Individi në politikë

Opinione

Individi në politikë

Nga: Adem Bytyçi Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 11:56
Adem Bytyçi

Politika është fusha në të cilën sprovohen virtytet njerëzore, kombëtare dhe humanitare të individit.

Ka individë të atillë që e meritojnë të hynë në politikë, sepse sakrifikojnë për përparimin e kombit dhe atdheut.

Ka të atillë, të cilët kurrë nuk do duhej të inkuadroheshin në politikë, sepse politikë mund t'i sjellin vetëm pasoja të këqija dhe as një të mirë në dobi të individit apo shoqërisë, individët e tillë në politikë shquhen për hajni, korrupsion dhe krim ekonomik të organizuar.

Shumica e individëve që hynë në politikë me fytyrë, nga politika dalin me autoritet të deformuar dhe me imazh të përdhosur.

Politika është me rëndësi, sepse bën pjesë në të gjitha proceset e zhvillimit të një populli apo të një vendi.

Ç’është e vërteta, politikës, shumica e hajnave në pozita të rëndësishme shtetërore dhe politike në Kosovë, “kanë përfituar". Ata në politikë kanë hy pa kollare e me këpucë të shqepura, nga politika kanë dalë milionerë.

Nuk ka udhëheqës të as një shteti evropian që janë më të pasur se udhëheqësit e Kosovës.

Udhëheqësit kosovarë, kuptohet disa nga ta, përveç milionave, kanë edhe me qindra hektarë tokë, të cilët i kanë blerë me çmime qesharake, një ari 3.50 euro.

Nuk ka të keqe më të madhe për një shtet dhe një popull se sa hajnia.

Nuk ka situatë më tragjiko-komike për një popull kur hajnat i premtojnë se do t'i luftojnë hajnit.

Një popull që ia beson qeverisjen e vendit hajnave, gjithmonë vetë është fajtor për të gjitha të këqijat, me të cilat mund të ballafaqohet.

Një popull i emancipuar asnjëherë nuk e zgjedh një qeveri të korruptuar.

Popujt e varfër përherë shpresojnë më shumë se ç’duhet në gënjeshtra të qeveritarëve të korruptuar.

Atij qeveritari i cili kur ka qenë në qeveri ka vjedh, asnjëherë tjetër nuk duhet besuar qeverisjen e vendit, sepse hajnia është shprehi e papërmirësueshme, prandaj qeveritarit hajn nuk bën t'i jepet rasti për ta vjedhur popullin dhe varfëruar atdheun në mënyrë të përsëritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat