Shqiptarët dhe interesi kombëtar i tyre

Opinione

Shqiptarët dhe interesi kombëtar i tyre

Nga: Xhelal Zejneli Më: 6 maj 2021 Në ora: 07:52
Xhelal Zejneli

Në periudhën e pluralizmit, në hapësirat shqiptare në Ballkan u krijuan rrethana që bënin të mundur depërtimin e ndikimeve të huaja. Të interesuar për t’u penetruar në botën shqiptare ishin Turqia dhe vende të caktuara arabe. Kuptohet, edhe vende të tjera. Këto ndikime ushtrohen dhe realizohen nëpërmjet individëve, grupeve dhe klerikëve të caktuar islamikë shqiptarë. Në shërbim të pretendimeve të Turqisë dhe të vendeve arabe janë edhe mediume të caktuara shqiptare, ndonjë intelektual, gazetar, analist dhe disa të ashtuquajtura shoqata humanitare. Qëllimi i vendeve të sipërthëna nuk ka të bëjë me fenë, por është politik.

Qëllimi i Ankarasë është që në një pjesë të Gadishullit Ballkanik të ketë sferën e vet të ndikimit dhe zonën e vet të interesit. Me fjalë të tjera, Bosnja dhe Hercegovina (pa Republikën Serbe), Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia të jenë zonë turke e interesit dhe sferë turke e ndikimit. Një pjesë e madhe e popujve të vendeve të sipërthëna janë të fesë islame. Mbi ta Perandoria Osmane ka sunduar pesë shekuj. Tani Turqia, sipas ideologjisë së neo-osmanizmit, do të kishte dashur të rikthehej në gadishull. Zona e interesit dhe sfera e ndikimit, në gadishullin që është pjesë e Evropës, ka rëndësi të jashtëzakonshme për një fuqi të madhe. Zonat e interesit dhe sferat e ndikimit janë preokupim i fuqive të mëdha, po aq sa edhe gjatë luftës së ftohtë.

Pretendimet e Ankarasë dhe të vendeve të caktuara arabe për të ushtruar ndikim në hapësirat shqiptare në Ballkan, janë në kundërshti të plotë me interesat kombëtarë të shqiptarëve.

Autoritetet shqiptare nuk kanë pasur kapacitet të duhur për t’i parandaluar në mënyrë efektive synimet e Ankarasë dhe të vendeve arabe për të ushtruar ndikim në botën shqiptare dhe nuk kanë treguar interesim të duhur për ta parandaluar ndikimin e vendeve të Orientit në botën shqiptare.

* * *

Qarqe të caktuara islamike shqiptare nuk duan që të identifikohen me kombin shqiptar. Këtyre qarqeve nuk u intereson:

- prejardhja ilire e shqiptarëve;

- identiteti kombëtar i shqiptarëve;

- historia e popullit shqiptar;

- madje as gjuha e shqiptarëve – shqipja.

Këto qarqe islamike shqiptare:

- mohojnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun;

- mohojnë periudhën e luftërave të Skënderbeut;

- mohojnë periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare;

- mohojnë rilindësit shqiptarë.

Këto qarqe nuk çajnë kokën për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë (1887), për Kongresin e alfabetit të gjuhës shqipe (1908), e as për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë (1912).

Këto qarqe i injorojnë dhe i mohojnë figurat dhe vlerat më të mëdha të kombit, siç janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza dhe Ismail Kadareja. Madje jo vetëm që i injorojnë dhe i mohojnë, por edhe shkruajnë dhe flasin zi e më zi për ta.

Me fjalë të tjera, këto qarqe islamike shqiptare, historinë antiosmane të popullit shqiptar, nuk e konsiderojnë si histori të lavdishme të tij, por si dështim historik për shqiptarët e fesë islame. Këto qarqe pra, e injorojnë dhe e mohojnë periudhën më historike të popullit shqiptar – atë të luftërave dhe të kryengritjeve antiosmane.

Këto qarqe islamike shqiptare fare nuk çajnë kokën për integrimin e shqiptarëve në strukturat euro-atlantike – në BE dhe në NATO, pavarësisht nga fakti se Turqia është anëtare e Aleancës Veri-Atlantike dhe se me dekada synon të bëhet anëtare e BE-së. Këtyre qarqeve u pengon orientimi proamerikan i shqiptarëve, pavarësisht nga fakti se Arabia Saudite, ku ndodhen dy vendet më të shenjta të fesë islame, është aleate e ngushtë e ShBA-së.

Qarqet e sipërthëna islamike shqiptare nuk e duan integrimin e shqiptarëve në strukturat euro-atlantike. Ata duan integrimin e shqiptarëve në botën islamike, integrimin me Turqinë dhe me botën arabe.

Këto qarqe islamike shqiptare nuk duan të dëgjojnë se shqiptarët janë popull evropian, popull që i përkasin kontinentit të vjetër dhe qytetërimit perëndimor. Ata nuk i pranojnë humanistët shqiptarë – Marin Barletin, Mikel Marulin, Leonik Tomeun, Maksim Grekun, Marin Beçikemin, Gjon Gazulin. Ata nuk i njohin shkrimtarët e letërsisë së vjetër shqiptare – Gjon Buzukun, Frang Bardhin, Lekë Matrëngën, Pjetër Budin, Pjetër Bogdanin.

Sipas këtyre qarqeve, shqiptarët duhet të funksionojnë me vlera islamike, rrjedhimisht me sistem oriental të vlerave dhe si të tillë duhet t’i takojnë Turqisë, botës arabe, përkatësisht islamike, ndaj duhet sjellë në hapësirat shqiptare Turqinë apo vendet arabe.

Këto qarqe paraqiten si përçues të interesit turk apo arab, në atë pjesë të Gadishullit Ballkanik ku jetojnë myslimanët, d.m.th. shqiptarët dhe boshnjakët, duke shpërfillur faktin se shqiptarët, për dallim prej boshnjakëve, u përkasin tri feve.

Këto qarqe islamike shqiptare duhet ta dinë se feja nuk është komponentë e identitetit kombëtar. Feja nuk është politikë as ideologji. Feja nuk është instrument propagandistik. Po qe se feja shndërrohet në politikë, në ideologji dhe në instrument propagandistik, atëherë ajo pushon të jetë besim në Zot. Feja është çështje private dhe personale e individit. Shqiptarët nuk identifikohen me fenë. Në saje të prejardhjes së përbashkët, të lashtësisë, të autoktonisë, të gjuhës, të traditave popullore dhe të historisë, shqiptarët janë popull me identitet të padiskutueshëm.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, më parë se figurë fetare, është personalitet politik. Ai luftoi kundër Perandorisë Osmane, në vendin e vet, në Shqipëri. Rrjedhimisht, luftërat e tij antiosmane ishin luftëra politike dhe kombëtare. Po të kishte bërë luftëra fetare, do të kishte luftuar në vende të tjera - të krishtera - të Ballkanit. Prandaj Skënderbeu u takon të gjithë shqiptarëve, pa dallim përkatësie fetare. Ai është hero kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Ata që e paraqesin Skënderbeun si prijës luftarak që ka mbrojtur krishterimin dhe qytetërimin perëndimor, kanë qëllime politike pragmatike, për interesin kombëtar të shqiptarëve.

Ka të tillë që e pandehin Skënderbeun si një mit. Duhet ditur se nuk ka popull në botë që nuk ka jetuar në mite dhe në legjenda, me mite dhe me legjenda, përfshi edhe popujt më të zhvilluar të rruzullit. Edhe sot, shumë popuj në botë, pa përjashtuar edhe popujt e vendeve më të industrializuara, jetojnë me mite dhe me legjenda. Ka popuj që në faza të caktuara të zhvillimit të tyre kanë nevojë për mite dhe për legjenda. In ultima linea, Skënderbeu nuk është mit. Ai është realitet historik për të cilin kombi shqiptar ka nevojë edhe sot.

Udhëheqja politike shqiptare në Ballkan dhe mbarë shoqëria shqiptare, paraqiten para botës me figurën e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës, jo për t’i irrituar shqiptarët e fesë islame, por për interesa të kombit shqiptar, pjesë e të cilit janë edhe shqiptarët e fesë islame. Skënderbeun në Prishtinë, në Shkup apo në Dibër nuk e sollën shqiptarët e fesë ortodokse apo të fesë katolike. E sollën shqiptarët e fesë islame. Kur Skënderbeu erdhi në Shkup, që nga Qafa e Thanës e këndej, e pritën në të gjitha qytetet e Maqedonisë veriperëndimore, mijëra shqiptarë të fesë islame. Askush nuk u kishte bërë thirrje që të dilnin për ta pritur.

* * *

Në vende të caktuara, kleri është në funksion të ideologjisë kombëtare dhe të interesit kombëtar. Kleri grek apo Kisha Ortodokse Serbe përbëjnë thelbin e ideologjisë kombëtare greke, përkatësisht serbe. Në vende të caktuara islamike feja nuk është e ndarë nga shteti. Rrjedhimisht, kleri i atyre vendeve është pjesë përbërëse e sistemit politik dhe është në funksion të politikës shtetërore.

Rasti i klerit islamik shqiptar nuk duhet të jetë atipik. Për dallim nga qarqet islamike shqiptare, të cilat për interesa të Turqisë apo të vendeve arabe e injorojnë interesin kombëtar shqiptar dhe i mohojnë vlerat kombëtare shqiptare, kleri islamik shqiptar, derisa vepron në rrugën institucionale, duhet të jetë pjesë përbërëse e ideologjisë kombëtare shqiptare dhe duhet të mbrojë vlerat kombëtare shqiptare. Qarqe të caktuara islamike shqiptare që veprojnë në anë të kundërt të interesit kombëtar shqiptar, duhet ta dinë se interes strategjik i popullit shqiptar, nuk është Turqia apo ndonjë nga vendet arabe, por integrimi në strukturat euro-atlantike dhe miqësia me ShBA-në, e cila më 1919 e mbrojti Shqipërinë nga synimet grabitqare të fqinjëve serbo-grekë, më 1999, bashkë me UÇK-në, e çliroi Kosovën, në vitin 2008 mbështeti shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa në vitin 2009 e pranoi Shqipërinë në NATO. Lidhja e shqiptarëve me Perëndimin nuk bëhet në dëm të shqiptarëve të fesë islame. Me vendet e Orientit, në interes të ndërsjellë, shqiptarët mund të kenë dhe duhet të kenë marrëdhënie ekonomike. Lidhja me Perëndimin, për shqiptarët është çështje sigurie dhe perspektive.

Është e drejtë njerëzore dhe demokratike e një shqiptari mysliman që një vlerë, dukuri apo praktikë perëndimore që është e papranueshme për të, ta refuzojë dhe të mos e praktikojë. Shqipëria dhe Kosova janë vende demokratike. Normat dhe parimet etike individi i zgjedh vetë.

* * *

Pothuajse në asnjë vend të botës, falja e mëngjesit të Bajramit nuk kryhet në sheshin e qytetit apo të kryeqytetit. Duke i kryer ritualet fetare në sheshin e kryeqytetit, qarqe të caktuara islamike shqiptare, me paramendim i dërgojnë mesazh Evropës:

- se shqiptarët janë popull me fe islame;

- se shqiptarët nuk janë evropianë;

- se shqiptarët nuk i takojnë qytetërimit perëndimor;

- se shqiptarët nuk janë properëndimorë;

- se shqiptarët nuk janë me Brukselin dhe Uashingtonin, por me Ankaranë dhe me botën arabe;

- se teoria mbi harmoninë fetare në botën shqiptare, nuk është veçse një iluzion, utopi dhe teori politike romantike, d.m.th. jo si është realisht por si duhet të jetë;

Nuk është e vërtetë se ndër shqiptarë nuk ka harmoni dhe tolerancë fetare, siç pandehin qarqe të caktuara islamike shqiptare. Krerët e bashkësive fetare shqiptare duhet ta dinë se interesin kombëtar shqiptar e përkufizon politika dhe jo qendrat fetare. Politika zyrtare e Tiranës dhe e Prishtinës është proevropiane dhe properëndimore. Qarqe të caktuara islamike shqiptare, me veprimet e tyre pro Orientit, e sfidojnë orientimin properëndimor të zyrtarëve politikë shqiptarë. Ata e dinë mirë se Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë marrëdhënie të mira edhe me Turqinë edhe me vendet arabe, siç kanë edhe me shumë vende të tjera të botës.

Shumë vende arabe dhe shtete me popullsi myslimane ende nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës. Ka shtete arabe dhe shtete me popullsi myslimane të cilat votojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke u rreshtuar kësisoj në anën e Serbisë dhe të Rusisë.

Edhe pse veprimet pro-orientale të qarqeve të caktuara islamike shqiptare janë në kundërshti me interesin kombëtar shqiptar dhe me interesin strategjik të popullit shqiptar, krerët politikë shqiptarë, për interesa personalë dhe partiakë i kanë toleruar veprimet e këtyre qarqeve. Nga kjo rezulton se për krerët politikë shqiptarë, interesi personal dhe partiak është mbi interesin kombëtar shqiptar dhe mbi interesin strategjik të popullit shqiptar. Një gjë e tillë ndodh vetëm në vendet me kapacitet shtetndërtues të kufizuar. Mirëpo në abuzime, politikanët shqiptarë demonstrojnë kapacitet të plotë.

Veprimet që janë kundërshti me interesin kombëtar shqiptar dhe me interesin strategjik të popullit shqiptar kryhen në kohën kur Prishtinës i kërkohet:

- të krijojë në Kosovë, bashkësinë e komunave me shumicë serbe; dhe

- të zgjidhë - në dëm të Kosovës - çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

* * *

Herë-herë, autoritete të larta të Turqisë deklarojnë se turqit dhe shqiptarët janë vëllezër, janë të një gjaku. Deklaratat e këtilla janë absurde dhe nuk janë në interes të popullit shqiptar. Shqiptarët dhe turqit janë dy popuj të veçantë. Gjuha shqipe është gjuhë indoevropiane, turqishtja ndërkaq bën pjesë në familjen e gjuhëve uralo-altaike – në grupin e gjuhëve turan, ku bëjnë pjesë edhe gjuhët ugrofine, gjuhët samojed, dhe gjuhët altaike, d.m.th. manxhutunguze, turko-tatare dhe mongole.

Sipas qarqeve të caktuara të Ankarasë, turqit dhe shqiptarët kanë kulturë dhe histori të përbashkët. Sipas deklaratave dhe qëndrimeve të lartpërmendura, del se shqiptarët nuk janë popull evropian. Me qëndrime të tilla, qarqe të caktuara të Turqisë vënë në dyshim ekzistimin e popullit shqiptar. Me pohimet e sipërthëna të disa zyrtarëve të Ankarasë, mohohet pjesa antiosmane e historisë së popullit shqiptar. Por, dihet mirëfilli se historia e popullit shqiptar nuk ndërtohet nga shqiptarët që kanë qenë në shërbim të Perandorisë Osmane, por prej atyre që luftuan për t’u shkëputur prej saj. Historinë e Kosovës nuk e krijuan ‘shqiptarët e ndershëm’ që ishin në shërbim të Beogradit, por ata që u flijuan për lirinë e saj.

Ndaj deklaratave dhe qëndrimeve absurde të autoriteteve turke se turqit dhe shqiptarët na qenkëshin vëllezër dhe popuj të një gjaku dhe se turqit dhe shqiptarët paskëshin kulturë dhe histori të përbashkët, nuk reagojnë as shteti shqiptar, as Prishtina zyrtare dhe as institucionet shkencore më të larta të kombit, siç janë institutet e akademive të shkencave. Një indolencë e tillë dhe një qëndrim pasiv i tillë ndaj mohimit të qenies kombëtare shqiptare, nuk mund të haset në asnjë vend të konsoliduar të Ballkanit apo të kontinentit të vjetër. Nuk është e rastit që Shqipërinë dhe Kosovën, Brukseli tenton ta përfshijë në tregun e përbashkët të Ballkanit Perëndimor, ku bëjnë pjesë popuj sllavë të jugut, përkundër faktit se shqiptarët nuk janë sllavë dhe se kanë qenë në konflikt historik me ta. Nuk mjafton që shqiptarët të thonë se janë popull evropian, properëndimor dhe aleatë të ShBA-së, e në anën tjetër të funksionojnë me sistem oriental të vlerave. Shqiptarët sot, gëzojnë një mbështetje shumë më të vogël të qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe të Brukselit, seç gëzonin dikur.

* * *

Shqiptarët u takojnë tri feve – islame, ortodokse dhe katolike. Ç’do të ndodhte sikur shqiptarët e fesë katolike të lidheshin me Romën, shqiptarët e fesë ortodokse – me Athinën, ndërsa shqiptarët e fesë islame – me Turqinë, me vendet arabe apo me Teheranin?! Veprimet e cilësdo bashkësi fetare shqiptare që do të cenonin vlerat kombëtare shqiptare, nuk do të priteshin mirë nga dy bashkësitë e tjera fetare. Një përçarje e shqiptarëve mbi baza fetare do të shkaktonte bosnizimin e shqiptarëve. Nuk duhet vepruar që feja te shqiptarët të shndërrohet në një çështje të ndjeshme. Përçarja e shqiptarëve mbi baza fetare do të shfrytëzohej nga faktorë të jashtëm për ndërhyrje në punët e brendshme të botës shqiptare. Nuk duhet lejuar libanizimin e botës shqiptare.

Veprime të caktuara të disa qarqeve islamike shqiptare, drejtpërsëdrejti shkojnë në favor të Beogradit, të Athinës dhe të Moskës. Serbët, grekët dhe rusët, që nga koha e Kongresit të Berlinit e deri në ditët tona, kanë thënë nëpër kancelaritë evropiane:

- se shqiptarët janë mbetje turke në Ballkan;

- se shqiptarët janë përçues të interesit turk në rajon;

- se shqiptarët funksionojnë me sistem turk, arab apo persian të vlerave;

- se shqiptarët përçojnë traditat islame në gadishullin e krishterë dhe në Evropën e krishterë.

Rrjedhimisht, Perëndimi nuk duhet t’i mbështesë shqiptarët. Sipas tyre, shqiptarët nuk duhet të kenë shtet dhe nuk meritojnë të kenë shtet; Perëndimi nuk duhet ta mbështesë çështjen shqiptare në Ballkan dhe as çështjen e Kosovës; trojet shqiptare duhet t’u lihen serbëve dhe grekëve.

Sot serbët, grekët dhe rusët nuk kanë nevojë të angazhohen dhe të lodhen nëpër kancelaritë evropiane për t’u thënë perëndimorëve se shqiptarët janë përçues të islamit politik në Evropën e krishterë. Këtë e bëjnë sot, shumë më mirë se serbët, grekët dhe rusët – vetë shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat