Albin Kurti ka nevojë për një shumicë shqiptare në parlamentin e Kosovës

Opinione

Albin Kurti ka nevojë për një shumicë shqiptare në parlamentin e Kosovës

Nga: Harry Bajraktari Më: 5 mars 2021 Në ora: 22:56
Harry Bajraktari

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë konfirmuan suksesin vendimtar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Albin Kurti tani e ka rrugën e hapur për t’u bërë përsëri kryeministër, kurse Presidentja-në-Detyrë Vjosa Osmani vendosi një rekord historik me më shumë se 300,000 vota. Urime për fituesit.

LVV do të ketë tani 58 ulëse në Kuvend dhe me pak vota nga pakicat do të ketë një shumicë qeverisëse. Është një fitore e merituar.

Qeverinë e re presin sfida të forta e të menjëhershme, sidomos përballja me pandeminë, që do të kërkojë rigjallërimin e kapaciteteve të shëndetësisë në vend, sigurimin e vaksinave, ngritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rrezikun e virusit etj.

Administrimi i shpresave të mëdha është i domosdoshëm. Populli pret shumë për ngritjen ekonomike dhe luftën ndaj korrupsionit, për një përmirësim të shërbimeve publike. Këto do të kërkojnë kohë.

Sfida të vështira e presin edhe në politikën e jashtme. Presioni nga SHBA dhe BE mund ta detyrojë Kosovën të rifillojë negocitat me Serbinë më shpejt sesa mendohet. Ende pa ardhur në pushtet, LVV dhe kryetari i saj po kritikohen për disa deklarata lidhur me Shqipërinë, Serbinë, etj.

Në këto rrethana, unë mendoj se Albin Kurtit i duhet jo vetëm një shumicë e thjeshtë për të qeverisur, por edhe një shumicë shqiptare për çështje të rëndësishme kombëtare.

Kjo do të realizohej duke shtuar në koalicion Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Me 8 votat e AAK-së, Albin Kurti do të ketë gjithmonë të garantuar kuorumin e nevojshëm në parlament dhe mund të marrë vendime me rëndësi që kanë rëndësi jo vetëm për Kosovën por edhe për çështje mbarëkombëtare.

LVV në shumë çështje themelore për Kombin dhe qendrimet ndaj Serbisë përputhet me AAK-në. Të dy partitë kanë qenë në opozitë me koalicionin PDK-LDK dhe kanë kritikuar në vite dobësinë e Kosovës në negociatat me Serbinë.

Albin Kurti do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe nuk do ta ketë të vështirë të gjejë një shumicë votash për të miratuar qeverinë e re. Duke i shtuar kësaj shumice AAK-në, ai do të sigurojë që të ketë alternativa e hapësirë për manovrim që të mos varet nga një grusht votash sa herë që ka vendime historike kombëtare që kërkojnë guxim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat