Një lutje qytetarëve: Mos i votoni këta persona

Opinione

Një lutje qytetarëve: Mos i votoni këta persona

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 14 gusht 2021 Në ora: 18:34
Foto ilustrim

Një telefonatë që erdhi në redaksinë tonë më shtyu të mendoj më seriozisht për partinë të cilës do t`ia jap votën për të udhëhequr me qytetin në katër vitet e ardhshme. Ishte një mërgimtar nga Podujeva me vendbanim në Gjermani. Pasi shkëmbyem përshëndetjet, zotëria mu drejtua: “Zonjë, unë jam një 48 vjeçar, ju lutem a mund t`i pyesni personat përgjegjës nëse do të rregullohet rruga Prishtinë-Podujevë, kur unë të dal në pension?” Të them të drejtën, mënyra se si mu drejtua personi në fjalë, më bëri paksa për të qeshur. Qesha nga zori, sepse në këtë rrugë vazhdimisht punohet dhe vazhdimisht ka diçka për t`u rregulluar... Zotëria e mbylli telefonin duke porositur me seriozitet që t`ia kryej “amanetin”.

Gjendje hiq më e mirë nuk është as në rrugët e Prishtinës, të cilat vazhdimisht prishen e ndreqen dhe prapë prishen...

Katër vite më parë, kur prishtinasit votuan kryetarin e tyre morën premtime të mëdha, prej të cilave nga 81 u realizuan vetëm 28...

Ende pa u mbushur një vit i plotë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, që ishin të jashtëzakonshme, Kosova do t`i nënshtrohet edhe një procesi elektoral, fatmirësisht të zakonshëm.

Zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kanë aktivizuar partitë politike në promovimin e kandidatëve për kryetar të Komunave si dhe asambleistëve për asambletë komunale.

Asnjë nga partitë politike nuk e ka merituar të fitojë përsëri në komunën përkatëse, pasi për katër vite me radhë, ndryshimet nëpër komunat e Kosovës kanë qenë të pakta, në krahasim me premtimet megalomane.

E kujt t`i besojë tash qytetari i Kosovës, i cili u zhgënjye nga mospërmbushja e premtimeve..

Ju lutem qytetarë të dashur, mos i votoni personat që në kohë fushate ju shkruajnë apo ju telefonojnë e ndonjëherë ua zënë derën e shtëpisë, për t`iu kërkuar votën, ndërsa për 4 vite të tjera nuk duan t`ia dinë për juve!

Mos i votoni personat që për interesa personale kryesisht karrieriste ndërrojnë partitë dhe shkelin mbi çdo parim. Ata sigurisht se kur t`iu vijë mundësia do të “shkelin” edhe mbi ju dhe të drejtat tuaja.

Mos i votoni njerëzit që aksidentalisht ia mësynë politikës e nuk dinë asgjë për nevojat tuaja.

Lista e njerëzve që nuk duhet të votohen është e gjatë..

Sado që partitë mundohen të sjellin kuadro të reja e profesionale, qytetari do ta ketë të vështirë të iu besojë.

Të mos flasim këtu për disa parti që ishin në pushtet para qeverisë aktuale e të cilat në mungesë kuadrosh kandiduan njerëz gjysmë-analfabetë për kryetarë komunash!

Të njëjtit ishin vartës të rëndësishëm të pushtetit paraprak.

Gjithsesi vota e qytetarit do t`ua tregojë vendin të gjithëve, ashtu siç ua tregoi në 14 shkurtin e zgjedhjeve parlamentare.

Ka ardhur koha që qytetari të mos e votojë partinë, por programin më të mirë qeverisës në Komuna. Bastionet duhet t`i përkasin të kaluarës, euforia e ndasitë ekstreme ndërmjet partive, po ashtu.

Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë për një të ardhme më të ndritur, e kushedi ndoshta rrugët do të rregullohen ende pa dalë në pension mërgimtari nga Gjermania...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat