Ta pastrojmë veten për ta pastruar Malësinë

Opinione

Ta pastrojmë veten për ta pastruar Malësinë

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 18 qershor 2021 Në ora: 10:37
Gjekë Gjonaj

Mbrojtja e mjedisit nuk duhet të jenë përgjegjësi e vetëm një institucioni, por e të gjithëve dhe për këtë do të duhet të punohet çdo ditë.  Do të ishte mirë  për të kuptuar se  në fakt rruga, ura, lumi, fusha, parku  e gjithçka tjetër nuk është vetëm e institucionit përgjegjës. Aq më tepër sot, kur Mali i Zi si shtet ekologjik  dhe gjithë bota po përballet  me virusin COVID-19, i cili na ka vetëdijesuar se në parandalimin e tij  gjëja kryesore është  të mbajmë pastërtinë.

Komuna e Tuzit  ka akoma nevojë për punë, ka akoma nevojë për angazhim dhe ka nevojë për më tepër që të gjithë qytetarët e saj  të sensibilizohen  dhe të ndërgjegjësohen  për të mos ndotur mjedisin. Cilido nga qytetarët e Malësisë aty  ku  punon dhe jeton duhet të japë kontributin e vet për të pastruar sadopak. Sepse peizazhi i Malësisë është prekur në një mënyrë të pakëndshme  dhe mbeturinat janë të  gjithëpranishme  në zonat urbane dhe rurale. Imazhi që përcillet lë shumë për të dëshiruar.

Është në dinjitetin e  Komunës  që ajo të jetë e pastër.  Për ndotjen e ambientit  në këtë trevë  nuk  duhet fajësuar dikë tjetër.  Nuk mund të themi  na e ka fajin armiku, jo!  Për ndotjen e kemi vet fajin. Dhe kur ta pranojmë fajin, mund t’i dalim zot. Po gjetëm arsyetim, siç gjejmë  tipikisht ne ballkanasit, se për gjendjen tonë  fajin na e ka armiku imagjinar  nuk kemi gjë për fill.

Duhet ta kuptojmë  ne jemi pjesë e natyrës dhe se nuk mund të ndahemi nga ajo.  Sado që   ne të paraqitemi se jemi me te fortë se natyra, ajo gjithmonë  na e kthen në një mënyrë.  E jona është që t’i ndryshojmë këto shprehi. Çdoherë duhet të nisemi nga vetvetja dhe të jemi shembull për të  tjerët. Kryesorja është që ne së pari të pastrojmë mbeturinat  që ndodhen në ne, të cilat i kemi fituar nga jashtë.  

Në atë  masë do të pastrojmë shtëpinë tonë, oborrin tonë  dhe mjedisin ku jetojmë.  Nga sjellja jonë do të edukohen edhe fëmijët tanë. Për fat të keq në shoqërinë e sotme është trup të jesh i kulturuar.  Ndërkaq mburremi kur shkojmë   në vende të tjera  evropiane e botërore   me kulturë më të lartë  dhe shohim  trotuare të pastra, kopshte  e parqe të  gjelbëruara.

E kur kthehemi në vendin tonë  sillemi ndryshe nga atje. Vazhdojmë  me  “ kulturën” tonë të hershme, të hedhim lloj-lloj  plehërash  kudo në hapësira publike, pa menduar fare se ato dëmtojnë shëndetin tonë, të familjarëve tanë dhe  të gjithë të qytetarëve e mysafirëve  që e frekuentojnë këtë trevë.    

Ne duhet të jemi ata që  personalisht  të ndryshojmë vetëdijen tonë, e pastaj  edhe atë kolektive. Beteja që duhet fituar është ajo e mentalitetit. Nuk mund ta pastrojmë Malësinë, pa e pastruar veten.  

Vetëm kështu ne mund të fillojmë të ndryshojmë imazhin e Malësisë dhe ta bëjmë   atë ( vendlindjen tonë)  më të pastër. Prandaj, mos të hezitojmë.  Që nga sot mund ta fillojmë një  ndryshim të ri, sepse mjedisi është garantues i shëndetit. Është në dinjitetin e Komunës së Tuzit  që ajo të jetë e pastër dhe një komunë model për komunat tjera.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat