duhet dhënë një mbështetje totale për fillimin e saj të ri e më të fuqishme që ka pasur ndonjëherë deri tani. Një reformë të themeltë në çdo segment të saj. Një fillim i ri do të ishte i pamundur pa një lidership të ri. Ky lidership do të ketë në shpinë trashëgiminë e mirë të LDK-së. Të ketë vizionin e saj, projektin e saj. Në këtë kontekst ai duhet të zgjidhet, një(1) anëtar një(1) votë. Të gjithë anëtarët e LDK-së ta konsiderojnë procesin zgjedhor si një mision jetik për fillimin e ri, të fuqishëm dhe të suksesshëm të LDK-së. Në këtë mënyrë ecet sigurt drejt një fillimi të ri dhe të fuqishëm.

Ka mundësi dhe hapësirë për një LDK të re me bindje progresive dhe me njerëz të cilat i ka kjo parti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat