Edi Rama vazhdon të sakrifikojë interesat e Kosovës

Opinione

Edi Rama vazhdon të sakrifikojë interesat e Kosovës

Nga: PROF. DR. ZIJA LLESHI Më: 24 gusht 2021 Në ora: 14:32
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama vazhdon të sakrifikojë dhe të dëmtojë interesat e Kosovës dhe kauzës kombëtare gjithëshqiptare. Herën e fundit kjo ka ndodhur me vendimet në takimin trilateral në Shkup ku Presidenti Vuҫiq, dhe Kryeministrat Zaev e Rama nënshkruan nisjativën ”Ballakani i Hapur”, të njëtën që më përpara e quanin Minishengen. Qellimi i këtij projekti, gjithësesi politik serbo-rus, proklamohej që nga fillimi nga autorët e këtij projekti si lëvizje e lirë e njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, këtyre katër lirive universale, dhe përgjithësisht kinse vetëm i karakterit rajonal tregtaro-ekonomik. Edhe këtë takim e bojkotuan liderët e tri shteteve tjera të cilat ishin të ftuara: Bosna e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova. Në fund të takimit parë themelues të nisjativës të projektit Minishengen në Novi Sad, z. Rama kishte deklaruar se do të tërhiqet dhe nuk do të merr pjesë në takime tjera poqese nuk do të merr pjesë edhe shteti i Kosovës, premtim ky të cilin nuk e ka përmbajtur.

Në takim me zonjën Merkel në Procesin e Berlinit liderët e Ballkanit perëndimor kishin nënshkruar dhe kishin marr përgjegjësinë për zbatimit e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, kështuqë në këtë aspekt nuk kishte aspak nevojë për ndonjë plan të ri apo minishengen.

Por në fakt ҫfarë ishte minishengeni? Ideatorët e minishengenit për bazë kanë pasë dikur projektin politik para gadi një shekulli, të dështuar të një ”Federate Ballkanike” nën parollën ”Ballkani ballkanasëve” që kishte për qellim t´i bashkonte shtetet e ballkanit në kufijët e tyre në parimet federative nëpërmjet të cilës Serbia si hegjemon në atë federatë do të dominte pa e penguar ”të tjerët”. ”Minishengeni” i riemëruar dhe kamuflluar me emërtimin e ri ”Ballkani i Hapur” kuptohet vetëvetiu si ”Federatë Ballkanike” pa pasur nevojë për këtë emërtim tjetër të tretë, që në fakt mshifej si synimi parë. Edhe dikur në projektin e ”Federatës Ballkanike” (ideatorë majtistët ballkanas e ndër ata dhe Svetozar Markoviq) propagandonin, sikur sot Rama, mundësi më të madhe për zhvillim dhe prosperitet ekonomik dhe zgjidhje të problemeve nacionale. Minishengeni është po i njëjti projekt i ”Federatës Ballkanike” i modifikuar dhe i reduktuar vetëm në sferën ekonomike dhe si Federatë Ballkanike e cilëson në Kuvendin e Serbisë edhe Vulin, ministri i brendshëm i Serbisë, duke i thurrur lavd shefit të vetë Vuҫiq si lider vizionar. Poashtu edhe zëvendës ministri i jashtëm rus Aleksandër Grushko dhe zyrtarët tjerë rus e përkrahin dhe e vlerësojn minishengenin si një lloj Federate Ballkanike. Vetë Vuҫiqi e vëlerëson projektin (15 shkurt 2021) dhe sipas tij mundësinë e komunikimit si Serbi e Madhe. Parlamenti i Kosovës e ka refuzuar projektin Ballkani i Hapur.

Rama propagandon dhe flet për EU si Yu e madhe, dhe lavdërohet kur flet mandej për Open Balkan si Yu e vogël, me ҫka bjen në kundërshtim të thellë me vedin dhe atë lavdërim kur dihet përfundimi tragjik dhe shkatërrimi i përgjakshëm i asaj, siҫ e quan ai, Yu e vogël.

Kosova në import-eksport në tregtinë e lirë brenda minishengenit nuk do të kishte bilans pozitiv e këtë nuk do ta kishte as Shqipëria.. Të vetmën dobi Shqipëria do të kishte nga turizmi (deti, rëra dhe uji). Kjo rregullohet ndryshe pa minishengen. Në marrëveshje paralele të lehtësirave doganore të Serbisë me Rusinë dhe Kinën bëhet invazion i trefisht i prodhimeve të tyre me debalans katastrofal tregtar.

Rama, që paraqitet si udhëheqës shtetëror i gjithë shqiptarëve, duke u paraqitur si lider më i ”avansuar” e ”më modern” i shqiptarëve, që larg i tejkalon të tjerët, e arsyetoi nisiativën ”Ballkani i Hapur” me argumentin kinse, ”nuk duheka të jemi peng i të shkuarës”, dhe me këtë le të harroeka ose neglizhoheka e shkuara dhe historia, në mënyrë që t´i kthehemi të ardhmës. Për cilën histori faktikisht mendon z. Rama? Kryetema është këtu kualifikimi dhe definimi i ngjarjeve historike. Dihet se para procesit të harresës duhet ditur subjekti që duhet harruar dhe përkufizimi e vlerësimi objektiv i tij. Kush, cila palë, dhe ҫka të harrojë? Ҫfarë është kujtesa historike dhe si janë kualifikuar ato ngjarje që duheka harruar apo neglizhuar?

Shqiptarët dhe serbët kanë dy versione të kualifikimit e definimit si dhe interpretime të ndryshme, madje të kundërta, të ngjarjeve historike serbo-shqiptare të një e më shumë shekulli. Historiografia shqiptare ato ngjarje i dokumenton dhe i shpjegon si gjenocid i egër e sukcesiv i trefisht i Serbisë ndaj shqiptarëve për okupim dhe kolonizim, kurse verzioni serb dhe historiografia nacionalfashiste serbomadhe në raport me shqiptarët, dhe vetë Vuҫiqi si mohues i tyre dhe poshtërues, i definon e i shpjegon ato ngjarje si agresion i drejtë e me duarë të pastra, kurse klerofashizmi ortodoks serb madje shkon aq larg sa i shpjegon ato agresione gjenocidale si akte të shenjëta njëherit edhe fetare edhe nacionale.

Në fakt Serbët e dijnë të vërtetën objektive por dëshirojn ashtu të poshtrojnë shqiptaret dhe të përfitojnë në histori. Harresa e atyre ngjarjeve, qoftë edhe ai vlerësim objektiv i ngjarjeve (le të jetë pra objektiv, por le të harrohet!) më së shumti i përgjigjet Vuҫiqit, sepse ngjarja e harruar lehtësisht mund të përsëritet për ҫka Vuҫiqi, luftënxitës që në luftëra gjenocidale shef përfitimet dhe jo në demokraci, është permanent e përjetësisht i interesuar. Prandaj ato ngjarje tra gjike kurrësesi nuk guxojn të harrojnë asnjëra palë në cilindo version. Shqiptarët nuk guxojnë të harrojnë gjenocidin e pësuar, kurse serbët nuk guxojnë të harrojnë gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve. Të gjithë duhet t´i kujtojmë dhe t´i rikujtojmë e t´i rikujtojmë, e t´i rikujtojmë, në ҫdo moment e përgjithmonë. Kujtesa historike duhet të jetë e gjallë përherë për të dy palët. Historia nuk mund të mos jetë mësuse e jetës.

Edi Rama nuk duhet të krijojë precedenca absurde e vetëdijshëm të ngatërrojë hapat, por duhet të merr parasysh shembullin dhe denimin që i bëri laureati i shpërblimit Nobel, ish kancelari Willy Brandt, të shkuarës historike të Gjermanisë së mëherëshme naziste dhe përkuljës e kërkimfaljës së tij para përmendorës se viktimave naziste hebreje të holokaustit kur ishte në vizitë në Varshavë. Vetëm kështu hapen mundësitë e sinqerta të bashkëpunimit dhe krijohet e ardhmja, duke falur pas kërkimfaljës e jo duke harruar. Rama i ka ngatërruar hapat, të dytin e ka bërë para të parit dhe ashtu ka humbur trajektorën e rrugës dhe është gjetur në të njëjtën orbitë politike me Vuҫiqin.

Kështu, Kryeministri Rama duke ikur kinse nga një peng, bjen dhe bëhet peng në prangat e një pengu tjetër, edhe më të rrezikshëm: bjen në pengun e heshtjës së mëtutjeshme ndaj gjenocideve të shqiptarëve nga ana e serbëve dhe në rrezikun real të gjenocideve të reja në të ardhme. Serbisë i konvenon ҫdo veprim që largon vemendjen e ndërkombëtarëve nga gjenocidet e saj të mëherëshme. Këtu bënë pjesë edhe projeti i saj Ballkani i Hapur.

Serbia ka krye hiҫ më pak se tri gjenocide ndaj shqiptarëve. Kjo patologji gjenocidale serbe nuk shërohet e nuk trajtohet me tregti të lirë apo jo të lirë, nuk trajtohet me symbyllje ndaj gjenocideve, nuk trajtohet me harresa të simuluara e të stimuluara, por me politikë që bazohet në të Drejtën Ndërkombëtare dhe me demokraci të mirëfillët; me vetëdijësim të Serbisë për politikën gjenocidale të saj gjatë historisë dhe pikërisht e posaqërisht gjykimin e vetë të asaj pjese të historisë, siҫ ka vepruar Willy Brandt.

Vuҫiqi nuk bënë pendim, kërkimfalje dhe nuk don pajtim. Vuҫiqi dëshiron poshtërim, kërkon përkulje, nënshtrim, (ri)kolonozim, (ri)okupim, etj. etj. Serbia po u armatoset, Vuҫiqi madhëron Millosheviqin, krimnelët serb të denuarë në gjykimin e Hagës në Serbi shpallen hero, Vuҫiqi mohon gjenocidet serbe në Kosovë, refuzon ta pranojë e të nënshkruaj propozimin paqësor të Kryeministrit Albin Kurti për mossulmim në mes Kosovës dhe Serbisë, që mund te konsiderohet si ”MANIFEST ANTILUFTE”, (refuzim ky që shpreh haptazi kulmin e kërcnimeve luftarake dhe synimeve të Vuҫiqit!) -- ku e shef Rama këtu prosperitetin dhe njohjen për të cilën flet?! A duheka pikturuar të gjitha ato gjëra? Apo e shef në Open Balkan?! Aq më parë ai supozim është absurd meqë Vuҫiq decidivisht ka deklaruar se kurrë nuk do ta njoh shtetin e Kosovës.

Nuk ka dilema se z.Rama sakrifikon interesat e shqiptarëve të Kosovës në shumë raste.Taksën rrugore, të cilën e ka inicuar dhe përmbajtur Rama, që është më e madhe bj. fj. se taksa rrugore që paguhet kur kalohet kufiri nga Suedia në Norvegji, e zhvillon Shqipëria në dëm të Kosovës, edhepse fluksi më i madh i Kosovarëve që do të ishte në kushte pa taksa, të etshëm për ”mollen dikur të ndaluar dhe rreptësisht të denuar”, do t´i afrohej sadopak të ardhurave nga taksat. Ky qendrim, madje pa përjashtuar nga taksa as veturat personale dhe as autobusët me udhëtarë (!!), gjithësesi nuk është faktor integrues, por është hap i distancimit në baza ekonomike duke e varfëruar Kosovën. Por është njëherit edhe diskriminim ndaj kosovarëve sepse, anasjelltas, hyrja nga Shqipëria në Kosovë është pa taksa. Kosovën kështu Rama e konsideron si burim për pasurim ekonomik të Shqipërisë.

Kjo të kujton ngjarjen kur në një rast e kanë pyetur një loke nënë që kishte shumë fëmijë, se ”cilin prej tyre e don më së shumti”, e ajo me ndjenjën e vetë të dashurisë amnore ishte përgjigjur: ”atë të smurin deri sa të shërohet dhe atë më të dobëtin derisa të forcohet”. Vetëvetiu shtrohet pyetja se ku e gjenë vedin z. Rama karshi Kosovës në këtë dashuri dhe mendim të artë. Njëherit, ҫfarë mendimi duhet të kenë shqiptarët në Kosovë për kryeministrin e nënës Shqipëri. Taksa rrugore nuk është vetëm ҫështje materiale por është edhe ҫështje e thellë politike e kombëtare si dhe etike e morale. Dihet se Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ka pasë qëndrim të kundërt me z. Rama dhe ka premtuar se si Kryeministër do të angazhohet për heqjen e asaj takse rrugore si dhe i ka bojkotuar takimet për minishengena.

Lëvizja e lirë e njerëzve në mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të zhvillohet pavarësisht nga ajo e mallrave dhe kapitalit. Kufiri shqiptaro-shqiptar në mes Kosovës dhe Shqipërisë është specifik e unik në Europë dhe nuk është i njëjtë me kufijët në mes shteteve tjera nacionale në Europë. Prandaj kalimi i këtj kufiri dhe rrugëtimi përtej tij duhet të subvencionohet e urgjentisht e fuqishëm të stimulohet që sa më shpejtë të kompenzohet e shkuarja tragjike si dhe të gjitha vonesat historike në zhvillim kur kalimi i tij denohej rreptësisht me burgim të egër e të gjatë si ai dikur në mes dy gjermanive. Rama kështu dëmton Kosovën e me atë dhe tërësinë gjithëshqiptare. Qendrimi sot i Ramës nuk është rastësi. Ai qendrim është konzistencë e tij. Kur ishte në opozitë Rama kundërshtonte ndërtimin e autostradës si ”rrugë që ҫon asgjëkundi”. Taksa rrugore bashkë me veprimin lidhur me minishengenin janë veprime antishqiptare nga shumë perspektiva si dhe nga aspekti i objektiviteti historik të historisë së kombit tonë tragjikisht të ndarë, pavarësisht se kush e ҫka mendon personalisht.

Në marrëdhënje me shtetet tjera mund të jetë ndryshe, por në marrëdhënje me Serbinë duhet Shqipëria, si vëlla i Kosovës, ta konsideron, respekton dhe trajton Kosovën si vëlla i madh i saj. Në atë mënyrë, Serbia do të detyrohej ta përcepton dhe ta koncepton politikën e saj ndaj Kosovës dhe shqiptarëve me respekt gjegjës dhe do ta kupton se ka shkuar koha dhe se tani nuk ka më Esat Pashë Toptana dhe me bashkë atë kanë vdekur të gjithë të tjerët, në kërkim të të cilëve Serbia është përherë.

Rasti i fundit me Bregoviqin është edhe një dëshmi më shuumë e konzistencës së tij. Dhe, siҫ thot populli, “edhe po t´i kishte dalur prej syri” ai Bregoviq, i cili asnjëherë nuk u distancua nga krimet serbe, në rastin kur zërat nga Kosova janë kundër tij, Rama ka qenë duhet të mos krijojë përҫarje të tërësisë i thot atij ”më fal” dhe ashtu ta faktorizon (!!) Kosovën në Ballkan. Por jo. Rama nuk e tha atë. Rama si ”më i avansuari” e si ”më moderni” ndër shqiptarët dëshiron t´i rritet rejtingu në Open Balkan, posaqërisht tani post festum me interpretimet e tij, e të mos ketë hatërmbetje te Vuҫiqi. Atë dëshirë edhe e ka arritur dhe tani mund të jetë i qetë.

Për këto që u tha më lartë dhe raste tjera që nuk po i përmendim këtu, rrjedhin edhe sharrjet kundër Ramës, edhe mallkimi, ftesa të shpallet persona non grata në Kosovë, vlerësimi se kundër tij duhet hapur gjykim klasik për trathëti nacionale, e shumë vlerësime e akuza tjera të cilat i përmend e për të cilat ankohet Kryeministri Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat