Beteja absurde e shezlongjeve, ose atentati mbi turizmin shqiptar!

Opinione

Beteja absurde e shezlongjeve, ose atentati mbi turizmin shqiptar!

Nga: Emin Azemi Më: 30 qershor 2021 Në ora: 16:52
Emin Azemi

Ka plotë fëmijë nga Kosova dhe nga trevat shqiptare që asnjëherë nuk e kanë dëgjuar fjalën SHEZLONG. Për rrjedhojë ata kërkojnë nga prindërit t’ua sqarojnë kuptimin e kësaj fjale të huaj.

Me një kërkesë të tillë sot m’u drejtua edhe nipi im. Sepse edhe atij i ka rënë në vesh kjo fjalë, që aq shumë lakohet ditëve të fundit në kronikat televizive. Kur fillova t’ia sqarojë, ai mbeti disi i pakënaqur, sepse, sipas tij, nuk korrespondonte kuptimi i kësaj fjale me përmbajtjen e lajmeve që jepeshin në media. Ai kishte menduar se SHEZLONG-u është ndonjë armë që vret njerëz. Kur e kundërshtova, duke ia sqaruar se bëhet fjalë për një mjet pushimi, që ta bën më rehatshëm qëndrimin buzë detit, nipi m’u drejtua: “Jo, nuk është e mundur. Nuk është ky mjet pushimi, pasi që ky mjet po i vret njerëzit. Ky mjet po shkakton edhe zjarr!”, më thotë nipi.

Mbeta i stepur dhe pa fjalë nga ky shpjegim fëmijëror i fjalës SHEZLONG. Nuk kisha si ta kundërshtoj nipin, pasi që interpretimi i tij autentik i atmosferës turistike që po mbretëron aktualisht në bregdetin shqiptar, përpos që ka diçka në brendi naive, ka edhe një klithmë pafajësie që ven nga gjithë ata që me asgjë nuk e kanë merituar të torturohen psikikisht mu në kohën e rezervuar për pak pushim dhe relaks.

Nëse për një fëmijë naiv etimologjia e fjalës SHEZLONG të asocon në një kuptim të frikshëm, kjo nuk mund të mos shkaktojë neveri ndaj gjithë atyre që nuk e kanë zgjedhur kohën dhe vendin të zgjidhin këtë problem që ndërlidhet me kontrollin e territorit bregdetar.

Një lajm i keq që ka në thelb sherre për çështje kaq banale, siç ishte ngjarja e kobshme me katër viktima në Velipojë, është haraqi që autoritetet dhe përgjegjësit e turizmit po paguajnë në dëm të imazhit të Shqipërisë në sytë e botës.

Të gjithë po e fajësojnë me të drejtë shtetin për krizën e menaxhimit të kësaj problematike, por ajo që mbetet e paqartë është lehtësia infantile për të rrokur armët për hiq gjë nga individë të caktuar, të cilët deri dje kanë qenë fqinjë dhe kanë ndarë bashkë të mirën dhe të keqen. Gjithkund në botë lindin mosmarrëveshje për çështje nga më banalet, por është vështirë të imagjinosh se si do të përfundonin këto mosmarrëveshje fqinjësore nëse shkrepen plumba mbi njëri tjetrin.

Ngutia për vetëgjyqësi, duke i dhënë përparësi armës kundrejt arsyes, shpërfaq një fenomen të frikshëm që po iu ndodhë shqiptarëve, mu në kohën kur shkalla e mirëqenies po shkon duke u përmirësuar , ndërkohë që shkallë e tolerancës po shkon nga zeroja.

Një ditë mund të zgjidhet kjo beteja absurde e SHEZLONGJEVE, por një fëmijë që ka parë skena tmerri përgjatë bregdetit shqiptar, do ta ketë vështirë të shkulë nga kujtesa jehonën e breshërisë së plumbave që shurdhonin valët e qeta të detit.

Horrori bregdetar duhet sa më shpejt të zëvendësohet me programe kulturore e rekreative që bashkitë dhe Ministria e Kulturës do t’i planifikonin një vit më parë.

Beteja absurde e SHEZLONGJEVE fatkeqësisht po dëshmon se kanë munguar planifikimet e tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat