Mustafa pritet të rikandidohet për kryetar të LDK!

Opinione

Mustafa pritet të rikandidohet për kryetar të LDK!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 26 shkurt 2021 Në ora: 10:52
Isa Mustafa

Pritej fitore e thellë e LDK në zgjedhjet e 14 Prillit. Së paku kështu propagonte kryesia e LDK me kryetarin e saj zotin Isa Mustafa.

 Fajsohej zonja Osmani për tradhëti ndaj partisë dhe i bëhej me dije se, ndarja nga kopeja do t´i kushtoi me pësim, sikurse të tjerët që kishin vepruar ngjashëm.

Zgjedhjet u bënë dhe parashikimi i krerëve të LDK ishte, pësimi më i madh që nga themelimi i saj.

 Ndoshta është mirë që kolosi i Kosovës Ibrahim Rugova, nuk është të shoh se si vepruan me partinë e tij.

Presioni ndaj Isa Mustafës që t´u hapte rrugë reformave në parti ishte rritur kohëve të fundit, po ai kishte synimet e tij: pse të mos provonte edhe njëherë, ndoshta ia arrinë të bëhej president i vendit, apo me ndonjë mrekulli të ketë sukses në zgjedhje dhe karriera vazhdon tutje me klanin e tij.

Fatkeqësi për zotin Mustafa ishte sepse ish presidenti Thaçi, në momentet e fundit e tradhëtoi dhe iku në Hagë duke e lënë të përballet me thënjen Hamletjane “ Të jesh apo të mos jesh “.

Ishte eufori, presion i lartë nga të gjitha anët bëri që zoti Isa Mustafa të deklaroi dorëheqjen e tij nga posti si kryetar i partisë.

Në media u paralajmërua se e tërë udhëheqësia e LDK dha dorëheqje, po kjo këto ditë po demantohet. Si duket klani i tërhoqi dorëheqjet !

U shpresua se me dorëheqje kolektive do të vinte momenti i reformimit të partisë, po si duket vetëm do të ndezet luta për poste, sepse nuk do të ndodhë ajo që pret elektorati.

Zoti Mustafa, nuk mori përgjegjësi direkte, ( sepse personat me një të kaluar të tillë politike, fajin gjithmonë e gjejnë te të tjerët ) po vetëm indirekte duke thënë se ai nuk ishte bartës i listës, prandaj faji duhej të binte mbi kryeministrin Hoti.

Zoti Mustafa këto ditë as në tokë dhe as në qiell deklaroi se deputetët e LDK nuk do ta votojnë zonjën Osmani në postin e presidentes ( shenjë hakmarrje), po ajo mund të kthehet në gjirin e partisë.

Këtë absurditet të tij, nuk mund ta zbërthejnë as magjistarët më të njohur të botës.

Ky konfuzion pa logjikë dhe i shfaqur me kaq urrejtje, e në anën tjetër me ofertë për t´u kthyer zonja Osmani ..... është i pa spjegueshëm.

Si duket postin e presidentit zoti Mustafa e ka pasur të rezervuar për vete, (mund të ketë qenë marrëveshje mes tij dhe Thaçit ) prandaj nuk mund ta marr me mend t´i del nga dora.

Tash sërish po lind dyshimi, e ka ofruar dorëheqjen zoti Mustafa vërtetë, apo është taktikë e tij që sërish të rizgjedhet, siç e bënë ai zakonisht këtë me aklamacion, ide komuniste që tash zbatohet vetëm në Korenë Veriore dhe Kinë.

Nëse LDK dëshiron të ringjallet dhe të bëhet e aftë, duhet të lirohet nga klanet e saj që e kanë privatizuar, përndryshe do të rrezikon të shkoi drejt fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat