Jabadabadu vaksinimi kundër Covid 19

Opinione

Jabadabadu vaksinimi kundër Covid 19

Nga: Hamdi Nuhiju Më: 12 gusht 2021 Në ora: 16:14
Autori

Procesi i vaksinimit të popullsisë kundër sëmundjes Covid-19 në Maqedoninë e Veriut fillimisht ka nisur me grupet më të rrezikuara të shoqërisë, si për shembull mjekët, pastaj kanë ardhur kategori të ndryshme të shoqërisë, të cilat po ashtu kanë qenë më të rrezikuara se popullsia e thjeshtë. Ky proces ka nisur herët dhe me vaksina donacion fillimisht nga Serbia, po edhe nga shtetet tjera. E mbajmë mend se sa gëzim i madh shikoje në fytyrat e mjekëve për pranimin e vaksinës ruse Spunik V.

Në anën tjetër, mediet e Kosovës sa me jo kompetencë flisnin kundër vaksinës ruse dhe sa shumë ndikonin te një pjesë e shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut për të mos i besuar asaj vaksine.

Mediet e Maqedonisë së Veriut po edhe të rajonin, të ndikuara nga propaganda e zezë e krijuar në mediet evropiane, një periudhë të caktuar kohore hidhnin dyshimet e tyre kundër vaksinës britanike Astra Zeneca, si një vaksinë e cila po shkakton probleme të mëdha shëndetësore tek kategoritë e caktuara të qytetarëve pas vaksinimit.

Po ashtu, mediet në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut u morën një kohë të caktuar edhe me moshën e të vaksinuarve në Itali si dhe me skenarë të mundshme të sëmundjes Kovid 19 në këtë shtet prej të cilit për çdo ditë na vinin lajme shqetësuese. Procesi i vaksinimit të popullsisë ka nisur më vonë në krahasim me procesin e vaksinimit të grupeve të rrezikuara të shoqërisë të cilat kanë qenë në vijën e parë të frontit kundër kësaj sëmundjeje. Qytetarët duhej që të paraqiteshin në një faqe elektronike të krijuar nga ministria e shëndetësisë, të regjistrohen për termin për t`u vaksinuar. I gjithë ky proces bëhej në mënyrë vullnetare dhe pa imponimin e institucioneve të shtetit.

Në të gjitha fazat ose periudhat e luftës kundër pandemisë Covid 19, nuk kanë munguar dyshimet, prapaskenat, idetë e konspiracionit të cilat në vazhdimësi kanë ushqyer opinionin publik. Ato dyshime ishin të llojeve të ndryshme, prej te mënyra e vaksinimit të personave të sëmurë me kovid 19, e deri te dyshimet e pasojave të vdekjes të personave nga Covid 19. Por, përderisa kovid 19 ka qenë një sëmundje e re që ka kapluar të gjitha skajet botës, normal që njohuritë për të kanë qenë jo të mjaftueshme dhe si rezultat i kësaj dyshimet ose paragjykimet për tretmanin e kësaj sëmundjeje ose ekzistencën e saj janë tejet të mëdha.

Personat që u paraqitën vullnetarisht për t`u vaksinuar, kanë pritur me muaj të tërë për të ardhur në radhë për ta marr vaksinën e cila të ofrohet, pasi që oferta e vaksinave kundër kovid 19 në Maqedoninë e Veriut është e limituar. Shto kësaj edhe listën e interesave dhe grupeve të interesit të cilët kanë ndërhyrë për t`u futur pa radhë me qëllim që të marrin vaksinën kundër sëmundjes Covid 19.

Figura të caktuara publike në Shqipëri, që propagandonin haptas kundër vaksinimit dhe kundër sëmundjes Covid 19 duke hedhur dyshime mbi të, kërkonin haptas mundësi dhe forma se si të vaksinohen pa radhë, edhe atë në Serbi.

Në momentin kur procesi i vaksinimit u transformua nga vaksinimi vullnetar dhe me termin, u bë vaksinim pa termin, në fazën e parë interesimi i qytetarëve, sipas autoriteteve shtetërore nuk ishte i duhur. Por, kur nisën luftën e hapur kundër lirive dhe të drejtave të njeriut dhe shndërrimit të procesit të vaksinimit në proces obligativ, qytetarët me orë të tëra prisnin para punkteve të vaksinimit për ta marr jabadabadu lumturinë e tyre kundër sëmundjes kovid 19.

Qysh prej shfaqjes së sëmundjes kovid 19 e deri më sot, në asnjë fazë nuk kam dyshuar në sëmundjen dhe në nevojën për të marr barin e caktuar për t`u mbrojtur kundër kësaj sëmundjeje. Ajo e cila është për t`u diskutuar janë mënyrat dhe format se si qeveritë dhe shtetet kanë menaxhuar me pandeminë kovid 19 duke manipuluar edhe me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Masa më e re e qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, por siç duket edhe e qeverive të rajonit, po edhe të Evropës ka të bëjë me personat e pa vaksinuar. Kjo masë e cila po synon t`i detyroj ato të pa vaksinuar, haptas është diskriminuese dhe e padrejtë nga një pjese të konsiderueshme të shoqërisë. Kjo formë e imponimit të kësaj mase, rrit numrin e personave që nuk dëshirojnë të vaksinohen, ose edhe me keq, shton dyshimet edhe tek personat që veçse janë vaksinuar.

Njerëz të cilët nuk kanë asgjë, janë shëndosh e mirë, parashtrojnë pyetjen publike, pse duhet unë të vaksinohem kur nuk kam asgjë? Pyetja është e drejtë në kontestin individual dhe momental, por nuk është e saktë në dobinë dhe të mirën e përgjithshme. Ndërmarrja e masave paraprake kundër një sëmundjeje është po aq e rëndësishme sa trajtimi i sëmundjes e cila të vjen në derë. Garanci nuk ka në këtë botë, themi ne besimtarët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat