PDK, për 20 vjet e ka përdorur UÇK-në për të vjedhur!

Opinione

PDK, për 20 vjet e ka përdorur UÇK-në për të vjedhur!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 11 prill 2021 Në ora: 11:12
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Në letërsinë franceze të shekullit 18-19, përmes satirës, alegorisë dhe figurave tjera stilistike, dilte në pah fytyra tragjiko-komike e shoqërisë së kohës, në veçanti e klasës politike, mbretërisë etj. Tanimë edhe këtu në Kosovë thuajse është e njëjta situatë, me klasë politike të zhveshur tërësisht nga maskat që mbanin, me populizma, patriotizëm të rrejshëm etj. Për ironi janë po të njëjtit që kanë mashtruar këtë popull që 20 vjet dhe tani u del gjumi të mbrojnë, siç thonë ata, luftën e pastër të UÇK-së.

Nga kush duhet të mbrohet UÇK, kurrë s'ka qenë e sulmuar nga askush përveç Serbisë, nga e cila s'kemi pse ta mbarojmë, dihet se ajo s'mund ta dojë një ushtri që i ka shkaktuar dëme. Të thuash se po e mbroj UÇK-në, i bie një lloj kontrolli, një lloj marrje e kompetencave që nuk i takojnë askujt, sepse ajo ishte e popullit dhe jo e dikujt privatisht. Akoma më ironike është të “mbrohet” nga ata që në emër të saj kanë zhvatur këtë popull për 20 vjet me radhë, ata janë imazhi më i keq i luftës, respektivisht i UÇK-së. Janë po të njëjtit që s'kanë pasur kohë të nderojnë luftën e UÇK-së me vepra, me punë të mirë, kanë qenë të zënë duke vjedhur, me vila, me vetura të shtrenjta e shtëpi luksoze.

Këta, befas qenkan lënduar shumë ngase Vjosa Osmani, presidentja e vendit nuk e paska cekur tre fonemat UÇK me rastin e Betejës së Koshares. Nuk është patjetër të përmendet UÇK , gjërat nënkuptohen edhe nga konteksti. S'kanë ku të kapen për të sulmuar presidenten e vendit dhe bëjnë marrëzira të tilla, sa mendje të vogla që janë. Këta që janë ulur para telefonit dhe bëjnë statuse banale në adresë të presidentes, si nuk patën kurajo kurrë për të kritikuar Hashimin me krejt klanin “Pronto” që e shanin edhe birin e Adem Jasharit për tenderët, për “konkurrimet” pa asnjë meritë dhe marifeteve të tilla. Por jo, të tillët ishin mbështetës të tyre, disa kanë përfituar direkt e disa indirekt, kanë përfituar nga gjaku i dëshmorëve, kanë vjedhur edhe në varret e tyre, këta faqezinj pa fije turpi krekosen për “mbrojte të UÇK-së”.

E more të mjerë, UÇK s'ka nevojë të mbrohet, ajo është ikonë, emblemën e pavdekshme që sintetizon përpjekjet një shekullore të shqiptarëve të Kosovës për shtet dhe liri. Një shtet ku të punohet për popull, jo populli të punojë për një grusht banditësh, të cilëve nuk u ka mbetur as fytyrë të shkojnë në Kullën e Jasharajve, e dinë ata vetë pse.

Presidentja Osmani është shumë më e ndershme karshi luftës, karshi UÇK sepse kurrë ne jetën e saj nuk e ka përdorur për të arritur qëllimet e saja, të gjitha synimet e saja i ka arritur me punë dhe nder. Jo, si ata që kanë vjedhur në emër të saj, duke e përdorur UÇK-në si mburojë për hajninë e tyre, për vilat e tyre, veturat, shtëpitë dhe jetën luks pa asnjë ditë punë. Të tillët janë e keqja e Kosovës dhe UÇK-së, jo Vjosa dhe ata që me djersë dhe mund kanë arritur të ecin në jetë dhe ku nderin që i bëjnë UÇK-në e konceptojnë si obligim dhe përulje. UÇK është lënduar nga ata që në emër të saj kanë vjedhur, jo nga ata që e nderojnë dhe respektojnë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat