Pse u “zhduk” Fatmir Limaj?!

Opinione

Pse u “zhduk” Fatmir Limaj?!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 21 gusht 2021 Në ora: 08:15
Fatmir Limaj

Që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku partia e tij nuk arriti të kalonte pragun për t’u futur në kuvend, Fatmir Limaj gjithnjë e më pak po shfaqet në jetën publike. Dikur numri 2 i PDK-së, menjëherë pas Thaçit, Limaj pa asnjë dyshim është dështim në politikë. Dështimi i tij në politikë mbështet në punën e tij sa ishte ministër, aty ku s’ka pasur suksese, dështime të sigurta e të cilat ia përcaktuan fatin e tij në politikë prej dështaku.

Fatmiri, nisur nga inatet që kishte me Kadri Veselin kur ky i fundit u bë kryetar i PDK-së, pozitë të cilën Fatmiri e kishte ëndërruar qysh moti, nuk u kapërdi nga ish numri dy i partisë. Nga inati formoi partinë Nisma, e cila nuk rezistoi shumë kohë në jetën politike, ashtu edhe ishte e destinuar, të dështonte. Zgjedhjet e 14 shkurtit i dhanë goditjen përfundimtare kësaj partie, e cila s’po ndihet më e gjallë.

Heshtja e Limajt është pranim i kapitullimit përballë një fakti monumental të dhënies së goditjes së fortë nga qytetarët, përballë mos sinqeritetit të Limajt, me partinë e tij , siç deklaronte një ish bashkëpartiak i tij “edhe minjtë në tavan i ka punësuar”, se për tjerat mos të flasim. Mos interesimi i Nismës për qytetarët ka sjellë kundër reagimin e tyre me mjetin më demokratik, votën. Nëse Nisma do të ishte më e sinqertë me qytetarët, do të mund të mbijetonte në skenën politike, e kundërta ka sjellë edhe efektin domino.

Tanimë Fatmir Limaj mund të quhet politikisht i vdekur, rrugës së tij është duke shkuar edhe Ramush Haradinaj dhe disa figura të tjera, koha e të cilëve në skenën politike në Kosovë ka perënduar qysh moti. Edhe Pacolli është në këtë rrugë, tanimë qytetarët nuk pranojnë më të njëjtit figura politike t’i qeverisin. Koha u përket figurave të reja, të rinjve të cilët kanë tjera synime, tjetër vizion dhe tjetër mentalitet, e të cilët sjellin edhe frymë tjetër. Fatmir Limaj është i skaduar në politikë, e ka marrë dënimin e merituar, duke qenë se pavarësisht oratorisë së tij, në esencë Fatmiri nuk ndryshon asgjë nga kapësit e shtetit. Është soji i njëjtë me Hashimin dhe gjithë oligarkët e tij. Limaj me zor që kaloi pragun në zgjedhjet e 2019, andaj në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti e luti PDK që të hynte me ta në një koalicion, gjë që (me të drejtë) u refuzua nga kjo e fundit. Duke tentuar të gjente strehë tek një parti më e madhe, nga ku do të nxirrte pastaj ca deputetë, Limaj bëri tentativën e fundit për të mbetur në pushtet, pikërisht në partinë ku filloi karrierën e tij politike. Aty ku e filloi, ajo edhe nuk ia zgjati dorën e fundit të shpresës për të mbetur edhe ca ditë në politikë, ndonëse fundin e tij politikë e ka shkruar vet Limaj.

Mungesa e zërit nga Fatmir Limaj ka bërë shumë gjëra për t’u nënkuptuar, e të cilat shpjegojnë dorëzimin e tij përballë një fakti të pamohueshëm, fundi i karrierës së tij politike. Nëse Limaj vazhdon të besojë se mund të rikthehet përsëri në skenën politike të Kosovës gabon shumë, për më tepër vetëm sa rrit indinjatën e qytetarëve të Kosovës me veprimet e tija. Në politikë ka një fillim dhe një mbarim, disa e arrijnë më shpejt mbarimin e disa më vonë, por të gjithë kanë një përfundim. E rëndësishme është që kur vjen fundi të “pensionohesh” me nder dhe kokën lart. Ndonëse Limaj nuk bën pjesë tek ata që mbajnë kokën lart, gjithsesi sa më herët e kupton realitetin aq më mirë do të jetë për të.

Kjo heshtje e Limajt ose do të vazhdojë pafundësisht, apo do të thyhet me besimin se do të rikthehet edhe njëherë në politikë. Nëse zgjedh këtë të dytën edhe më shumë do të zhytet në llumin e dështimit. Koha do e dëshmojë, megjithatë një gjë është e pamohueshme: Fatmir Limaj, ashtu si disa nga shokët e tij, ka dështuar në politikë dhe largimi i tij pa sukses është shkruar nga ai vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat