Një djallëzi diplomatike. Oferta e fundit e Beogradit, një gjethe e re fiku në herbariumin e propozimeve të thara serbe dhe ruse për Kosovën

Opinione

Një djallëzi diplomatike. Oferta e fundit e Beogradit, një gjethe e re fiku në herbariumin e propozimeve të thara serbe dhe ruse për Kosovën

Nga: Shaban Murati Më: 3 mars 2021 Në ora: 12:18
Shaban Murati

Në pozitën e trekëndëshit politik dhe diplomatik, ku është vënë udhëheqja e Serbisë pas letrës së presidentit amerikan Xho Bajden dërguar në shkurt Beogradit zyrtar se dialogu Serbi-Kosovë duhet të përqendrohet në njohjen reciproke midis dy shteteve, presidenti serb Vuçiç po kërkon shpëtim në shumë fije kashte diplomatike. Një ndër to është dalja së fundi me propozimin e ri që zgjidhja për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës të jetë statusi i Çeçenisë, Dagestanit dhe Tatarstanit në Rusi.

Për ta shpallur dhe ofruar këtë zgjidhje koloniale presidenti serb Vuçiç zgjodhi nënkryetarin e parlamentit të Serbisë, Muamer Zukorliç, kryetar i “Partisë për Drejtësi dhe Pajtim” të minoritetit boshnjak, parti aleate e koalicionit qeveritar të udhëhequr nga partia e Vuçiçit. Zukorliç është emëruar nga presidenti serb zëvendës i kryetarit të parlamentit serb, radikalit ekstremist Ivica Daçiç.

Jo rastësisht u zgjodh ky nënkryetar parlamenti, jo rastësisht u zgjodh media zyrtare ruse “Balkanist.ru” dhe jo rastësisht u zgjodh data 1 mars, që është dita e festës kombëtare të republikës federative të Bosnjë-Hercegovinës. Nënkryetari boshnjak i parlamentit të Serbisë doli me këtë ofertë të re serbe në datën 1 mars në median proqeveritare ruse “Balkanist.ru”, duke deklaruar që zgjidhja e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës është statusi i Çeçenisë, Tatarstanit dhe Dagestanit, të cilët sipas tij ditën të vendosin komunikimin me qendrën e tyre Moskën. Madje Zukorliç, me një arrogancë të huazuar nga retorika politike serbe, përçmon popullin shqiptar të Kosovës, duke deklaruar se “Në popullin shqiptar që jeton në Kosovë dhe në Jug të Serbisë nuk ka politikanë të ngjajshëm me udhëheqësit e Çeçenisë, Tatarstanit dhe Dagestanit, të cilët vendosën komunikimin me qendrën e tyre Moskën. Shqiptarët e Kosovës akoma nuk zotërojnë kulturë të tillë politike që të vendosin marrëdhënie paqësore me Beogradin”.

Modeli i Çeçenisë, Dagestanit dhe Tatarstanit, që ofron nënkryetari i parlamentit të Serbisë është statusi i republikës brenda Federatës Ruse, që kanë aktualisht këto tre republika dhe që janë nën kontrollin dhe  sundimin e Moskës. Me një fjalë, Beogradi i ofron Kosovës që të pranojë statusin e republikës nën kuadrin e Serbisë. Që don të thotë rikthimi i Kosovës si koloni e Serbisë. Natyrisht ky status allarus është lakimi i një modeli të vjetër të ofruar prej të gjitha qeverive serbe pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, që Kosovës t’i ofrohet statusi i republikës brenda Federatës së drejtuar dhe të kontrolluar nga Serbia. Modeli serb i një republike të Kosovës brenda Serbisë ishte harruar prej kohësh nga Beogradi, dhe që nga vitit 2011 i nisjes së dialogut midis dy shteteve në Bruksel me ndërmjetësimin e BE, udhëheqësit serbe asnjëherë nuk e paraqitën më këtë alternativë gjatë 10 viteve. Degradimi i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës në rrethin e mbyllur të çeshtjeve teknike për dhjetë vjet me radhë i dha kurajo udhëheqjes serbe se Kosovës nuk duhet t’i jepet as statusi i republikës brenda Serbisë, por duhet të rrijë si krahinë serbe.

Evoluimi i situatës diplomatike ndërkombëtare me qeverinë e re amerikane të presidentit Xho Bajden për të shpejtuar zgjidhjen e dialogut dhe normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duke e fokusuar në njohjen reciproke të dy shteteve, paralajmëroi Beogradin se kohëve të bukura të rrotullimit në vend të bisedimeve të Brukselit po u vjen fundi. Tani Serbia është vënë pas murit dhe, me dëshirë apo pa dëshirë, do t’i duhet të përballet me njohjen reciproke midisi dy shteteve, në mos, do të duhet të vuajë pasojat e papërballueshme të presionit dhe të izolimit diplomatik, politik, ekonomik dhe financiar perëndimor.

Në një situatë të tillë të vështirë diplomatike presidenti i Serbisë Vuçiç nxiton të dalë me ofertën e re që Kosova të pranojë statusin e Çeçenisë, Dagestanit të Tatarstanit si republikë brenda Serbisë, njësoj si tre republikat e mësipërme janë pjesë e Federatës Ruse.

Djallëzia diplomatike e presidentit serb është se nxori në skenë për ta propozuar këtë ofertë nënkryetarin e parlamentit serb, që është kryetar i partisë së minoritetit boshnjak dhe aleate e partisë sunduese të Vuçiçit, Muamer Zukorliç. Zgjedhja e tij vjen nga një fizionomi renegati, sepse në vitin 2011 ai kërkonte autonominë e Sanxhakut, kurse  tani që ësht nënkryetar i parlamentit serb nuk flet më për autonomi, por kërkon që Sanxhaku t’i nënshtrohet Beogradit. Në biografinë e tij si klerik ai ka qënë kryetar i Komunitetit Islam në Serbi, dhe kërkon të bëhet i besueshëm duke propozuar statusin e tre republikave me shumicë myslimane të Rusisë për shtetin me shumicë myslimane të Kosovës. Ikonografia fetare synon të zbukurojë djallëzinë e ofertës së re të propozimit serb për të rikthyer Kosovën në gjirin e metropolit serb.

Së dyti, qëllim tjetër i presidentit serb, duke nxjerrë nënkryetarin boshnjak të parlamentit serb për këtë propozim, është që t’i bëjë qejfin Rusisë, duke e marrë Moskën si model të zgjidhjes së çeshtjes së marrëdhënieve ndërnacionale në Rusi me popujt e Çeçenisë, Dagestanit dhe Tatarstanit. Se si i ka zgjidhur Rusia raportet ndërnacionale me këto tre republika, që kanë kërkuar dhe aspirojnë për pavarësi, janë të njohura nga e gjithë bota gjenocidi, masakrat dhe shkatërrimet masive të forcave ushtarako-policore të Rusisë në Çeçeni, ku politika e tokës së djegur, e zbatuar nga presidenti rus Vladimir Putin, prodhoi statusin e mbajtjes me dhunë të tre republikave në gjirin e Federatës Ruse. Presidenti serb e din fare mirë që një propozim i tillë i tij do të ketë mbështetjen e Kremlinit dhe të diplomacisë ruse, sepse me këtë rast reabilitohet si model pozitiv modeli i dhunshëm rus i zgjidhjes së çeshtjeve ndërnacionale në Rusi me zjarr dhe me hekur. Ndaj dhe propozimi i nënkryetarit të parlamentit serb u shpalos për herë të parë në median zyrtare ruse.

Së treti, jo rastësisht u zgjodh politikani boshnjak Muamer Zukorliç për të paraqitur ofertën serbe të rimbajtjes së Kosovës në gjirin e Serbisë sipas modelit të Çeçenisë, Dagestanit dhe Tatarstanit në Rusi.

Duke shërbyer si përçor i propozimit kolonialist të Serbisë politikani boshnjak nxit një përçarje të re midis boshnjakëve dhe shqiptarëve në Sanxhak dhe në Serbi. Në rajonin e Sanxhakut është në zhvillim e sipër një rrymë e re aktive e ndërgjegjësimit të qytetarëve për origjinën e tyre shqiptare, pas një politike zyrtare dhjetravjeçare të Serbisë për asimilimin dhe boshnjakëzimin e detyruar të tyre. Popullsia shqiptare ka qenë dominuese në rajonin e Sanxhakut. Në datën 3 nëntor 2019 kryetari i Partisë së “Aksionit Demokratik të Sanxhakut”, Sulejman Ugljanin, i cili ka qenë ministër në qeverinë e Serbisë në vitet 2008-2014, parashtroi platformën e të drejtës së popujve të Sanxhakut për një entitet autonom politiko-territorial, me fuqi legjislative, ekzekutive dhe juridike. Në fakt kjo është një kërkesë e hershme e Sanxhakut për autonomi politiko-territoriale, për të cilën kanë votuar me unanimitet gjithë votuesit e atij rajoni në tetor të vitit 1991. E re në platformën e politikanit të njohur boshnjak dhe ish-ministër i qeverisë së Serbisë është kërkesa e tij për “statusin special të Sanxhakut si një komunitet i qytetarëve dhe i popujve të barabartë, në të cilin shqiptarët, boshnjakët, malazezët dhe serbët, janë popuj shtetformues”. Kjo platformë, ku shqiptarët renditen të parët, i është paraqitur presidentit të Serbisë, qeverisë dhe parlamentit të Serbisë.

Rryma e re e ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve të Sanxhakut e ka shqetësuar pa masë Beogradin, i cili nëpërmjet institucioneve shtetërore dhe shërbimit sekret serb po ndërmarrin fushatë pas fushate për të krijuar përplasje midis boshnjakëve edhe shqiptarëve të Sanxhakut dhe për të mos lejuar qytetarët të konfirmojnë prejardhjen dhe përkatësinë e tyre kombëtare shqiptare. Ndaj Beogradi ka zgjedhur nënkryetarin boshnjak të parlamentit serb që të dalë si megafon i “bashkëjetesës paqësore të popujve” brenda Serbisë, ku ai fton edhe Kosovën që në emër të kësaj bashkjetese të rifutet në gjirin e Serbisë si Çeçenia, Tatarstani dhe Dagestani në gjirin e Rusisë.

Gjithë shqetësimi serb, që shpreh nënkryetari i parlamentit të Serbisë, është që “Kosova të mos shkojë te përqafimi me Shqipërinë”. Sipas tij, Kosova duhet të kthehet te përqafimi me Serbinë, dhe ai pa pikën e skrupullit politik dhe fetar përdor për Kosovën termin fetaro-ortodoks serb “Kosovë dhe Metohi”.

Oferta e re serbe që Kosova të ndjekë modelin e Çeçenisë, Tatarstanit dhe Dagestanit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, është një përpjekje e freskët e Beogradit për të devijuar dhe për të zgjatur sa më shumë afatin e zgjidhjes së dialogut me njohjen reciproke midis dy shteteve. Është e qartë se kjo ofertë përbën një gjethe të re fiku në herbariumin e propozimeve të thara diplomatike serbe dhe ruse për të zgjidhur marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës në formën e modelit të Tirolit të Jugut, të dy Gjermanive, të Qipros, ndalimit të dy shteteve shqiptare, dhe së fundi te modeli i Çeçenisë, Dagestanit dhe Tatarstanit. Është e paraditur se as Kosova dhe as SHBA e BE nuk do ta pranojnë ofertën e re allaruse të Serbisë, sepse Kosova është një shtet i pavarur i njohur nga afro 120 shtete të botës, ekzistenca dhe zhvillimi i të cilit garantohet nga mbrojtja dhe aleanca me SHBA dhe Perëndimin. Shpresojmë që Shqipëria të mos përsërisë gabimet dhe të mos bjerë pre e propozimeve të reja kurth të Serbisë, siç ka rënë në të kaluarën duke pranuar modelet serbe të Tirolit të Jugut apo duke dalë si Serbia kundër krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës me tezën idiote se nuk mund të ketë dy shtete shqiptare.

Kosova shtet i pavarur dhe sovran është përgjigja ndaj çdo lloj deviacioni apo kameleontizmi diplomatik të strategjisë koloniale serbe dhe ruse për Kosovën. Kosova do të ekzistojë si shtet i pavarur në daç ta njohë, në daç të mos e njohë Serbia./DITA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat