Manastiri i Deçanit simbol i mostolerances nacionale dhe fetare

Opinione

Manastiri i Deçanit simbol i mostolerances nacionale dhe fetare

Nga: Ma. Agim Aliçkaj Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 19:16
Ma. Agim Aliçkaj

Para dy ditësh, Ambasada Amerikane në Prishtinë në koordinim me Misionet Evropiane doli  në “Twiter” me tri kumtesa duke bërë presion mbi Qeverisjen e Republikës së Kosovës për ti dhënë tokë shtesë Manastirit të Deçanit bazuar në një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016.

Komenti im për ta duke e njohur edhe Presidentin Biden, Sekretarin Blinken, DASH-in, Presidenten  Osmani dhe Kryeministrin Kurti, ishte:

Të dashur dhe të respektuar Diplomatë të Ambasadës Amerikane dhe Misioneve Evropiane,

Ju lutem të na tregoni sa shumë tokë i duhet një Manastiri dhe për çka?

Pse turizmi dhe mbijetesa ekonomike e popullit të Deçanit është duke u shkatërruar për ide megalomane?

Ky vendim është i bazuar në ligjin e aprovuar në Kuvendin serb të regjimit fashist të Milosheviqit, kur Kosova ishte nën okupim klasik. Ky ishte vendim politik dhe ilegal i aprovuar nga Gjykata Kushtetuese me presion nga  pala serbe dhe nga komuniteti ndërkombëtar që kontrollonte çdo gjë në Kosovë. Nuk ka të bëj asgjë me të ashtuquajturën “pavarësi të gjykatave”.

Ekzistojnë çështje shumë më të rëndësishme se sa dhënia e tokës Manastirit pa pikë nevoje. Është fare e qartë se ky presion ka të bëjë me përkëdheljen e mëtutjeshme të Serbisë. A nuk e keni ende të qartë se kjo politikë e padrejtë dhe e gabuar nuk ka sjellë asnjë rezultat. Deri kurë duhet vazhduar me bisedime të kota, me favorizim të agresorit dhe presion në viktimën?! Deri  kurë do të tolerohen përpjekjet e shtetit serb për dominim në Ballkan me qëllim të krijimit të përbindëshit “bota serbe” apo “Ballkani i hapur” apo “Serbia e madhe”?!

 Ju ftoj të gjithëve diplomatë të nderuar, ta vizitoni Deçanin dhe ti shihni rrënojat e hoteleve të ndërtuara me mund të madh për qëllime turistike dhe ekonomike, të cilat i sjellnin përfitime edhe manastirit. Për më shumë, historia tregon se ky manastir ishte ndërtuar prej banorëve shqiptar të Deçanit dhe është ruajtur nga familjet shqiptare të quajtura “Vojvodë”.

Çështja e tokës së këtij manastiri nuk është ngritur asnjëherë si problem nga autoritetet e tij, deri në ardhjen në fuqi të kriminelit Milosheviq. Prifti kryesor serb i asaj kohe i quajtur Justin ishte shumë i kënaqur me tokën dhe trajtimin nga ana e udhëheqësve të hotelit, të komunës dhe nga populli i Deçanit. Hoteli i dërgonte mysafirët e vet për ta vizituar manastirin ku blinin edhe raki ose verë, ndërsa manastiri i dërgonte vizitorët e vet për të drekuar ose qëndruar në hotel.

Ishte një ditë e caktuar në fund të muajit Gusht, që i mblidhte të gjitha nacionalitetet, shqiptarët, serbët, malazezët dhe tjerët për të festuar së bashku, si në manastir ashtu dhe në hotel, secili me këngë dhe valle të veta, me tolerancë dhe respekt për njëri tjetrin.

Për Juve të gjithëve, diplomatë të nderuar dëshiroj të shtoj dhe ta përfundoj  këtë shkrim edhe me këto pyetje qenësore. Pse po tolerohet në vazhdimësi urrejtja nacionale dhe fetare që vjen nga Serbia. Pse agjenda e errët antinjerëzore e Milosheviqit  vazhdon të promovohet  edhe sot ?!  Pse ?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat