Kërcënimet me motive sindikale apo politike të Rrahman Jasharit

Opinione

Kërcënimet me motive sindikale apo politike të Rrahman Jasharit

Ismail Muçiqi Nga Ismail Muçiqi Më 13 nëntor 2021 Në ora: 17:46
Rrahman Jashari

Kryetari i ashtuquajtur i SBASHK-ut Rrahman Jashari ka filluar t’i aktivizojë agjendat e tij politike kundër Qeverisë së Kosovës duke u kërcënuar me protesta dhe greva të punëtoreve të arsimit. Ky Rrahman Jashari “kryetar pa mandat”, i cili me veprimet e tij kinse në emër të Sindikatës së arsimit i ka shkaktuar dëme të pariparueshme sektorit të Arsimit, përkatësisht nxënësve të shkollave gjithandej Kosovës. Tani ky Rrahman Jashari, i cili në emër të SBASHK-ut i akomoduar në rangun e ministrave, vite me radhë stimulohet me rrogë të majme mbi nivelin dhe standardet e arsimit të vendeve të rajonit të Ballkanit.

Ky sa herë që fillon viti i ri shkollor apo sa herë që normalizohet procesi mësimor nëpër shkollat e Kosovës, ky ngrihet duke shtruar kërkesa ultimative kundër Qeverisë dhe institucioneve të shtetit. Ky nuk qan kokën për ngritjen e cilësisë në arsim, për rrezikun e nxënësve nga pandemia për dështimet e njëpasnjëshme të kurrikulave dhe të eksperimenteve të dështuara në planprogramet shkollore, të cilat e sollën arsimin dhe edukimin në fund të pusit.

Tani ky Rrahman Jashari ka dal me kërkesa të reja për rritjen e pagave të punëtorëve të arsimit dhe miratimin e ligjit për paga. Këtij i mungon vetëdija dhe autokritika për humbjet e mijëra orëve të mësimit të nxënësve nëpër shkollat e Kosovës, dëme këto të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në nivelin e ulët të cilësisë dhe të rezultateve të dobëta në procesin edukativo-arsimor.

Është e dhimbshme dhe shumë shqetësuese mos reagimi i prindërve dhe këshillave nëpër shkollat e Kosovës. Është koha që qytetarët, përkatësisht prindërit e nxënësve të ngritin zërin kundër manipulimeve politike të SBASHK-ut në krye me Rrahman Jasharin, i cili vite me radhë aktivizohet me agjenda politike në destabilizimin e gjendjes nëpër shkollat e Kosovës. Veprimet e këtij “sindikalisti” patjetër se duhet analizuar edhe Ministria e Arsimit dhe institucionet tjera të shtetit të Kosovës në mënyrë që të ndalen sa më parë kërcënimet dhe ultimatumet kundër institucioneve të shtetit me prapavijë politike.

Mendoj se për veprimet e tij për destabilizimin e procesit arsimor duhet të interesohet edhe prokuroria dhe organet tjera kompetente, të cilat e ruajnë rendin juridik dhe stabilitetin e shtetit. Pra, prindërit e nxënësve janë ata të cilët duhet ta ngritin zërin që shkolla ta kryejë misionin e saj jashtë politikës dhe jashtë agjendave të grupeve të interesit në emër të sindikatave të punëtorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat