Reagim ndaj avokatit Besnik Berisha

Opinione

Reagim ndaj avokatit Besnik Berisha

Nga: Prof. dr. Nusret Pllana Më: 13 maj 2021 Në ora: 23:57
Nusret Pllana

Të nderuar lexues!

Në emisionin Pressing (të datës, 11 maj 2021), që e udhëhiqte Leonard Kerquki, tema ishte Përgatitja e aktakuzës për gjenocidin serb mbi shqiptarët, nga ana e kryeministrit Albin Kurti.

Në emision, pjesëmarrësi Besnik Berisha, avokat, më shumë merrej me veprat dhe përgatitjen time shkencore e intelektuale, se sa me temën që shtjellohej. Por, për të mos e prishur rrjedhën e emisionit, si dhe për të mos rënë në nivelin e bashkëbiseduesit, nuk jam ndal për të sqaruar gjithë atë që i mungonte si informacion avokatit, Besnik Berisha.

Andaj, ndjej obligim ndaj lexuesve të mi, miqve të mi, bashkëpunëtorëve të mi, me të cilët kemi bërë aq shumë punë bashkë në shërbim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, kurse pas Luftës së lavdishme të UÇK-së, edhe për zbardhjen e krimeve serbe mbi shqiptarët në Kosovë, që të jap përgjigje për dy-tri çështje që e kishin preokupuar aq shumë z. Besnik Berisha.

Së pari, ky avokat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në vend që të merrej me temën që ishte caktuar për shqyrtim, merrej me mua, duke thënë se unë, Nusret Pllana, atyre librave dhe veprave të mia, ju kisha parë hajrin, sepse jam graduar në fushën e dijes shkencore.

Së dyti, avokatit Besnik Berisha, mund t’ia dëshmojnë edhe institucionet shkencore në Tiranë, ku kam mbrojtur temën e magjistraturës, edhe në Universitetin e Evropës Juglindore, ose SHTUL, në Tetovë, si njihet në opinion, ku kam mbrojtur tezën e disertacionit të doktoraturës, për nivelin e temave të mia. Përveç kësaj, zoti avokat, veprat janë të botuara dhe urdhëro e merre lapsin dhe shkruaj për to, nëse ke njohuri, si dhe nëse ke përgatitje që të merresh me nivelin e temave të mia. Që të dy këto grada shkencore që kam mbrojtur unë, kanë të bëjnë me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare dhe me krimet gjenocidale që kanë bërë serbët në Kosovë.

Por sa dukej, avokatit Besnik Berisha më shumë i flinte se çka kishte thënë Beogradi dhe Gjuriqi për veprimtarinë time, se sa se çka shkruhej dhe çka thuhej në veprat e mia. Është e mjerueshme, që një intelektuali të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më tamam i bie se çka thotë shtypi dhe politikanët e Beogradit, edhe pse as ai, Gjuriqi, as avokati, Besnik Berisha, jo vetëm nuk i kanë parë veprat e mia, por as që i kanë pasur në duar, e të mos flasim se a i kanë lexuar. Kur atij i interesonte se sa faqe ka libri im, në vend që të merrej konkretisht se çka përmbante libri, do të thotë se ai nuk dinte asgjë, jo vetëm për këtë vepër time, por për asnjë tjetër.

Kurse unë, miku im i nderuar, që më shumë i beson gazetave të Beogradit, se sa veprimtarisë shkencore që botojmë dhe promovojmë, kudo në Evropë dhe në botë, kam botuar dhe kam promovuar, përveç të tjerash, edhe këto vepra të natyrave të ndryshme, por të gjitha me temë Luftën heroike të UÇK-së dhe për ta dëshmuar gjenocidin e Serbisë fashiste mbi shqiptarët.

Pra, unë jam autor, i mbi njëqind (100) veprave, të profileve dhe të fushave të ndryshme shkencore, por përherë me temë luftën për liri, në të cilën kam qenë ushtar i saj, si dhe për të zbuluar gjenocidin serb në Kosovë. Më tutje, janë mbi pesëdhjetë (50) filma dokumentar, që kanë zgjuar interesimin e opinionit këtu dhe kudo në botë, ku janë shfaqur. Në vazhdim, deri tashti kam realizuar më shumë se pesëdhjetë emisione ‘‘Dëshmitë e Heshtura’’ në RTK, ku temë është krimi gjenocidal serb mbi shqiptarët. Jam autor i më shumë se shtatë (7) ekspozitave me dëshmi për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Sa për njohurinë tënde dhe të politikës që përfaqëson, ekspozita ime, është ndalur nga UNMIK-u në sallën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, para se të hapej për publikun, andaj e kemi hapur në Muzeun historik të Tiranës, të cilën pastaj ia kemi dhuruar Arkivit të Shtetit në Tiranë.

Disa nga veprat e mia, që i paskeni lexuar edhe ti, edhe Gjuriqi në Beograd, kanë pasur mbi njëqind e njëzet (120) përurime në Evropë, në SHBA, në Australi dhe në Kanada.

Kurse vepra ime, Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1884-1999, është përuruar dy herë në Kongresin Amerikan, më 2012 dhe më 2014.

Kësaj here kaq, duke të bindur se nuk më intereson aspak as “popullizmi” i Albin Kurtit, për të cilin fole sa të zinte goja, por as pacifizmi yt, që aq shumë u besoje gazetave dhe gjuriqëve të Beogradit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat