Ç'po zihet në kazanin e Beogradit

Opinione

Ç'po zihet në kazanin e Beogradit

Nga: Merxhan Jakupi Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 15:44
Merxhan Jakupi

Liderët nacionalistë, populistë dhe ultranacionalistë të ringjallur, prototipë e mostër të viteve të '90-ta, janë duke futur Ballkanin Perëndimor në një pozitë para lufte. Sot Ballkani Perëndimor është në një gjendje si në atë para fillimit të luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve të nëntëdhjeta. Bosnja-Hercegovina është para shpërbërjes, ndërsa ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kemi një konflikt të ngrirë, konflikti i brendshëm në Mal të Zi, pas ardhjes në pushtet të partive pro-serbe dhe pro-ruse, po ashpërsohet. E vetmja Maqedonia e Veriut që ka qenë më stabile, me hyrjen në paktin e NATO-s dhe zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

Pas debaklit të fundit politik-zgjedhor të liderit pragmatik dhe të moderuar, Zoran Zaev, ky vend mund të dezintegrohet dhe të kthehet në situatën e mëparshme. Lideri i Republikës serbe, Millorad Dodik, muajt e fundit ka shkaktuar dridhje tektonike nën rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke u kërcënuar me luftë, për të arritur synimin e tij për nxjerrjen e Republikës Serbe nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës. Edhe bashkësia ndërkombëtare dhe bota perëndimore ka ra në halle me këtë lider megaloman dhe retrograd. Ka një thënie popullore: "Kur një i marrë hedh një gur në pus, njëqind të mençur s'mund ta nxjerrin". Milorad Dodik i përngjet një heroi të periudhës antike, i cili niset për në luftë e zotërat tentojnë ta ndalin, por ai nuk ndalet. Dodik është duke u tallur dhe duke e injoruar bashkësinë ndërkombëtare, SHBA-në dhe BE-në. Ai ka thënë se nuk do të ndalet, pa marrë parasysh sanksionet dhe pasojat e tjera. Uashingtoni dhe Brukseli deri tash nuk kanë reaguar, duke nënvlerësuar si më parë, retorikën e tij të ashpër politike. Ata thonë se gjithë kjo është një "blof" i Dodikut. Lideri i serbëve të Bosnjës, më në fund hapi kutinë e Pandorës. Para parlamentit shpalosi paketën e tij prej pesë pikëve për shkëputje definitive nga Republika e Bosnjë-Hercegovinës.

Këtë veprim e bën, pavarësisht nga fakti se sipas Konferencës së Paqes së Dejtonit, Republika Serbe mori 51 për qind të sipërfaqeve të territorit. Sipas disa analistëve, po qe se Republika Serbe do t'i bashkëngjitej Serbisë, atëherë ky shtet do ta përvetësonte gjysmën e territorit të Bosnjë-Hercegovinës, si njëfarë kompensimi Serbisë për humbjen e Kosovës. Në parlament, për çdo javë do të ratifikojë nga një pako dhe pas gjashtë muajve, kjo republikë secesioniste do të jetë e pavarur.

* * *

Presidenti serb, Vuçiq, u ka thënë diplomatëve perëndimorë se mbështet sovranitetin e Bosnjës dhe nuk ka pretendime territoriale ndaj këtij shteti. Ndërkaq, Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike, duke buzëqeshur kishte thënë se Vuçiq ka qëndrime paternaliste ndaj Republikës Serbe, porse si duket pinjolli i tij nuk i nënshtrohet urdhrave dhe po rebelohet. Në pyetjen e një gazetari nëse u beson fjalëve të Vuçiqit, Janjiq thotë se është skeptik ndaj tij dhe nuk i beson, duke shtuar se të njëjtën retorikë dhe diskurs politik kishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili deklaronte se pinjollët e tij, Karaxhiqi dhe Mlladiqi ishin si dy djem rebelë, se ai kishte qenë për paqe, por ata e deshën luftën.

Serbia për momentin i përngjet Gjermanisë mes dy Luftërave Botërore, kur për dy dekada u bë fuqia më e madhe ekonomike e ushtarake në Evropë. Po ashtu, Serbia pas luftërave të viteve '90, u bë një fuqi e konsiderueshme ekonomike dhe ushtarake në suaza të Ballkanit Perëndimor. Kjo ndodhi pasi gjeostrategjia politike dhe ushtarake pësoi poshtërim dhe dështim katastrofal, me një përfundim tragjik, kur serbët mbetën të ndarë në katër shtete.

Ringjallja e nacionalizmit, shovinizmit është bërë si në periudhën e viteve të '80-ta dhe para fillimit të shpërbërjes së Federatës Jugosllave, kur pankartat dhe këngët nëpër CD për vojvodët po trumbetonin luftën. Tash po ndodh ngjashëm jo vetëm në Serbi, por edhe në Republikën Serbe, në Mal të Zi dhe në veri të Kosovës. Këta kriminelë të luftës janë shndërruar në simbole të "trobojkave", kryqeve, idoleve, miteve dhe legjendave. Në javët e fundit, në fasadën e një muri në Beograd është vizatuar portreti i madh i kriminelit serb, Ratko Mlladiq, me qëllim të ngritjes së moralit te populli. Këtë gjest nacionalist e kanë kritikuar disa aktivistë me protesta, duke gjuajtur me vezë në drejtim të figurës së Mlladiqit, kriminelit të luftës. Shumë grupe çetnike të Sheshelit, Arkanit, Beretave të kuqe i kanë sulmuar këta aktivistë. Disa nga turma kanë bërë thirrje për lirimin e vrasësit të Xhinxhiqit. Policia ka qenë në mbrojtje të turmës që adhuronte Mlladiqin, duke sulmuar aktivistët që gjuanin me vezë e koktej.

Pas këtyre ngjarjeve, presidenti serb, Vuçiq, ishte prononcuar se "mbrojtja e moralit nuk po ndodh vetëm në Serbi, por edhe në Kroaci". Me fjalë të tjera, ai e mbron moralin e kriminelëve, konceptin dhe ideologjinë e luftës. Një profesor i Universitetit të Beogradit, në një studio ka thënë se ringjallja e nacionalizmit te grupet radikale të Sheshelit, Arkanit dhe të kriminelëve të tjerë të luftës, ka mbështetjen e presidentit serb. Po ashtu, edhe nga opozita nuk ka pasur reagime dhe kritika, ngase në Serbi nuk ka opozitë konstruktive e demokratike. Ajo vetëm po tenton që të vijë në pushtet, pa ide të reja dhe vizione për të ardhmen. Madje, kjo opozitë e kritikon presidenti serb se e paskësh shitur Kosovën.

* * *

Aktiviste serbe për të drejtat e njeriut, znj. Kondiq, ka thënë se vizita e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Banja-Llukë është turp për BE-në. Ajo ka thënë se nuk është vetëm Orban, por edhe Janez Jansha e të tjerë nga shtetet e BE-së që përkrahin liderin e Republikës Serbe, Millorad Dodik. Në anën tjetër, politika amerikane i ka lënë paksa pas dore punët në Ballkanin Perëndimor dhe më shumë po merret me vendet e Lindjes së Mesme, madje edhe presidenti i tashëm Xho Bajden ende nuk ka sinjale se po kthehet në Ballkan. Kondiq ka droje se largimi i amerikanëve nga Afganistani dhe disa vende të tjera, mund të ndodhë edhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo politikë amerikane mund të lodhet një ditë nga marrëzitë e ballkanasve dhe të braktisë interesimin për ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat