Kosova, parajsë për serbët!

Opinione

Kosova, parajsë për serbët!

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 30 qershor 2021 Në ora: 11:14
Xhavit Kryeziu

Serbët e kanë më mirë në Kosovë sesa në Serbi.

Në Serbi serbët duhet të paguajnë për shpenzimet e rrymës, të ujit, për shërbimet komunale, për taksat, njësoj siç paguhet kudo në çdo shtet të botës. Në Kosovë serbët nuk paguajnë për asgjë. Ata nuk i japin asgjë Kosovës - prej saj vetëm marrin! Prej Kosovës marrin edhe paga, madje edhe pa punuar fare. Megjithëkëtë, ata nuk e duan Kosovën - ata punojnë dhe luftojnë kundër Kosovës!

Serbët në Kosovë jetojnë si në parajsë. A nuk premtonte kështu dikur nëpër mitingjet famëkeqe, në fundin e viteve të tetëdhjeta, kryekasapi i Ballkanit, SlobodanMilošević? Ishte koha kur ngrintekrye nacionalizmi serbomadh dhe kërkonte Kosovën pa shqiptarë!

Sido që të ketë qenë atëherë, tani është “kohë tjetër”! Kështu na përcjellin politikanucët tanë “porositë” e “miqve” ndërkombëtarë. “Kosova nuk duhet të shikojë prapa”, na thonë ndërkombëtarët. “Kosova ka të ardhme”, na mësojnë ata, ani edhe pas 21 vitesh nga paslufta, jemi vendi i vetëm i izoluar në Evropë – pa të drejtën elementare të lëvizjes së lirë, përderisa të gjithë popujt tjerë të Evropës qëmoti e kanë harruar liberalizimin e vizave.

Që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë (pardon: për “miqtë ndërkombëtarë nuk ka pasur luftë – konflikt ka pasur), Kosova është rast “suigeneris” për gjithçka: për shqiptarët është shtet, për serbët është Serbi, e për ndërkombëtarët është edhe shtet (kur ata rrinë me shqiptarët), edhe Serbi (kur të njëjtit rrinë me serbët)!

Që nga paslufta (përsëri: paskonflikti) e këtej, serbët në Kosovë jetojnë si në parajsë. Ata me bandat e tyre mbajnë nën kontroll veriun e Kosovës. Për 21 vite rresht i mbajnë të uzurpuara shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve në pjesën veriore të Kosovës. Asnjë politikanuci shqiptar të Kosovës nuk ia “mbanë” dot që të paktën një herë të shkojë në atë pjesë “të Kosovës” që t’i vizitojë ata pak shqiptarë të mjerë, të cilët i kemi lënë në mëshirën e kohës.

Ky, pra është realiteti i kohës. Kjo është “Republika e Kosovës”, shtet për shqiptarët, pjesë e Serbisë për serbët, dhe “territor me status të kontestuar” për ndërkombëtarët!

Për politikanucëte verbuar dhe axhami shqipfolës me rëndësi është pasurimi i tyre, të cilën ata e arrijnë lirshëm falë “miqësisë’ me ndërkombëtarët. Sa për shkatërrimin, kapitullimin dhe zhbërjen e “shtetit” të Kosovës, i cili nuk ka alternativë tjetër, “brengoset” vetëm fati i saj!

Kjo është “shkolla” të cilën na kanë mësuar liderët tanë për 21 vite rresht - deri dje pushtetarët e LDK-së, PDK-së, AAK-së etj, e nga tani e tutje edhe “rrebelët paqësorë” të “Vetëvendosjes”!

Kaq kësaj here!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat