Mjaft populli zuri buzën me dhëmbë, duke i shikuar gabimet trashanike të kastës politike

Opinione

Mjaft populli zuri buzën me dhëmbë, duke i shikuar gabimet trashanike të kastës politike

Nga: Skënder Mulliqi Më: 9 prill 2021 Në ora: 19:09
Skënder Mulliqi

Lufta në ish –Jugosllavi bëri që të formohen minishtetet, të cilat mezi po mbijetojnë politikisht dhe ekonomikisht. Si duket as Kosovën e vogël nuk e kthjelli shumë lufta çlirimtare, e cila mori më vete shumë viktima.

Nuk e analizuam dhe as që po e analizojmë luftën mirë, që ta kemi të ardhmen e ndritur si shtet dhe si komb. Nuk bëmë analiza të duhura, e më shumë na tërhoqi euforia, e cila na kushtoi me mos zhvillim të duhur të demokracisë, të politikës dhe të ekonomisë. Më shumë u mbushëm gjatë fazës së tranzicionit me energji negative, se sa më energji pozitive për t’i avancuar proceset zhvillimore përpara. U instalua në pushtet një klasë politike, e cila nuk diti dhe as që dëshirojë t’i realizonte objektivat ashtu si duhet për shtet ndërtim dhe mirëqenie. Shteti nuk ka mundësi të jetë ligjor, pa premisat e tij elementare?

Pushtetet ishin më shumë me logjikë autokratike të te menduarit dhe te vepruarit. Me logjikën e mashtrimit dhe me logjikën e keqpërdorimeve nuk bëhet shteti funksional dhe ligjor, dhe as që ka mundësi të fitohet në staza të gjata besimi i qytetarëve.

Klasat politike në pushtet për 20 vite u treguan super mjeshtër me mënyrat radikale të qeverisjes me Kosovën. Kjo ishte absurde për shekullin 21. Dhe, kështu ngadalë erdhën në një situatë të keqe me premisa edhe tragjike për vendin.

Nuk dua natyrisht ta mendoj më të keqën, por që situata politike, ekonomike dhe e sigurisë erdhën në peshore, kjo është më se e vërtetë. Periudha çlirimtare, periudha e pavarësisë dhe lirisë, nuk u shfrytëzuan mirë. Porositë nuk ishin të mira për popullin e Kosovës. Nuk bëmë politika bashkëkohore , nuk bëmë politika fitimprurëse as në planin e brendshëm dhe as në planin e jashtëm.

Klasa politike në pushtet, sikur nuk i dëgjoi zërat as të miqve tanë nga jashtë, të cilët na ndihmuan ta kemi shtetin sovran dhe të pavarur. Nuk i dëgjuan porositë e Amerikës mike, të Brukselit dhe as të NATO-së, që të luftohen deri në fund krimi i organizuar, korrupsioni dhe dukuritë tjera negative , që Kosovën e kanë lënë shumë prapa, të pazhvilluar dhe te izoluar nga bota demokratike.

Kosovës i duhen personalitete të fuqishme politike, e jo ata që më shumë e kanë rolin e aktorëve të filmit dhe te teatrit. Duket se garnitura e re e cila sapo e ka marr pushtetin, do të jetë garniturë, e cila do të marrë vendime politike së bashku me popullin, e jo të ndarë nga populli siç na ndodhi deri më tash.

Mjaft populli zuri buzën me dhëmbë duke i shikuar gabimet trashanike të kastës deri sotme politike.

Qytetarët, me votën e 14 shkurtit dhanë porosi të qarta së si duhet ndërtuar shteti i ri i Kosovës.

Gabimet më nuk do t’i falën askujt. Ishte absurditet i llojit të vet që u toleruan për një kohë shumë të gjatë gabimet dhe keqpërdorimet e pushteteve. Pushtetet autokratike nuk i duhen Kosovës, sikur që nuk i duhen as tregtarët e trojeve etnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat