Pse Serbia nuk e liron veten me kërkim – falje?

Opinione

Pse Serbia nuk e liron veten me kërkim – falje?

Nga: Dedë Palokaj Më: 10 korrik 2021 Në ora: 08:52
Dedë Palokaj

Serbët qysh herët e cilësuan veten si një popull “hyjnor” duke përsëritur slloganin: “Ne jemi popull hyjnor” (Mi smo nebeski narod). Ky rrëfim nisi të përhapej nga Beteja e Kosovës që u zhvillua në rrethinën e Prishtinës, në vitin 1389 ndërmjet koalicioni ballkanik dhe Perandorisë Osmane. Kështu serbët qysh herët filluan të krijojnë mite dhe legjenda të mbështetura në nacionalizëm mbi ngjarjet e shtrembëruara historike, se si populli arbëror u zhduk nga trualli i tyre i lashtë - Dardania Antike. “Serbia Hyjnore” pasqyrë e miteve dhe legjendave të ushqyera me mitin e një beteje të humbur (1389) ishte në funksion të nacionalizmit destruktiv dhe agresiv kundrejt popujve fqinjë e cila arriti nga miti te gjenocidi i tmerrshëm në Srebrenicë dhe në Kosovë. 

Kjo është trashëgimia gjenocidale e Serbisë – barra e përgjegjësisë dhe fajit të rënd që inkurajon të sillet siç nuk duhet. Asnjë kërkim faljeje, asnjë distancim nga e kaluara deri tani nuk kemi dëgjuar nga klasa politike serbe, akoma më keq kemi dëgjuar deklarime ultranacionaliste se “bombardimet ndaj Serbisë kanë qenë një gabim i madh dhe se Europa nuk duhej të ngatërrohej për shkakun e dy milionë shqiptarëve.”
Serbët si popull e kanë formuar shtetin e tyre duke grabitur toka e të tjerëve përreth, duke i vrarë, masakruar e dëbuar popullatën e pafajshme vendase nga vendbanimet e tyre shekullore. Historikisht nuk është shënuar asnjëherë se shqiptarët kanë bërë mizori e masakra ndaj serbëve, madje dihen rastet kur shqiptarët fqinjëve të tyre serb iu kanë ndihmuar! Sa u përket masakrave dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, janë të njohura dhe historikisht nga viti 1877 - 1878 kur u dëbuan shqiptarët nga trojet e tyre, pa u ndalë në mënyrë sistematike deri në luftën e fundit të viteve 1998 – 1999.

Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që të ketë qenë objekt i shtypjes nacionale siç ishte populli shqiptar, i cili jeton në trojet e veta autoktone në Kosovë e gjetiu. Mjeti më drastik, përveç shtypjes, terrorit, dhunës, likuidimit fizik etj. ishte edhe spastrimi etnik i trojeve shqiptare dhe kolonizimi me elementin serb. Kështu, Kosova, edhe pse truall etnik i shqiptarëve, vazhdimisht u ballafaqua me pretendimet e pushtetit serb për kolonizim dhe kështu me dhunë të ndryshohet struktura e popullsisë që pastaj do të bënte sllavizmin dhe shkrirjen graduale të popullit autokton shqiptar. Serbia gjatë historisë shfrytëzoi të gjitha modelet e kolonizimit të trojeve shqiptare. Kolonizimi i trojeve në Kosovë ishte një proces, që pikësynim kryesor i gjithë politikës dhe i makinerisë ushtarake serbe e pastaj edhe jugosllave, në të gjitha periudhat kohore, ka qenë sllavizmi i Kosovës - proces i cili nuk është ndalur asnjëherë.

Serbia mund të mësojë nga Gjermania përsa i takon pendimit të pasluftës

Gjermania është shembulli më i mirë i rehabilitimit në skenën politike europiane, e cila nisi vetëm pasi ajo i njohu dhe dënoi krimet e nazizmit. Fillimi i procesit ishte i vështirë në Gjermani, ku ndjekjet e para penale u kryen nga forcat Aleate, në gjykatat e ngritura nga britanikët, francezët, rusët dhe amerikanët në të gjithë Gjermaninë. Të ashtuquajturit Procese të Frankfurtit në Aushvic, në të cilët shumë oficerë nazistë u gjykuan për krime në kampin famëkeq të përqendrimit, ishin të parët që u mbajtën nga gjykatat vendase gjermane. Gjermania më pas reformoi strategjinë e saj të ndjekjes penale, duke bërë të mundur që qindra roje dhe oficerë kampi të ndiqeshin penalisht.

Akoma tani, pas më shumë se 70 vjetësh, intelektualët dhe kombi gjerman kërkojnë falje për Holokaustin dhe krimet e pashembullta kundër njerëzimit, duke shprehur kështu jo vetëm kulturën e tyre të lartë, por dhe rrjedhojat e një procesi të gjatë denazistifikimi që u zbatua në Gjermani nga qeveritë gjermane dhe aleatët e saj. E njëjta praktikë duhet të ndiqet dhe me Serbinë për të shpëtuar njëherë e mirë nga ethet e nacionalizmit agresiv dhe për të nisur me të vërtetë procesin e demokratizimit dhe integrimit europian të saj. 

Vetëm kështu, diplomacia europiane do të mund me të vërtetë të ndihmojë Serbinë, për të cilën qëndrimi dhe kontributi i saj i masakrës së Srebenicës dhe Kosovës do të mund të kthehet në një provë të vërtetë ontologjike, të paperceptueshme për momentin nga qytetarët e vet, robër të politikës së përditshme të nacionalizmit etnik, por ekzistuese e shpirtit të ri të çliruar nga projektet e famëkeqi të Naçertanias, Çubrilloviqit, Rankoviçit dhe të spastrimit etnik të Slobodan Millosheviçit. Mos dënimi i krimit, çon në përsëritjen e tij.  

Ndërgjegjja e thërret Serbinë të kërkoj falje “Mea culpa” 

Disa njerëz i vret ndërgjegjja, të tjerët e vrasin ndërgjegjen me kohë. Ndërgjegjja është aftësia e vetëgjykimit, ndjenjës së pendimit  dhe e keqardhjes kur ne bëjmë gjëra që janë kundër normave morale të individit apo të grupit përkatës shoqëror. Metaforat e zakonshme që përdorim në lidhje me ndërgjegjen janë: “zëri i ndërgjegjes”, “zëri i brendshëm”, “brejtja e ndërgjegjes”, “ndërgjegje e pastër” etj.
“Mea culpa” është shprehje latine e që do të thotë: “Jam fajtor - pranoj fajin tim.” Së pari është personale e pastaj edhe e atyre që kanë përgjegjësi.

Për fajin tim, për fajin tim, për më të madhin fajin tim (Mea maxima culpa), thuhet në çdo meshë në Kishën Katolike ku të gjithë besimtarët së bashku bëjnë rrëfimin. Falja kryesisht është vetë – mbrojtje, por kërkon drejtësi njëkohësisht. Kjo do të thotë të dallosh të mirën nga e keqja. Një popull që nuk kërkon falje, është arrogant për shkak se i mungon ndërgjegjja kolektive e cila është një nga çelësat bazë të një shoqërie të shëndoshë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat