Pa aktgjykim dënues – nuk ka konfiskim të pasurisë

Opinione

Pa aktgjykim dënues – nuk ka konfiskim të pasurisë

Prof.Dr.Kadri Bicaj Nga Prof.Dr.Kadri Bicaj Më 24 prill 2021 Në ora: 11:57
Foto ilustruese

1. Konfiskimi është pjesë vitale në procedurën penale bashkëkohore, posaçërisht në kuptim të kriminalitetit të organizuar ndërkombëtar e të korrupsionit dhe veprave tjera penale të cilat krijojnë pasuri të kundërligjshme për grupe të vogla njerëzish. Askush nuk mund ta mbajë përfitimin pasuror të cilën e ka fituar në mënyrë të kunderligjshme. Përkatësisht, çdo fitim pasuror që rezulton dhe del si rezultat i ndonjë vepre penale nuk ka mbeshtetje juridike dhe për këtë rrethanë fitimin e këtillë askush nuk mund ta mbajë. Përfitimi apo dobia pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale më se shpeshti është me të holla apo gjesende të vlefshme. Konfiskimin e fitimit pasuror si mas të posaçme penalo-juridike e cila masë nuk konsiderohet lloj i sanksionit penal, edhe pse me te në mënyrë dalluese dhe në mënyrë të veçantë dhe specifike realizohet qëllimi të cilin e kanë edhe sanksionet penale – në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit. Njiherit përpjekjet apo intenca e ligjit është qe me anë të masave të karakterit preventiv të bëhet i pamundshëm fitimi pasuror me anë të kryerjës së veprës penale. Dobia pasurore e fituar me anë të kryerjes se veprës penale, konfiskohet nga gjykata kompentente që është e thirrur dhe ka të drejtë për të zgjidhur çështjen në fjalë në bazë të ligjeve e të rregullave në fuqi duke u bazuar në parimin e drejtësisë që kanë karakter të preventivës gjenerale.

2. Pa aktgjykim denues të formës së prerë nuk ka konfiskim të pasurisë. Konfiskimi i fitimit pasuror mund të ekzekutohet vetëm me aktgjykimin denues i plotëfuqishëm i cili aktgjykim është vendim gjyqësor me të cilin zgjidhet çështja penale lendore konkrete e çështjes proceduralo-penale. Për këtë arsye aktgjykimi i formës së prer ka fuqin e ligjit për çështjen konkrete penale dhe nepërmjet tij zbatohen masat e shtrengimit shtetëror kundër atyre që është vertetuar se kanë kryer vepër penale e përfitimit pasuror të cilën e ka fituar në mënyrë të kunderligjshme me anë të kryerjes se veprës penale. Njiherit aktgjykimi si i tillë është i detyrueshëm për të gjithë dhe është e drejtë eksluzive e gjykatës.

3. Sipas dispozitave të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së) në fuqi konfiskimi i pasurisë përjashtimisht ka karakter të dënimit. Nenit 92 i Kodit penal në fjalë përmban dispozitën e karakterit detyrues, përcakton dhe përkufizon konfiskimin e mjeteve dhe dobisë pasurore që është përfituar me vepër penale. Konfiskimi i pasurisë mund të shqiptohet vetëm për veprat penale të caktuara, madje krahas dënimit me burgim të përjetshëm. Për këtë shkak, në radh të parë nga vetit e karakterit ose bindjet që e shtyejnë njeriun të veprojë me shkaqet e drejtësisë, Kodi penal parasheh konfiskimin e pasurisë me aktgjykim të formës së prerë që është përfituar me vepër penale prej kryesit. Kjo masë shqiptohet në rastet kur kryesit të veprës penale i shqiptohet dënimi kryesor, dënimi alternativ, vërejtja e gjykatës dhe lirimi nga dënimi.

4. Lidhur me pasurinë që dyshohet se e njejta është fituar në mënyrë të kunderligjëshme – ma parë duhet të vertetohet prejardhja e asaj pasurie dhe pastaj nëse konstatohet se ajo pasuri është fituar në mënyrë të kunderligjshme ndaj personit fizik apo juridik duhet të fillohet procedura penale e cila procedurë përfundon me një aktgjykim të formës së prer e cila pasuri konfiskohet. Sa i përket procedurës juridiko-civile, edhe në këtë rast çështja civile mund të zgjidhet me aktgjykim të formës së prer për ato raste kur pasuria nuk është fituar me vepër penale por në baza të palejueshme në kundershtim me dispozitat e rendit publik ose baza është e palejueshme me të metat e vullnetit, me kanosje, mashtrim dhe me konflikt interesi dhe me kontrata të rrëzueshme të gjitha këto të rregulluara me Ligjin për marrëdheniet e detyrimeve.

5. Lidhur me kushtet dhe mënyrat e konfiskimit të pasurisë, para se gjithash dobia pasurore merret nga kryesi i vepres penale. Në rast kur fitimi pasuror është realizuar nga kryerja e veprës penale në bashkëveprim, atëherë duke e rrespektuar parimin e përgjegjësisë subjektive dhe individuale, këtë masë gjykata ia shqipton secilit pjesëmarrës sipas bindjës se lirë të gjykatës dhe për secilin e cakton lartësin e fitimit të realizuar me vepër penale e cila merret. Kryesit të veprës penale i konfiskohen të gjitha të mirat materiale si të hollat, sendet me vlerë,mjetet themelore dhe çdo dobi tjetër pasurore që është fituar me anë të kryerjës së veprës penale. Pas konfiskimit të pasurisë apo marrja e fitimit pasuror me anë të kryerjes se veprës penale me veprim apo mosveprim si një masë penalo-juridike nuk mund të dëmtojë të drejtat e të dëmtuarit. Fitimi pasuror i krijuar me vepër penale merret vetëm në rast se i dëmtuari nuk është i njohur ose nuk e ka paraqitur kërkesën pasuroro-juridike në procedurën penale, e nëse i dëmtuari e ka paraqitur kërkesën pasuroro-juridike, fitimi pasuror i arritur me vepër penale merret vetëm në atë masë sa e ka tejkaluar fitimi i realizuar shumën e caktuar nga ana e gjykatës që i jepet të dëmtuarit, respektivisht i merret në terësi nëse i dëmtuari në terësinë e kërkesës pasurore-juridike është dërguar në procedurë civile.

6. Siç shihet me këtë masë për sigurimin e interesave pasurore përkohësisht i kufizohet mundesia e të pandehurit ose personit tjetër që të tjetërsojë, ose në ndonjë mënyrë tjetër ta shkatërrojë sendin, apo pasurinë e cila është objekt i kërkesës pasurore juridike deri sa të përfundojë procedura juridike civile apo penale. Këtë masë e karakterizon të vendosurit me aktvendim dhe atë në proceduren paraprake ku përfshihet; hetimi, ngritja e aktakuzës, shqyrtimi i parë dhe i dytë fillestar duke vendosur gjykatësi i procedurës paraprake, ndersa në shqyrtimin gjyqësor kryetari i trupit gjykues. Kur konfiskimi nuk është i mundur në procedurën penale, Gjykata urdhëron kryesin e veprës penale për të paguar një shumë që ka vlerë të barabartë e mjeteve dhe dobisë pasurore që është përfituar me vepër penale ose Gjykata do të konfiskoj çdo pasuri te të pandehurit me vlerë të barasvlefshme dhe“sendet e përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale apo sendet të cilat janë rezultat i kryerjes së veprës penale”. Ka tri mënyra për të konfiskuar sendet pas shqyrtimit gjyqësor. Së pari, nëse ato merren gjatë kontrollit të zbatuar sipas urdhrit të gjykatës, ato i nënshtrohen konfiskimit nëse ceken në aktakuzë. Së dyti, prokurori i shtetit mund të kërkojë nga gjykata që të lëshojë urdhër për sekuestrimin e sendeve përkohësisht në procedurën paraprake deri sa të kryhen hetimet, dhe pastaj nëse ato sende ceken në aktakuzë ato mund t’i nënshtrohen konfiskimit. Së fundmi, prokurori i shtetit mund të ngrijë pasuritë. Ngrirja e pasurive nuk i vë ato pasuri nën kontrollin e shtetit, por vetëm e pengon të pandehurin nga shitja e pasurive apo qasja në llogari bankare. Nëse gjykata pastaj nxjerr urdhër ndalues për pasuritë e ngrira dhe nëse më vonë ato pasuri ceken në aktakuzë, gjithashtu mund të bëhet edhe konfiskimi i tyre. Për më tepër, pasuritë gjithashtu mund të konfiskohen pa gjykim nëse ato ceken në marrëveshjen me shkrim për pranim të fajësisë. Pas kontrollit të urdhëruar nga gjykata, në procedurën penale, përcakton sendet të cilat mund të konfiskohen, dhe sende të cilat mund të jenë prova në procedurë penale si dhe sendet të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat