Parkingu nëntokësor në Prishtinë

Opinione

Parkingu nëntokësor në Prishtinë

Nga: Sali Spahiu, arkitekt Më: 27 maj 2021 Në ora: 15:53
Sali Spahiu, arkitekt

Sot, problemi i parkimit të automjeteve në shumë qytete të botës paraqet problem serioz. Ky problem po rritet dita-ditës, si rezultat i shkallës së larte të motorizimit.

Në Kosovë, e posaçërisht në Prishtinë, ky është një problem shumë i madh që kërkon studim të gjithanshëm.

Parkimi i automjeteve zgjidhet me ndërtimin e vendparkimeve në disa pika të qytetit. Natyrisht duke bërë analiza të nevojshme urbane, të cilat mbështeten në fluksin e automjeteve në zona të ndryshme të qytetit.

Pra, këtij problemi në urbanizëm duhet kushtuar shumë vëmendje. Duhet trajtuar mirë dhe pa improvizime.

Ndërtimi i vendparkimeve nëntokësore, mbitokësore dhe atyre në objekte të veçanta për këtë destinim, duhet bazuar në nevoja afatgjata, mbështetur në ekspertët e planifikimit urban dhe atyre të komunikacionit.

Në Prishtinë, autoritetet komunale janë duke bërë përpjekje për ta zgjidhur këtë problem, i cili shumë dekada nuk është trajtuar sa duhet.

Themelimi i ndërmarrjes “PRISHTINA PARKING” mendoj se sado pak do të vë një rregull për këtë çështje, por problemi i parkimit mbetet prapë shumë i shprehur.

Ndërtimi i parkingut nëntokësor në qendër të Prishtinës padyshim do të ketë ndikim pozitiv, pasi parashihet të parkohen deri 700 automjete.

Sa është i qëlluar ky parking në gjelbërim? Kjo ide “qesharake” (sipas meje) ka eksituar që moti, por realizimi po bëhet tani. Mjerisht në dëm të gjelbërimit.

Prishja e këtij gjelbërimi para Fakultetit filozofik nuk mund dhe nuk duhet të arsyetohet me asgjë. Ky gjelbërim i para shumë viteve, mu në “zemër” të qytetit nuk mund të kompensohet lehtë dhe shpejtë.

Autoritetet komunale po deklarojnë: “do ta kthejmë prapë gjelbërimin, ashtu si ka qenë”. Pajtohem se mund të kthehet për bimët me rrënjë të cekëta, por jo edhe për drunjtë me rrënjë të thella.

Sa e di unë, drunjtë nuk mund t’i lëshojnë rrënjët në beton-armë.

Jam shumë i vetëdijshëm se mbi izolimet e nevojshme të pllakës së kulmit, do të ketë një shtresë humusi (dheu), por ajo shtresë nuk mjafton për rrënjët e drurëve të lartë.

Prishjen e këtij gjelbërimi në qendër të Prishtinës e konsideroj gabim të madh. Shumë më tepër duhet menduar për njeriun dhe ambientin.

Nuk kam informatë se a kanë reaguar autoritetet e Universitetit? Mendoj se atyre ju ka takuar kjo punë, pavarësisht se kush është titullar i kësaj hapësire.

Nëse nuk gaboj edhe këtu sipas projektit do të ndërtohen disa lokale, skaj trotuarit (në vazhdim - pak më poshtë se Radio Prishtina). Pse të ndërtohen këto lokale komerciale? Pse të dëmtohet edhe një pjesë e gjelbërimit?

Prishtina, besoj se ka mjaft lokale. A duhet çdo metër katror ta shndërrojmë në beton e tulla, duke i shkatërruar sipërfaqet e gjelbra, të cilat edhe ashtu i mungojnë shumë qytetit tonë. Pse, sipas mendimit tim, nuk po bëjmë analiza në detaje në aspektin urban dhe mjedisor para se të marrim vendime të tilla e të rëndësishme?

Po ashtu, në aspektin e komunikacionit (në rrugët ekzistuese) me ndërtimin e këtij parkingu me hyrje-daljet e veta të 700 automjeteve, sigurisht do ketë ndikim edhe në qarkullim të automjeteve.

Jam shumë i vetëdijshëm se me këtë parking nëntokësor, në zonën qendrore të Prishtinës do të zbutet problemi i parkimit, por nuk do të kthehet gjelbërimi dhe drunjtë e mëparshëm.

Ky gjelbërim edhe ashtu si ishte ka qenë, ka pasur vlerë për këtë ambient në qendër të qytetit.

Problemi i parkimit, sot në botë zgjidhet edhe me garazhe shumëkatëshe për parkimin e automjeteve. Këto objekte kanë një arkitekturë shumë inventive-bashkëkohore. Kjo praktikë, është mirë të aplikohet edhe te ne.

Këso objekte duhet ndërtuar në shumë lokacione e lagje të Prishtinës. Në mungesë të tyre, po uzurpohen hapësirat publike. Organet komunale mund të bëjnë shumë në këtë drejtim.

Kam vërejtur se në disa objekte ku hapësira është e dedikuar për garazhe, ajo po shndërrohet në hapësirë komerciale, ndërsa automjetet parkohen në rrugë.

Kjo nuk bën të tolerohet nga organet kompetente. Leja ndërtimore duhet të respektohet në tërësi.

Besoj se nuk kam gabuar në konstatimet e mia. Po ia lëmë kohës që ta dëshmojë këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat