Deklarata e BE-së e lëshuar në samitin e Sllovenisë, një grumbull frazash burokratike pa asnjë plan dhe obligim konkret

Opinione

Deklarata e BE-së e lëshuar në samitin e Sllovenisë, një grumbull frazash burokratike pa asnjë plan dhe obligim konkret

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 6 tetor 2021 Në ora: 21:56
Samiti i Sllovenisë

Kur e lexon Deklaratën e sotme të BE-së prej 29 pikash, e dhënë sot për media nga samiti i Brdos në Slloveni, kushtuar vendeve të Ballkanit perëndimor, përveç se ndjehesh thellë i zhgënjyer si qytetar i një shteti të fuqishëm të saj, siç është Gjermania, të krijohet edhe bindja se kjo nuk është Evropa, ajo të cilën ne shqiptarët e njohim mirë në praktikë, veçse bëhet fjalë për një bashkësi shtetesh të privilegjuara nga Zoti, të cilat për Ballkanin flasin sikur nga një kontinent i largët i botës..!?

Së pari, askund në tekst nuk përmenden me emër 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor (në vijim: BP), thua se ato janë in-ekzistente, derisa vet ky samit u është dedikuar këtyre shteteve, andaj ky injorim që iu bëhet në tekstin e deklaratës, pa dyshim, se bëhet për qëllime të caktuara, e që këtë samit e bën joserioz, mbase edhe qesharak!

Thirret pra samiti për të biseduar për hallet dhe problemet e 6 vendeve të BP-rë, kurse ato nuk përmenden fare në tekstin e saj, që ky injorim mund të jetë bërë për shkak të Kosovës, sepse këtë kusht mund ta ketë kërkuar kryeministri i Spanjës, i cili edhe kërkoi heqjen e simboleve të shtetit tonë nga tavolina e samitit, për shkakun se 5 shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, ose ky degradim kolektiv i 6 vendeve të BP është bërë për shkaqe konspirative të cilat vetëm ata i dinë !?

Së dyti, kur i lexon 29 pikat e kësaj deklarate veç e veç, sado që mundohesh me gjet ndonjë plan, projekt ose ndonjë obligim konkret që BE-ja ta ketë marrë në këtë samit për ndonjë fushë zhvillimore në BP, nuk gjen asgjë tjetër, përveç shprehjeve fakultative, siç janë, “ne riafirmojmë, ne u pajtuam, ne do intensifikojmë, ne mbështesim, ne çmojmë, ne mirëpresim, ne do vazhdojmë, ne ramë dakord, ne do forcojmë, ne i përgëzojmë, ne iu bëjmë thirrje, ne do angazhohemi, ne jemi të përkushtuar..”, etj., duke mos e cekur askund narrativin; se ne obligohemi, ose ne garantojmë, p.sh. paq dhe siguri në Ballkanin perëndimor, përpos grumbuj fjalish të përgjithshme që BE-në nuk e obligojnë për asnjë masë konkrete ndaj proceseve aktuale në Ballkanin Perëndimor!

Madje, as në pikën 6 të Deklaratës nuk përmendet fare Kosova, por vetëm emri i dy kryeqyteteve, Beograd-Prishtinë, një formulim ky që fund e krye i shkon përshtati Serbisë, e cila, jam shumë i sigurt, se ka gisht diplomatik në përpilimin e tekstit të kësaj deklarate, posaçërisht aty ku bëhet fjalë për dialogun dhe raportet e saj me Kosovën. Lexoni p.sh. këtë shprehje; “Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë....”, në vend se të thuhej; BE-ja do angazhohet që dialogu të përfundon me sukses, ajo përdorë shprehjen; “do vazhdojnë përpjekjet”, që në fakt kjo nuk thotë asgjë konkrete se si do ta ndihmon dialogun, dhe kështu me radhë..!?

Kurse në pikën 5, lidhur me “përpjekjet” për stabilitet rajonal, për zgjidhje përfundimtare dypalëshe, etj., përmendet vetëm arritja e Marrëveshjes mes dy palëve “për Çështjet e Trashëgimisë dhe çështjet e mbetura të personave të zhdukur, çështjet e krimeve të luftës...”,gjë e cila qartë kuptohet se aludon në trashëgimin serbe në Kosovë, kurse çështja e të zhdukurve mbetet në fund si krejt e parëndësishme..!?

Se, pse Kosova është i vetmi shtet në Ballkan i cili vazhdon të mbahet e izoluar me regjim të vizave nga BE-ja, flet qartë për ndikimin e diplomacisë së Serbisë në politik-bërjen e 5 shteteve të BE-së që ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e saj, e që në kontekst të kësaj, dua ta theksoj edhe faktin e pamohuar, se qeveritë e Kosovës të pas 17 shkurtit 2008 dhe deri më sot, për shkak të injorancës dhe papërvojës politike nuk e ndërtuan kurrë mekanizmin shtetëror i quajtur, “Schatten Diplomacy” (Diplomaci nën hije), të cilën e kanë përdorur shumë shtete në botë, e cila ekskluzivisht do merrej me punë intensive për t’i bindur gradualisht 5 shtetet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës. Diplomaci, e cila njëkohësisht do angazhohej në planin e lobimit për njohje të reja në shumë rajone të botës, ku disa shtete mund të bindeshin më lehtë që ta pranojnë Kosovën si shtet të pavarur.

Dhe, nëse udhëheqësit shtetëror të Kosovës kanë menduar se 5 vendet e BE-së dhe shumë shtete tjera të botës njohjen e pavarësisë së Kosovës do na e ofrojnë si dhuratë për Vitin e Ri, pa bërë përpjekje grandioze, është dashur ta dinë se një gjë e tillë nuk ka mund të ndodhë, dje, sot dhe as nesër !

Se, Kosova në këtë samit nuk është trajtuar në nivel të barabartë, për të mos thënë, është nënçmuar rënd nga përfaqësuesit e BE-së, këtë e dëshmon qartë deklarata e kryeministrit Kurti, e dhënë sot në Twitter, ku ai kërkon që Kosova në të ardhmen duhet të trajtohet e barabartë në mesin e shteteve të Evropës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat