Gëzuar Ditëlindja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Dita e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë!

Opinione

Gëzuar Ditëlindja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Dita e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë!

Ma. Agim Aliçkaj Nga Ma. Agim Aliçkaj Më 21 nëntor 2021 Në ora: 17:55
Komandanti Adem Jashari

Për heroin tonë kombëtar, komandantin legjendar Adem Jashari është folur e do të flitet, është shkruar e do të shkruhet. Vepra e tij heroike do të vlerësohet, festohet dhe do të studiohet me shekuj nga populli shqiptar por edhe nga popuj të tjerë të botës, të cilët ballafaqohen me shtypje, robëri dhe padrejtësi të formave të ndryshme.

Lufta për liri dhe rezistenca e popullit shqiptar kundër pushtuesit fashist serb ka filluar në momentin kur këmba serbe ka shkelë në tokat e shtrenjta arbërore. Në dalje e sipër nga pushtimi i egër 500 vjeçar turk, në pamundësi për të krijuar ushtri të rregullt dhe të armatoset si duhet, ky popull i shumëvuajtur por heroik, ka luftuar me breca, thika e sopata, me pak armë e municion të siguruara me shumë vështirësi. I organizuar në grupe familjesh, fshatrash dhe kaqakësh nëpër qeta të vogla, kurrë nuk ka pushuar së luftuari në mbrojtje të familjeve, shtëpive dhe tokave të veta stërgjyshore.

Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor të vitit 1997, shënon kthesë të madhe në luftën për liri kundër pushtuesit serb. Kësaj radhe filloi një rezistencë e organizuar, me formacione ushtarake e cila u shëndrrua në një ushtri të mirëfillët kombëtare. Padyshim se, meritat më të mëdha për këtë i takojnë komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.

Ai i tregoi mbarë botës se liria nuk ka çmim. Në vijë me thënien e njohur të amerikanit Patrick Henry “Give Me Liberty, or Give Me Death” ( Më Jep Lirinë, ose Më Jep Vdekje) ai dhe familja e tij, të rrethuar nga të gjitha anët nga ushtria terroriste serbe e pajisur me armatim të rëndë, luftuan burra, gra dhe fëmijë, pa ju trembur syri deri në vdekje, në mbrojtje të familjes, shtëpisë dhe të lirisë së mbarë popullit shqiptar.

Me flijimin e Ademit dhe 56 anëtarëve të familjes Jashari, shpërtheu vullkani i pashueshëm i lirisë, flakët e të cilit e përfshinë bishën e egër serbe për ta shkulur përgjithmonë nga Kosova. I gjithë kombi shqiptar u ngrit në këmbë. Vërshuan vullnetarët nga të gjitha Trojet shqiptare, vërshuan mërgimtarët nga Evropa, Amerika dhe vendet e tjera të botës. Djemt më të mirë shqiptaro-amerikanë krijuan brigadën e lavdishme Atlantiku dhe u nisën për në vendlindje, në mbrojtje të lirisë.

Në përkrahje të luftës për liri në Kosovë dhe afirmimit të çështjes kombëtare shqiptare në Amerikë vazhdonte pandërpre aktiviteti lobist i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen profesionale të ish-Kongresmenit me prejardhje arbëreshe Joseph DioGuardi dhe Këshilltares për Çështje Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi. Me punë të palodhëshme, dyert e Washingtonit ishin hapur për Kosovën liridashëse dhe ishin mbyllur për shtetin kriminal Serb të udhëhequr nga kasapi i Ballkanit Sllobodan Milosheviq.

Liga ishte organizata e parë shqiptaro-amerikane e cila doli haptas në përkrahje të UÇK-së me deklaratën e saj publike në fillim të muajit Shkurt 1998. Organizoi protesta të mëdha në përkrahje të saj në Washington para Shtëpisë së Bardhë dhe Capitol Hill-it ku morën pjesë shumë Senator dhe Kongresmen  të njohur amerikan. Në dëgjimin e organizuar nga Kongresi Amerikan, në Mars të vitit 1998, pak ditë pas vrasjes së familjes Jashari u  konfrontua dhe u hudh poshtë përpjekja e Ambasadorit Gelbard për ta shpallur UÇK-në organizatë terroriste. Me forcën e argumenteve dhe me fakte, nuk mund të shpalleshin terrorist ata që mbroheshin dhe flijoheshin në shtëpitë e veta si familja Jashari !

FATI DHE EKZISTENCA E KOSOVËS DHE KOMBIT SHQIPTAR ËSHTË E LIDHUR NGUSHTË ME AMERIKËN        

Evropa nuk ka as kaqik as vullnet për ta kundërshtuar hegjemonizmin dhe  ekspansionizmin ruso-serb. Për më keq, shumë shtete evropiane të helmuara nga propaganda shoviniste serbe dhe të varura nga gazi rus, kanë formuar qëndrime paragjykuese dhe nënçmuese ndaj kombit shqiptar në baza nacionale dhe fetare.  Vetëm rezistenca e popullit shqiptar me përkrahjen e Amerikës e ndalon turrin e Serbisë dhe Rusisë në Ballkan. Interesat strategjike amerikane përputhen plotësisht me interesat strategjike shqiptare.

Pa Amerikën nuk mund të zgjidhet konflikti i Kosovës me Serbinë. Prandaj përpjekjet dhe forcat tona duhet të orientohen kah Amerika. Të insistohet që Amerika të jetë e kyçur drejtpërdrejt në dialog me Serbinë. Nga jurist dhe ekspertë të caktuar të shiqohen mundësitë ligjore dhe diplomatike për marëdhënje speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.              

Në luftën shekullore kundër okupatorit serb, Komandanti legjendar Adem Jashari me familje dhe shumë luftarë tjerë të lirisë luftuan dhe ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Ata e dhanë jetën për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjitha Trojet Tona. Ata na lanë amanet ta vazhdojmë veprën e tyre të shenjtë, të mos ja lëshojmë asnjë pëllëmbë tokë okupatorit serb dhe tjerëve, ta vazhdojmë rezistencën deri në mundjen përfundimtare të Serbisë shoveniste.

Kombi ynë i shumëvuajtur, si të gjitha kombet tjera kush më shumë e kush më pak, ka dhënë edhe njerëz të këqinj, interesxhi të paskrupullt, të korruptuar, të pamoral, me karakter të ulët, me ego të sëmurë, narcisistë, inatçorë dhe ziliqarë, të gatshëm t’i shesin tokat shqiptare dhe t’i tradhëtojnë interesat kombëtare në shërbim dhe për interesa të armiqëve tanë. 

Edhe pse numri i tyre nuk është i madh, sherri i tyre është. Fatkeqësisht, shumë prej tyre mentalisht të sëmuar, në mesin e të cilëve ka politikanë, gazetarë, analistë, historianë dhe aktivistë të ndryshëm, mendojnë se janë në rrugë të drejtë, se janë më të mënçur dhe më patriotë se të gjithë tjerët dhe e vazhdojnë “kryelartë” rrugën e tyre antikombëtare. Atyre nuk ka nevojë të jua përmendim emrat, sepse e dijmë të gjithë kush janë. Në ditët e sodit të bumit mediatik, nuk mund të mëshifet asgjë.

Kemi edhe asi politikanë hajvanë të shekullit, të cilët deklarojnë se Serbisë duhet t’i falën krimet dhe t’i ipet shtesë tokë shqiptare për të marrë njohjen e pavarësisë. Një gjë duhet ta kuptojnë të gjithë, përfshirë edhe mediatorët perëndimorë në dialog me shtetin destruktiv serb, se liria, integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk mund të falen as të negociohen nga askush. Liria është fituar me gjakun e familjes Jashari, shumë heronjve tjerë dhe me sakrificën e popullit të Dardanisë dhe mbarë kombit shqiptar.

Është e dhimbshme kur e sheh Kryeministrin e shtetit amë, të çarpallisur e në përqafim me kriminelin Vuçiq, të shet pallavra e propagon “paçë, mirëkuptim e mirëqenje” me shtetin primitiv serb, me njëfarë “Ballkani të hapur” i cili i ngjet  mashtrimit të komunistëve serb e shqiptarë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore për “jetë të bukur” kudo në botën komuniste, në Tiranë, Beograd apo Moskë, e cila i kushtoi Dardanisë me dhjetra-mija viktima. Tashti e ka “zbuluar” formën më të re për të patur sukses në dialog, sëpari duhet që Serbisë t’i falen krimet, pastaj ajo do të kërkoj falje! Deklarata e tij e fundit për kinse bashkim të Shqipërisë me Kosovën ka për qëllim ta mashtrojnë popullin shqiptar dhe ta ndihmojnë qeverisjen e diktatorit Vuçiq në Serbi.

Bashkimi kombëtarë i cili ishte dhe është dëshirë, ideal dhe amanet i Adem Jasharit dhe patriotëve më të mëdhenj të kombit, nukë bëhet me fjalë boshe. Është nevojë dhe e drejtë legjitime e kombit shqiptar të ndarë padrejtësisht në 6 shtete edhe me fajin e Evropës. Sot shqiptarët nuk kanë nevojë të kërkojnë ndryshim të kufijve me forcë, gjë që nuk përkrahët nga bota demokratike. Bashkimi kombëtar mund dhe duhet të arrihet gradualisht, në mënyrë paqësore, duke hequr barrierat shtetërore, me lëvizje të lirë dhe bashkëpunim në të gjitha nivelet.

Deri atëherë, duhet të punojmë më shumë dhe organizohemi më mirë në bashkëpunim me njëri tjetrin, me dy shtete të forta në Ballkan, të drejta të garantuara njerëzore dhe nacionale në të gjitha Trojet tona dhe Mërgatën e fuqishme.

Kombi shqiptar është komb i lashtë me traditë dhe vlera të larta njerëzore, i papërkulur dhe i pathyeshëm me të ardhme të ndritur.

Zoti e Bekoftë Kombin Shqiptar dhe Amerikan!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat