AAK si Nisma, do të shuhet shumë shpejt

Opinione

AAK si Nisma, do të shuhet shumë shpejt

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 25 maj 2021 Në ora: 16:30
Ramush Haradinaj

Rëndom kur vije fundi i një gjëje, apo një procesi, njerëzit që janë në krye të saj sikur manifestojnë mungesë ekuilibri dhe logjikë të shëndoshë. Kështu, mund të themi se po ndodh me Ramush Haradinajn, respektivisht partinë e tij, AAK-në. Në zgjedhjet e 14 shkurtit AAK mori vetëm 7% të votave, rënie nga 10 % që ishte në zgjedhjet paraprake, tregues i rënies së lirë të kësaj partie, humbje besimi nga qytetarët.

Shkurt e shqip AAK s’ka më çfarë t’i ofrojë qytetarit të Kosovës, kjo gjë edhe po manifestohet me rënien e vazhdueshme. AAK rritjen më të madhe e kishte me ardhjen nga Haga të Ramushit me afërsisht 19 % të votave, e cila është e paarritshme për këtë parti. Ishte koha e emocioneve të qytetarëve, një lloj shpërblimi për Ramushin, për maltretimet e tija që i kishte pësuar në procesin ndaj tij në Hagë, tani ajo koha ka ikur. Koha ka ikur, të gjithë e kuptojnë pos Ramush Haradinajt, i cili së fundi deklaroi se “AAK në zgjedhjet e ardhshme lokale do të marrë 18 komuna të Kosovës”, sa qesharake kjo deklaratë aq edhe fatkeqe për një kryetar partie që nuk e njeh realitetin.

Njëjtë deklaronte edhe Isa Mustafa para zgjedhjeve nacionale me 14 shkurt të këtij viti se “LDK do të dalë e para” kur të gjitha sondazhet e nxjerrin parti të tretë, me rënie të theksuar, e cila edhe ndodhi. Mungesa e ballafaqimit me të vërteten është ndër mangësitë e politikanëve të papërgjegjshme, e të cilët jetojnë në një realitet krejt ndryshe nga ai që është në të vërtetë. Këto gjëra vetëm sa theksojnë mungesën e njohurive bazë në politikë, e të cilët fatkeqësisht nuk kanë kuptuar një gjë: në politikë mund të ecësh vetëm duke shkelur me këmbë në tokë.

Sipas parashikimeve, AAK maksimumi mund të merr deri në tre komuna : Deçan, Junik, dhe eventualisht Rahovecin. Tjerat vetëm ëndërr mund t’i sheh, ashtu siç po e sheh Prishtinën me Dautin. Në Prishtinë më shumë merr vota një prishtinas i pavarur se Dauti, një kandidaturë që më shumë shërben për karikaturë se sa për t’u marrë seriozisht. AAK, po shkon rrugës së Nismës së Fatmir Limajt, s’ka gjë që e ndal këtë ecje të saj në rrugën e shuarjes. Tanimë, pas 14 shkurtit në Kosovë ka ndodhur një gjë që ka thyer përfundimisht “krahun e luftës”, me AAK dhe Nismën që janë shkëputur nga vota e qytetarit. Me 14 shkurti nuk fitoi vetëm VV, por u ndëshkuan ato parti që kanë keqqeverisur, konkretisht u thyen partitë me votë në zona të caktuara.

Nisma ishte parti e Malishevës dhe jo e Kosovës, ashtu si edhe AAK e Dukagjinit, këto parti: lokale përgjithmonë e kanë humbur mundësinë për tu shtrirë edhe në pjesët tjera të Kosovës. Si rrjedhojë e saj ato janë të destinuara për tu shuar, gjë e cila edhe po ndodhë. Nisma u shua pothuajse, të njëjtin fat e pret edhe AAK. Këto janë parametrat për AAK, e cila ka rritje vetëm në imagjinatën e Ramushit, në realitet është krejtësisht e kundërta. Zgjedhjet lokale do të jenë edhe më katastrofike për AAK, e cila mund të marrë jo më shumë se 2-3 komuna, në Dukagjin, në pjesën tjetër të Kosovës AAK është tashmë “e vdekur” politikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat