Asociacioni të hiqet nga dialogu – shtetet nuk janë kompetente për formim të asociacionit në dobi të minoritetit

Opinione

Asociacioni të hiqet nga dialogu – shtetet nuk janë kompetente për formim të asociacionit në dobi të minoritetit

Nga: Luz Tomaj Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 09:29
Luz Tomaj

Definicioni i Asociacionit e shpreh një kuptim apo domethënie, relativisht të gjerë dhe shtrihet në sfera të ndryshme. Megjithatë, është e sigurt dhe jodiskutabile se Asociacioni, në cilëndo lëmi, formohet me iniciativën dhe veprimtarinë e individëve apo shtresave të interesuara, për formimin apo hyrjen në asociacion, pa ndonjë ndërmjetësim apo imponim të ndonjë pale apo institucioni të tretë.

Që në fillim, do i sugjeroj institucioneve të Kosovës që, në mënyrë të drejtpërdrejt, të ua parashtrojë dy pyetje, ndërmjetësuesve, në dialogun Kosovë-Serbi:

- Së pari, a ekziston, në kuadër të UE ndonjë shtet etnikisht i pastër – pa minoritete, dhe

- A ka ndodhë, në histori që, dy shtete të themelojnë një asociacion, në interes të ndonjë minoriteti?!!!

Nuk është diskutabile se, Kosova është shtet shqiptar, në të cilin bëjnë pjesë, jo vetëm minoriteti serb por edhe disa minoritete. Për të drejtat e minoriteteve, bëjnë fjalë legjislacionet e secilit shtet, ndaj edhe të shtetit të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, falë imponimeve, të pakuptuara, të Z. Ahtisari, në mënyrë të padrejtë, e favorizon komunitetin serb dhe, ky favorizim është ofendues ndaj minoriteteve tjera në Kosovë.

Ti shtrohet, ndërmjetësuesve, edhe pyetja se, të drejtat e minoriteteve, përfshirë edhe atë serb, të garantuara me legjislacionin e Kosovës, a janë në përputhshmëri me aktet ndërkombëtare dhe evropiane?

Institucionet e UE, me domosdoshmëri, duhet të kuptojnë se, në çdo proces politik, patjetër, duhet të vjen në shprehje edhe drejtësia. Të drejtat e minoritetit serb, në Kosovë, në asnjë mënyrë, nuk cenohen apo kanosen. Përkundrazi, ky minoritet, është i vetmi i cili nuk e pranon dhe respekton shtetin e Kosovës, simbolet, madje as monedhën e Kosovës, është vetë izoluar deri në atë masë, sa që sovraniteti i Kosovës as që shtrihet në pjesën veriore. UE dhe shtetet anëtare, të cilat, me përjashtim të 5 shteteve, e kanë pranuar Kosovën, duhet, patjetër ta kuptojnë rëndësinë e sovranitetit.

Serbia, jo që nuk e pranon shtetin e Kosovës por, akoma, me dispozitat e Kushtetutës, Kosovën e konsideron si pjesë të Serbisë. Me fjalë tjera, shtetësinë e Kosovës, as nuk e merr me mend!!! Në anën tjetër, shqiptarët, në Serbi, çfarë të drejtash gëzojnë. Po e them vetëm një shembull - në gjuhën shqipe, nuk mund ta botojnë as edhe një tekst shkollor pa pëlqimin e qeverisë.

Është koha që UE të kuptojë dhe të tregojë kujdes se në dialogun Kosovë - Serbi, pavarësisht pozicioneve, mos të caktojë individë nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Individët e tillë, mendoj se është argumentuar, nuk e pretendojnë objektivizmin dhe ardhjen e drejtësisë në shprehje.

Legjislacioni dhe Kushtetuta e Kosovës, nuk e përjashton institucionin e asociacionit. Madje, në pjesën kur flet për të drejtat e njeriut dhe minoriteteve, e parasheh edhe mundësinë e formimit të asociacioneve. Por, kuptohet, e drejta apo mundësia në fjalë, mund të realizohet vetëm në baza të parapara me legjislacion. Askush nuk e pengon minoritetin serb apo ndonjë tjetër, në formimin e ndonjë asociacioni. Por, në suaza të asociacionit, mund të parashihen dhe zhvillohen aktivitete në kultivimin e kulturës sipas përkatësisë së kombit që i përket por jo edhe ndonjë pretendim të izolimit, të krijimit të ndonjë legjislacioni të veçantë, ndonjë kompetencë ekzekutive. UE, më në fund, duhet të kuptojë se edhe komuniteti serb, njësoj sikurse komunitetet tjera, duhet të kuptojë dhe të aplikojë njohjen e shtetit të Kosovës, t’i nënshtrohet sovranitetit ndërsa, në aplikimin e kulturës, nëse pretendon ta ngrit një flamur serb, atë mund ta ngrit vetëm afër flamurit të Kosovës.

Kuptohet se Kosova, pas shpalljes së pavarësisë, e pranuar nga shumica e shteteve të botës, nuk tregoj aftësi dhe profesionalizëm të mjaftuar, në procesin e formimit dhe zhvillimit të shtetit. Megjithatë, është e pakuptueshme se, pse UE e vënë në harresë, gjatë dialogut dhe aktiviteteve tjera se, në pyetje janë dy palë - Serbia ekzekutore e krimit gjenocidial, në të cilin kanë rënë mijëra viktima, se as sot e kësaj dite, Serbia nuk e tregon as vendin e të pagjeturve, se ka të bëjë me mbi 20.000 dhunime, se nën presion, me qellim të spastrimit etnik, Serbia kishte shpërngulur nga trevat e veta, më se gjysmën e kosovarëve – dhe Kosova si viktimë. Po e potencoi edhe një herë se, në çdo proces, politik apo çfarëdo tjetër, drejtësia duhet të vjen në shprehje.

A shohin ndërmjetësuesit - UE e tani edhe DASH-i se, Serbia dhe vetëm Serbia përpiqet më e destabilizuar Ballkanin. Shiheni çfarë qëndrimi dhe pretendimi ka ndaj Kosovës, shiheni se çfarë pretendon në Bosnje, në anën tjetër, në Mal të Zi, para pushtetit i shtyn strukturat religjioze, me të vetmin qellim, të krijimit të konflikteve!!!

Edhe këtë tekst, përmes rrjetit elektronik, do ia përcjelli UE dhe DASH-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat