Negociatat Kosovë-Serbi rrezikojnë të krijojnë një shtet jo funksional në Kosovë!

Opinione

Negociatat Kosovë-Serbi rrezikojnë të krijojnë një shtet jo funksional në Kosovë!

Nga: Nijazi Halili Më: 28 shtator 2021 Në ora: 15:30
Nijazi Halili

Kur përflitej mundësia e  normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogu thuhej se është forma e vetme dhe më e mira e mundshme për të arritur këtë qëllim.

Sot mund të themi se është dëshmuar e kundërta.  Krejt çka ka sjell ky dialog i pabarabartë dhe pa kushte për Serbinë është forcimi i Serbisë brenda Kosovës dhe lehtësimi i rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE. Ky proces vazhdimisht ka prodhuar marrëveshje të dëmshme për Kosovën, ka legjitimuar strukturat paralele dhe kriminale të Serbisë në veri, ka forcuar pozicionin e  saj jo vetëm brenda Kosovës por duke fuqizuar atë edhe si faktor në rajon.

E me të gjitha këto zhvillime, deri në fund, po duket se krejt çka do të prodhoj ky proces është autonomi për veriun duke krijuar një shtet jo funksional  të Kosovës.

Sa herë përmendej çështja e veriut, në këtë proces dialogu, një nga justifikimet për trajtim me kujdes të veçantë të kësaj pjese ka qenë  realitetit në terren dhe respektimi i kërkesave të popullatës lokale duke aluduar në serbët e asaj pjese. Sot faktet  edhe  mund  të flasin për një shumicë serbe në veri të cilët nuk e pranojnë autoritetin e Kosovës në atë pjesë. Mirëpo assesi situata faktike atje nuk do të thotë se duhet të kushtëzojë veprimin tonë. Gjatë shqyrtimit të situatës në veri, duhet të kemi parasysh zhvillimet në tërësi. Që nga paslufta e deri më sot, në atë pjesë  kanë ndodhur shumë ngjarje të rënda që kanë shërbyer në krijimin e atij realiteti.

Si ngjarjet e 3-4 shkurtit të vitit 2000, në të cilat u vranë dhjetë shqiptarë dhe u keqtrajtuan shumë të tjerë,  ashtu edhe vrasjet dhe dëbimet e mëvonshme dëshmojnë për atë se çka në të vërtetë ka ndodhur në  Mitrovicë. Pra Serbia vazhdimisht ka përdorur dy karta: në mënyrë të dhunshme, artificialisht ka krijuar situatën faktike në terren e cila pastaj e ka legjitimuar atë si palë negociuese për atë pjesë.

Gjatë këtij procesi janë arritur marrëveshje që  dalëngadalë po e formësojnë autonominë e veriut.  Me këto negociata vetëm sa po legalizohen strukturat paralele e kriminale të Serbisë e nuk po shuhen ato siç na patën premtuar shumë zyrtarë të qeverisë së Kosovës.

Pas disa raundeve të bisedimeve, fillimisht është hequr dorë nga kërkesa për shuarjen e strukturave paralele për t’u kërkuar vetëm  transparencë rreth financimit të tyre nga Beogradi duke harruar se pikërisht këto struktura po e mbajnë peng situatën atje si dhe duke harruar  dëmet dhe krimet e kryera nga pjesëtarët e këtyre strukturave. Madje tani përveç legalizimit të tyre po flitet edhe  për një lloj amnistie për to. Tash, pjesëtarët e këtyre strukturave kriminale jo vetëm që po pranohen por edhe mund t’i bashkëngjiten FSK-së ose policisë së Kosovës. Pra  pikërisht këto struktura dhe çështja e tyre po shihet si e lidhur ngushtë me autonominë e asaj pjese. Zyrtarët e Serbisë këto dy çështje po i shohin si të lidhura dhe që duhet të zgjidhen bashkërisht.
Është arritur edhe marrëveshja  për fondin zhvillimor për veriun që mund të konsiderohet si hapi tjetër drejt zhvillimit të autonomisë së veriut. Ky fond, i ndarë nga buxheti i Kosovës, i territorializuar dhe  me motiv etnik, i menaxhuar nga një grup tjetër e jo nga Kuvendi i Kosovës shpalos planin për një entitet autonom.

Ky  proces i negociatave ka shërbyer në fuqizimin e Serbisë brenda Kosovës por edhe e ka afirmuar atë si faktor stabiliteti në rajon. Qysh nga fillimi, mund të themi se ky proces ka nisur si nevojë për Serbinë, për të dëshmuar ajo fqinjësinë e mirë,  që t’i lehtësohet rruga drejt integrimeve evropiane. Pra për këto negociata ka pasur nevojë Serbia e jo Kosova. Duke e parë rëndësinë që ky proces përbënte për të, ka qenë mundësia e fundit që qeveria e Kosovës të kushtëzoj pjesëmarrjen në negociata.
Ky proces bëhet ende më i rrezikshëm kur kemi parasysh qasjen e bashkësisë ndërkombëtare karshi Serbisë. Ata me qëndrimin e tyre me ose pa dashje vazhdimisht po e inkurajojnë Serbinë drejtë Kosovës duke mos kërkuar as heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë e as kundërshtuar platformën e dëmshme të presidentit Nikoliç. Me mbështetjen e këtij dialogu të dëmshëm për Kosovën po duket se bashkësia ndërkombëtare ka qëllim parësor ndarjen e Serbisë nga Rusia edhe me kushtin e fuqizimit të saj në Ballkan që nënkupton  vazhdimin e politikave të dëmshme të saj karshi Kosovës.

Negociatat Kosovë-Serbi rrezikojnë të krijojnë një shtet jo funksional të Kosovës. Shumë shpesh, pjesëmarrja në këto negociata na është arsyetuar me përfitimet të ndryshme si: njohja nga pesë shtete e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, arritja e  marrëveshjeve për integrim në BE, njohja e Kosovës nga Serbia, etj. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se asnjëra nga këto nuk i garanton Kosovës funksionalitetin si një shtet normal.

Deri në fund të këtij procesi, me gjithë këto marrëveshje që po arrihen, e të cilat  nëk po jetësohen në praktikë  nga pala serbe po duket se shteti i Kosovës do të dëmtohet aq rëndë sa që krejt çka do të ndodh është normalizim i marrëdhënieve të Serbisë me BE-në dhe fuqizim i saj i mjaftueshëm për të vazhduar bllokimin e Kosovës qoftë në rrafshin ndërkombëtar apo përmes ndarjes së saj përbrenda, me autonominë në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat