Kriminaliteti i organizuar me narkotikë (droga) prej rajoneve prodhuese deri te ato konsumuese

Opinione

Kriminaliteti i organizuar me narkotikë (droga) prej rajoneve prodhuese deri te ato konsumuese

Nga: PROF:DR:KADRI BICAJ Më: 18 maj 2021 Në ora: 16:59
Kadri Bicaj

Për nga pozita e vet gjeografike, vendet ballkanike paraqesin një rajon përmes të cilit kalojnë kanalet ilegale të kriminalitetit të organizuar me narkotikë prej Lindjes drejt Perëndimit. Gjatë viteve të fundit, në pikat kufitare të këtyre vendeve janë zbuluar dhe konfiskuar mijëra kilogramë lloje të ndryshme lëndë narkotike.

Në bazë të shënimeve statistikore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, prodhimtaria legale vjetore është 2000 tonë narkotikë ose drogë, prej të cilave 900 tonë ose 45% përdoret në sektorin e shëndetësisë dhe për nevoja shkencore-kërkimore që i përmbush nevojat e tërësishme botërore. Këto sasi paraqesin hiperproduksion, ashtu që ato janë lëndë qarkullimi ilegal që çojnë kah kriminaliteti i organizuar në fushën e narkotikëve. Ndërkaq, rajonet kryesore që i konsumojnë narkotikët e ndryshëm gjenden në SHBA dhe në shtetet evropiane.

1. Kriminaliteti i organizuar me narkotikë ose drogave prej rajoneve prodhuese deri të ato kunsumuese

Deri para disa vjetësh kriminaliteti i organizuar i lëndëve narkotike ose drogave (prej rajoneve prodhuese deri te ato konsumuese), ishte në dy drejtime. Njëri drejtim ka qenë nga Azia Juglindore, ku është baza e morfiumit (nëpër Bangkok mjetet narkotike janë bartur deri në Hong-Kong, ku është përpunuar në heroinë). Nga Hong-Kongu heroina është bartur në SHBA nëpër Losë Angjelos dhe Sanfrancisko, ku është shitur në tërë territorin e SHBA-ve.

Drejtimi tjetër ka qenë nga Turqia, një pjesë nëpër Siujdhesën e Ballkanit dhe Evropës së Mesme për në Francë, e një pjesë nëpër Lindjen e Afërme nëpër det nëpërmjet Italisë për në Francë, ku në Marsej është përpunuar në heroinë. Duke bërë fjalë për kriminalitetin e organizuar në përgjithësi e në veçanti për atë me lëndë narkotike thuhet;"se është dukuri që kriminelet profesional që merren me kriminalitetin e organizuar me lëndë narkotike, janë gjithnjë të organizuar në grupe të ndryshme kriminale, banda dhe grupe të ngjashme të bashkimit në grupet të strukturuara të cilët në mënyrë të ndërsjellë bashkëpunojnë në procesin e kryerjes se veprave penale, si profesion i tyre i rregullt". Po ashtu i njëjti autor duke folur për kriminalitetin e organizuar në përgjithësi thotë: "Krahas procesit të lidhshmërisë në baza ekonomike te të gjitha shteteve dhe popujve, edhe kriminaliteti i organizuar me mjete narkotike si dukuri mjaft e rrezikshme shoqërore, po merr gjithnjë e më tepër karakter internacional".

Kriminaliteti i organizuar me lëndë narkotike nuk njeh kufij shtetërorë, rajonalë, madje edhe kontinentalë. Për këtë arsye, kriminaliteti i organizuar me lëndë narkotike ose droga (duke nënkuptuar këtu edhe prodhimin dhe përpunimin e kultivimin e paautorizuar në forma të jashtëligjshme) është një ndër format më tipike të kriminalitetit në përgjithësi dhe i ashtuquajturi kriminalitet me përmasa ndërkombëtare, sepse rrethanat objektive e caktojnë natyrën dhe formën e tij.

2. Disa forma dhe metoda të përdorura nga grupet kriminale për tregtimin e narkotikëve

Kriminaliteti i organizuar me lëndë narkotike realizohet me metoda të ndryshme, ndër të cilat më i përhapur është transportimi i tyre duke ngjitur narkotikë nëpër pjesë të petkave që kanë të veshura. Në të vërtet këtu është fjala për kriminalitet profesional, për njerëz që udhëtojnë ndokund nëpër botë dhe organizojnë aktivitete kriminale si forma të përhershme të profesionit të tyre, ku më shumë e preferojnë kriminalitetin e organizuar me mjete narkotike ose droga, meqë ajo punë iu paguhet më shpejt, pasojat e të cilëve po ndihen nëpër të gjitha shtetet e botës.

Format e tjera të shpeshta janë fshehja e narkotikëve në taket e këpucëve, nëpër përslluk të punuara enkas për qëllime tregtie të palejuar me narkotikë. Femrat shtatzëna, narkotiket i fshehin nën pjesët e fundit të stomakut të cilat udhëtojnë zakonisht me fëmijë të mitur, madje edhe nën moshën shtatëvjeçare. Problem jashtëzakonisht të madh paraqesin automjetet e mëdha me shenjën "TIR", me të cilët bartet malli nga Azia e Mesme dhe nga Lindja e Afërme për në vendet e Evropës Perëndimore. Automjetet e mëdha janë shumë ideale pasi në të shumtën e rasteve gjatë transportimit të prodhimeve të ndryshme i fshehin dhjetëra kilogramë lëndë narkotike. Për zbulimin e mjeteve narkotike nuk ia arrijnë dot që të zbulojnë se në ato ngarkesa me mallra të tilla ka lëndë narkotike. Shpeshherë organizatat narkomafioze shfrytëzojnë kamionin frigorifer për bartjen e lëndëve narkotike, ku bashkë me mallra të cilat prishen shpejt siç janë peshqit, bartin edhe lëndë narkotike nga Lindja për në Perëndim. Për ata është me interes importimi i fryteve ekzotike dhe të konservuara, pasi që ekzistojnë mundësi “ideale” dhe me leverdi të mëdha që në mes të mallrave të fshehin sasi të narkotikëve. Zakonisht këto metoda kriminale, grupet kriminale i përdorin kur frekuenca e udhëtimeve, sidomos gjatë sezonit veror, është e madhe dhe iu përshtatet punës se tyre për tregtim të jashtëligjshëm me lëndë narkotike.

Gjithashtu, tregtaret i fshehin lëndët narkotike edhe nëpër rezervuarët për karburante të automjeteve të tyre tepër luksoze. Transporti i lëndëve narkotike zakonisht kryhet nga shtetet e ndryshme të Azisë për në vendet e shteteve evroperëndimore e deri në SHBA.

Megjithatë, studimet e kryera në vendet evropiane sipas disa autorëve, tregojnë se kriminaliteti i organizuar ka njohur një përhapje të madhe veçanërisht pas mileniumit të kaluar dhe se ai shfaqet në forma të ndryshme, ndër të cilat tregtia e palejuar e substancave narkotike ose drogave është ndër format më të shpeshta dhe dukuria që po shqetëson të gjitha vendet e botës, në veçanti SHBA-të dhe Evropën. Lidhur me këtë problem, "në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore po përballën me rritje të shpejtë të rasteve të kultivimit, trafikimit dhe të përdorimit të drogave. Ajo çka është evidente sot, është rritja e rasteve të trafikimit dhe përdorimit të drogave të rënda si heroina, kokaina, etj.

Krahas importeve të lëndëve narkotike ose drogave, sot shumë vende po përballen me fenomenin e kultivimit të drogës, sidomos të kanabis sativa. Në vende të ndryshme të Evropës ku përfshihet edhe Shqipëria gjatë këtyre viteve ka pasur një tendencë rritjeje të kultivimit të kanabisit, ndërkohë që ndër prodhuesit kryesorë të saj në Evropë janë Spanja he Holanda".

Shumë autor, në mënyrë të kuptueshme dhe fare qartë theksojn se shoqëria e sotme po përballet me dy probleme të mëdha: me përdorimin dhe konsumimin e lëndëve narkotike ose drogave, alkoolit nga një masë e gjerë të rinjve si dhe me trafikimin e tyre dhe theksojnë se "me drogën lidhen shumë aktivitete të tjera kriminale si kultivimi, trafikimi ose tregtimi i palejuar dhe i jashtëligjshëm i saj, shitja etj. Fakti që droga prodhohet në vende të ndryshme të botës dhe trafikohet nga Lindja drejt Perëndimit ose brendapërbrenda vendeve, tregon lidhjen që ekziston midis saj dhe krimit”.

Prishtinë,maj 2021 Nga:Prof.dr.Kadri BICAJ

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat