Edhe 100 vite Kolonel Zyhdi Kroj…

Opinione

Edhe 100 vite Kolonel Zyhdi Kroj…

Nga: Gezim Loka Më: 30 gusht 2021 Në ora: 07:39
Gezim Loka

Ju sot keni ditëlindjen, miku im, Zyhdi Kroj dhe unë ju uroj me zemër edhe 100 vite të tjerë plot shëndet, begati e lumturi, gjithçka të mirë në jetën tuaj dhe të familjes.  

Ju jeni një njeri dhe ushtarak model, me gjurmë të bukura njerëzore, gjurmë pune, netësh pa gjumë, stërvitjesh të gjata e të rënda, gjurmë të një idealisti që e keni dashuruar me shpirt punën tuaj dhe keni qenë gjithmonë në ballë të vështirësive e sakrificave.  

Ju, miku im, keni shkëlqyer përgjatë tridhjetë e katër viteve karrierë të suksesshme ushtarake, përgjatë njëmbëdhjetë viteve në tranzicioni si kryetar i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, ku aktualisht jeni President Nderi i kësaj shoqate, përgjatë një veprimtarie shoqërore që ka në themel përgjegjësinë e lartë qytetare, intelektuale e shoqërore të një luftëtari të progresit shqiptar.  

Karriera juaj ka nisur si komandat toge, në detyrat e mëtejshme si komandant kompanie mitraljere, si student në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, me detyra të tjera më të larta në Burrel, Peshkopi, Prenjas, Pogradec dhe Tiranë e deri si komandant batalioni e brigade, pedagog në Akademinë Ushtarake, shef shtabi i divizionit të Tiranës, etj. Emri juaj Kolonel Zyhdi Kroj do të jetë një emër i nderuar jo vetëm midis ushtarakëve dhe më gjerë, por dhe në mjediset intelektuale e elitare mbarë shqiptare.  

E nisët me gradën më të ulët, rreshter dhe e përfunduat karrierën për nevoja të reformës me gradën kolonel, në kohën kur Shqipëria kaloi nga sistemi një partiak në sistemin pluralist, ku për fat të keq, roli i ushtarakëve dhe i ushtrisë që pati përballuar një barrë të madhe të përballjes shqiptare me kohën, u minimizua, u mbulua me pluhur e harrim, ndërkohë që ushtarakët që lanë jetën e tyre, lëkurën e tyre në stërvitje e shërbime ditë e natë u mohuan, u morën nëpër këmbë dhe iu kufizuan të drejtat njerëzore.  

Gjatë gjithë kësaj karriere gjysmëshekullore me rrobën e ushtarakut, ju keni manifestuar përgjegjësi e përgatitje të lartë, devotshmëri, shpirt, iniciativë e mbi të gjitha predispozicion për të ndihmuar me çdo mënyrë kolegët dhe vartësit, të cilët i keni trajtuar si shokë dhe ju jeni gjendur gjithmonë pranë halleve e nevojave të tyre.  

Faleminderit Kolonel Kroj, që në rolin që ju ngarkuam ne kolegët e tu ushtarakë për të na përfaqësuar në shoqatën e ushtarakëve si kryetar i saj, ju punuat me deovocion dhe u përballët me burokracinë ushtarake dhe politike të tranzicionit, për të mbrojtur të drejtat e ushtarakëve, si pensionin e parakohshëm etj.  

Janë këto cilësi që ju kanë bërë të afërt e mik me të gjithë, duke bërë që të gëzoni respektin dhe mbështetjen e ushtarakëve dhe gjithë elitës kombëtare, të cilat kanë parë tek ju, Kolonel Kroi një personalitet të qëndrueshëm dhe gjithmonë në avangardë të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të ushtarakëve. Në të gjitha forumet ndërkombëtare si në Belgjikë, Francë, Belgjikë, Austri, Holandë, Lituani etj., ju keni ngritur zërin e ushtarakëve shqiptarë dhe keni gjetur përkrahjen në konferencën ndërkombëtare të oficerëve në rezervë (CIOR) dhe shoqatave dhe organizatave simotra në Perëndim.  

Ju, miku im, gjatë këtyre viteve të tranzicionit të vështirë Shqiptar drejt një demokracie funksionale keni botuar disa libra, ku fokusoni probleme të ushtrisë shqiptare, çështje të strategjisë kombëtare të mbrojtjes, raportet e ushtarakëve me shoqërinë civile, luftën titanike për të mbrojtur të drejtat e kësaj shtrese kundër harrimit dhe neglizhencës institucionale. 

Edhe një herë ju uroj gëzuar ditëlindjen, Kolonel, jetë sa më të gjatë dhe sa më produktive, gjithmonë me përkushtim e dashuri për ushtrinë, të cilës ju i keni falur përvojën dhe shpirtin tuaj dhe për këtë, ne ushtarakëve, kolegëve tuaj, na takon të ju falenderojmë përzemërsisht.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat