Udhëkryqi i LDK-së

Opinione

Udhëkryqi i LDK-së

 Murteza Osdautaj Nga Murteza Osdautaj Më 19 mars 2021 Në ora: 11:14
LDK

E krijuar në kohën kur populli kishte humbur gjithçka dhe e udhëhequr nga një njeri të cilin e kam quajtur shpesh si rastësi hyjnore e vendit, LDK-ja këto ditë është në një gjendje të udhëkryqit të serishëm.

Ajo vërtetë ka ndërruar kryesinë e saj dhe vërtetë ka bërë ndërrim në kryesi por, kryesorja e tërë kësaj çështjeje është se a ka arritur të rishikojë pozicionin e saj karshi proceseve shtetformuese dhe shtetrrënuese në të cilat ka qenë protagoniste apo të cilat i ka udhëhequr.

Zgjedhja e presidentit të vendit është pika kyçe e udhëkryqit për të cilin fola. Të qëndrojë në sallën e parlamentit apo mos të marrë pjesë???

Një gjë dihet, dhe e di gjithkush, se vendi ynë, në pesë vitet e fundit, është në një tatëpjetë nga e cila nuk po arrin të ikën dot. Presidenti, Kryeministrat dhe qeveritë e dëmtuan Kosovën, deri në lëndim dhe rrezikim të shtetësisë. Vendin me anë të akteve, gabimeve dhe lëshimeve të tyre. Demarkacioni, asociacioni, marrëveshjet e këqija e të dëmshme me Serbinë. Vendin e shkatërruan edhe politikat neoliberale ekonomike (të përkrahura fort edhe nga LDK) të cilat kanë bërë që kapitalet dhe burimet financiare të kontrollohet dhe të përvetësohen nga një grup oligarkësh dhe politikanësh të cilët bënë që, për herë të parë, në historinë e re të kemi ndarje të popullsisë në klasa nga të cilët klasa e proletarëve (pra klasa  të varfërve) përfshinë rreth 90% të popullsisë.

Duke qenë faktor kyç në këto procese, si vendimmarrës apo si ‘nihmaqar’, LDK e ka dëmtuar, me vetëdije apo pa të, strukturën sociale të popullsisë së Kosovës dhe e ka dëmtuar kategorinë themelore të një shoqërie demokratike, barazinë e njerëzve.

Duke qenë protagonistë në lojërat për zhvatje dhe përvetësim të shtetit të Kosovës dhe resurseve të saj nga oligarkia politike dhe parapolitke, sidomos e PDK-së, dhe duke u bërë pjesë e këtyre ngjarjeve dhe vet duke e ‘hëngër ndonjë asht’, LDK-ja dhe njerëzit e saj, sidomos kryesia e saj e udhëhequr nga Isa Mustafa, e dëmtuan aq fort LDK-në, sa ajo sot gjendet në një kolaps të vërtetë ideologjik dhe politik.

Nëse njerëzit e LDK-së nuk janë bindur se kjo parti ka nevojë për ndërrime substanciale në ideologji dhe në sjellje, në vendimmarrje dhe në politika shoqërore, në zgjedhjet e ardhshme asnjëri nga ne, fanatikët e saj, nuk do të kemi asnjë dëshmi dhe adut për t’i bindur njerëzit, edhe familjet tona, që të votojnë për të.

Zgjedhja e presidentit është momenti i parë i rikthimit të saj, siç ka dëshirë ajo ta quaj, institucionalit. Vendit i duhet një qetësi politike. I duhet një rikthim në zgjidhjen e problemeve dhe jo në krijimin e problemeve të reja, Vendit i duhet një rimendim i politikave të jashtme, sidomos në lidhje me dialogun. Vendit i duhet rivendosja e barazisë sociale dhe a politikave shtet formuese.

Humbja e LDK-së në zgjedhjet e kaluara nuk duhet të krijojë mendësi inatçore dhe, edhe njëherë, ta shndërrojë atë në instrument të kastës politike që, fatmirësisht, shkoi për të mos u kthyer më. Votimi i presidentit, kundër apo duke abstenuar, dhe mbetja në opozitë për së paku një mandat, janë hapat fillestarë që duhet t’i ndërmarrë LDK-ja. Shkuarja edhe në një palë zgjedhje, për shkak të saj apo për shkak të dikujt tjetër, shkon në favor të kundërshtarëve politikë të saj ngase të gjithëve, edhe VV-së por edhe partive të ‘krahut të luftës’, iu konvenon një LDK e dobët dhe me besim të humbur popullor apo një LDK që nuk ekziston fare po që kujtohet si një relikt muzeal i një kohe dhe i një periudhe të shkuar.

Lumiri por edhe të tjerët e kryesisë duhet ta dinë dhe ta kuptojnë se na u kanë harxhuar të gjitha arsyetimet për ta bindur votuesin për ta votuar më LDK-në. LDK-së nuk i mjaftojnë më emrat dhe personalitetet, Ajo duhet të shpërfaqet me ide dhe veprime demokratike dhe europerëndimore.

Unë jam që LDK të qëndrojë në sallë të parlamentit kur të zgjidhet presidenti. Së paku dihet se, po e njëjta LDK, e votoi dhe e bëri president edhe kundërshtarin më të madh politik të saj të cilin e akuzonte me akuzat më të rënda e edhe për likuidimet politike.

Ne populli i varfër, që jetojmë me nga një pagë mujore, gjysmën e të cilës e paguajmë si këst kredie, kemi nevojë për fillimin e një epoke të re politike dhe ekonomike në këtë vend. Dhe kjo pjesë e kësaj popullsie janë, kryesisht, LDK-istë fanatikë apo besimtarë të dëshpëruar.

Qëndroni në sallë burra. Ju e votuat Thaçin president, ju e votuat demarkacionin dhe  ju e nënshkruat asociacionin.

Mos e  dh.... punën edhe njëherë, ju kemi duruar më shumë se zotin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat