Midis urrejtjes muslimane dhe klubit moral gjerman: Makthi i ri i antisemitizmit

Opinione

Midis urrejtjes muslimane dhe klubit moral gjerman: Makthi i ri i antisemitizmit

Nga: Sherif Ramabaja Më: 23 maj 2021 Në ora: 20:46
Sherif Ramabaja

Armiqësia e ashpër kundër Shtetit të Izraelit në këtë vend e bën edhe një herë të qartë se, antisemitizmi në Gjermani ka shumë aspekte. Mes urrejtjes muslimane dhe klubit moral gjerman, unë jam duke përjetuar një makth të ri antisemit. Ka kohë që është e qartë se çfarë duhet bërë.

Unë mund të akuzoja veten si naiv, sepse kisha besuar se do të gjeja paqe në Gjermani kur u largova nga Izraeli më 2004, në njërin nga të gjitha vendet ku përpara bëhej refuzimi famëkeq i hebrenjve dhe gjithçkaje hebreje. Unë kisha dëgjuar që veçanërisht në Gjermani e kaluara është kuptuar, vetëdija për antisemitizmin është e fortë dhe paqja sociale e sigurt. Unë gjithashtu mendova: Sidoqoftë, do të jetë më mirë kudo tjetër sesa në Izraelin e ndarë politikisht.

Por tash këtu edhe tani, po përjetoj një makth të ri të antisemitizmit. Anti-semitizmi nuk është kthyer - është akoma këtu, po bëhet gjithnjë më i zhurmshëm dhe më agresiv, në pothuajse të gjitha mjediset. Anti-semitizmi nuk është prezent vetëm në kokë tullacët, çizmet luftarake dhe shkopa bejsbolli ose në rroba Salafiste. Anti-semitizmi tashmë vesh një xhaketë, kravatë dhe xhufkë, kostum pantallonash, xhinse, bluzë, veshje sportive, veshje verore ose shall palestinez. Ai duket në institucione, në shkolla, banka dhe në vendet e ndërtimit dhe tregon se është i vështirë të kuptohet.

Antisemitizmi mysliman: i ushqyer nga gjysmë të vërtetat, lajmet e rrejshme dhe agjitacioni i Erdoganit

Por ajo që po shohim ditët e fundit në Gjermani dhe në Evropë, është antisemitizmi mysliman dhe ai duhet të emërohet si i tillë. Ai po paraqitet nga njerëz myslimanë me një sfond migrimi, nga refugjatë, të ushqyer nga imazhe të emocionuara nga interneti, gjysmë të vërteta, lajme të rreme dhe përshkrime të njëanshme të konfliktit të Lindjes së Mesme, të kontrolluara nga Turqia dhe Erdogani, nga transmetuesit arabë dhe shoqatat kulturore të tyre.

Dhe ajo që është bërë e dukshme në rrugët gjermane, nuk ka asnjë lidhje me një kritikë legjitime dhe të domosdoshme ndaj qeverisë në Izrael  dhe ndaj vendimeve të Shtetit të Izraelit.

Ata që duan paqe, nuk i luten një organizate terroriste si Hamas

Nëse doni të solidarizoheni me njerëzit e tillë, me gratë dhe fëmijët e pafajshëm në Gaza , nuk keni pse ta bëni këtë para sinagogave, nuk keni pse të abuzoni me hebrenjtë. Ata që duan paqe, nuk i luten një organizate terroriste si Hamas që sulmon Tel-Avivin me raketa. Të emërtosh kaq qartë këtë, po gjithashtu të përmendësh antisemitizmin pjesërisht të importuar, është hapi i parë drejt ndërgjegjësimit real të problemit. Shumë prej refugjatëve që skandalizojnë në demonstrata të tilla sjellin me vete një socializim antisemitik.

Sidomos njerëzit që vijnë nga vendet arabe, rriten duke urrejtur hebrenjtë: Në vend që të flasin për Shtetin e Izraelit, flasin vetëm për Palestinën. Me faktin se çështja palestineze është e lidhur me një çështje të unit të tyre, komunitetit mysliman. Kjo është e përzier me karikaturat e vjetra, që përshkruajnë hebrenjtë si mishërim i së keqes. Në të kaluarën ajo ishte ose murtajë ose epidemi, komunizëm ose kapitalizëm, por sot etiketat si Themelimi, Bregu Lindor i Amerikës, Zionistët dhe shteti aparteid i Izraelit, përdoren për të shprehur pakënaqësi dhe bestytni. Anti-semitizmi po guxon të shfaqet përsëri; në Gjermani, Francë dhe shumë vende të tjera perëndimore, gjithnjë e më shumë njerëz marrin guximin të shprehin hapur atë që mendojnë gjoja se janë të vërteta ato që thonë për hebrenjtë, Izraelin dhe sionizmin.

Kjo nuk ka të bëjë me përkrahje nga ana e gabuar

Nuk ka të bëjë aspak me zbutjen e qëndrimit ose luftimin e antisemitizmit të djathtë, dhe gjithashtu jo me duartrokitjet nga ana e gabuar. Jo, vetëm ata që e dinë shkakun mund të kërkojnë një zgjidhje, që gjithashtu insistojnë të arrijnë te grupet e synuara. Për ta bërë këtë, ne më në fund duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë, të cilat duhet të kishim bërë pas trazirave të fundit në 2014. Ne nuk kemi nevojë për fjalime të së Dielës ose vigjilencë, por një reformë në sistemin tonë arsimor në mënyrë që të mund t´i arrijmë edhe migrantët dhe refugjatët dhe t'ua bëjmë të qartë të gjithëve se diçka e tillë nuk është e pranueshme në Gjermani.

Ne duhet ta sqarojmë konfliktin e Lindjes së Mesme, kuptohet të diferencuar në shkolla dhe duhet ta bëjmë të mundur dhe të qartë kulturën tonë të përkujtimit, të tolerancës në një shoqëri të larmishme. Ne kemi nevojë për kurse më të mira integrimi dhe kemi nevojë për një shtet të fortë, shumë të fuqishëm kushtetues që tregon shumë qartë, se diçka e tillë nuk ka vend dhe nuk do të tolerohet në Gjermani. Njerëzit që jetojnë këtu me qëndrimet e tyre antisemite, nuk kanë dhe nuk do të kenë kurrfar perspektive dhe nuk do t´u lejohet asnjë biznes në këtë shoqëri.

Imazhi i një Izraeli me vetëbesim, i shqetëson njerëzit në Gjermani

Në punën time të përditshme për parandalimin e ekstremizmit dhe edukimin e njerëzve ndaj antisemitizmit, islamizmit dhe radikalizmin e krahut të djathtë, unë ndeshem me shumë forma të fenomenit, i cili është një nga sfidat më të mëdha në luftën kundër antisemitizmit. Sidoqoftë, ajo që më bën përshtypje në punën time është se sa pak interes shfaqin njerëzit për jetën e përditshme dhe vetëbesimin e Hebrenjve në vend.

Ajo që ata mësojnë rreth jetës hebreje - veçanërisht në shkolla - janë kryesisht rrëfimet për viktimat ndaj tyre. Kjo i bënë, ndër të tjera një pritje joreale, sepse krijon përshtypjen se hebrenjtë në vetvete duhet të jenë moralisht më të mirë se njerëzit e tjerë dhe se ata kanë vuajtur një padrejtësi të madhe. Pranë tyre shfaqet fotografia e viktimës, sipas së cilës hebrenjtë u tërhoqën me devotshmëri në viktimizim.

Shumicën e njerëzve në Evropë nuk i preokupon problemi i hebrenjëve të vdekur dhe të vrarë. Për ta mjafton ndërtimi i muzeve, pllakave përkujtimore, mbajtja e fjalimeve me thënjen "Kurrë më!" Për Evropën ky mund të jetë një sllogan.

 Për hebrenjtë që themeluan, ndërtuan Izraelin dhe që vazhdojnë të jetojnë atje, është një moto e jetës! Kjo mund të jetë arsyeja pse Izraeli sot shikohet me dyshim dhe është për shumë kend irritues. Një shtet i gjallë, me vetëbesim të madh dhe që bën fushatë për ekzistencën e tij të vazhdueshme dhe lufton në mënyrë proaktive, gjithashtu ushtarake, për të drejtat e tij - kjo nuk i shkon përshtati dikujt. Izraeli autonom, kreativ, i cili vetëm jetën e vet shikon, më pak apo më me shumë sukses - asgjë nga këto nuk i përshtaten qengjit të flijuar, të cilin dikush mund ta mëshirojë dhe të ndihet bujar pranë tij. Ky imazh krijon shqetësim dhe acarim.

Kur mësimet e së kaluarës bëhen një klub moral

Shtoji kësaj dyshimin e vjetër se hebrenjtë duhet të kenë qenë fajtorë për diçka, në mënyrë që të përndiqeshin në mënyrën siç ke mësuar  në shkollë. Thjesht njerëzit mesatar, të mirë dhe mediokër, miqësorë dhe më pak miqësorë, nuk i përshtaten kësaj figure. Ky mosbesim ushqehet nga teoritë e konspiracionit që krijojnë rregull dhe logjikë të supozuar. Të tjerët duan të tregojnë se kanë mësuar nga historia dhe janë bërë më të moralshëm.

Kjo është arsyeja pse, mua më duket, gjermanët në veçanti jo vetëm që ndihen të tërhequr nga kundërshtarët e Izraelit në botën arabe, por gjithashtu bëjnë thirrje, t'i tregojnë Izraelit sjelljen e tij imorale dhe i kërkojnë, si t´i zgjidhin konfliktet në Lindjen e Mesme. Kjo kulmon në frazën shpesh të përsëritur se izraelitët janë "nazistët e rinj".

Armëpushimi që sapo është rënë dakord midis Hamasit dhe Izraelit gjithashtu mendojmë, do të sjell qetësi edhe nëpër rrugët tona dhe shpresojmë gjithashtu edhe para sinagogave gjermane. Por nuk duhet të lejojmë që kjo qetësi të na mashtrojë. Për shkak se puna e vërtetë për pajtimin, iluminizmin dhe edukimin për demokracinë vetëm tani sa po fillon.

Rreth kolumnistit

Ahmad Mansour jeton në Gjermani qe 14 vite, është themelues dhe drejtor menaxhues i nismës Mansour për promovimin e demokracisë dhe parandalimin e ekstremizmit. Si një palestinez i ri në Izrael, Ahmad Mansour për pak sa s´ishte bërë një  islamist radikal. Sot ai është një nga ekspertët më të rëndësishëm të islamizmit në Gjermani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat